EKSKLUZIVE/ Bajrami vishet kuqezi, zbulohen prapaskenat e gjyqit me FIFA-n

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2021 | 14:47

EKSKLUZIVE/ Bajrami vishet kuqezi, zbulohen prapaskenat e gjyqit me FIFA-n

Nedim Bajrami është tashmë një vlerë e shtuar për Shqipërinë. Fantazi, klas, asistime, regji prej numri 10. KAS ka vendosur dje që fantazisti 22-vjeçar të ndërrojë përfundimisht kombëtaren e Zvicrës për të luajtur me Shqipërinë. Kjo, pas kërkesëpadisë së bërë nga FSHF-ja në tribunalin sportiv të Lozanës, për të kundërshtuar dy refuzimet e bëra nga FIFA. “Panorama Sport” ka mësuar edhe prapaskenat në lidhje me këtë vendim dhe çfarë ka qenë thelbësore për trupën gjykuese në këtë proces dëgjimor, me anë të një videokonference.

Bajrami-

VENDIMI

Nedim Bajrami ishte insistimi i trajnerit Reja për t’u veshur kuqezi. Djaloshi u thirr në grumbullim, por pa arritur të debutojë, si pasojë e refuzimit të kërkesës së bërë drejtuar FIFA-s, e cila nuk miratoi ndërrimin e përfaqësueses. Pas refuzimit të dytë, në momentin e një ridërgimi të kërkesës, FSHF iu drejtua menjëherë KAS-it, për të marrë prej këtij të fundit vendimin final.

Dje, një javë pas seancës dëgjimore, nga Lozana erdhi lajmi pozitiv, që i jep të drejtë mesfushorit fantazist të çojë deri në fund dëshirën e tij për të përfaqësuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, teksa refuzoi mundësinë për të luajtur në Europian me 21- vjeçarët e Zvicrës.

PRAPASKENAT

Siç edhe më herët ka bërë me dije “Panorama Sport”, në mënyrë ekskluzive, një nga pikat kryesore të mbrojtjes së FSHF-së ka qenë mbi të drejtën e lojtarit për të ndërruar një përfaqësuese, për sa kohë mban një dokument zyrtar që e konfirmon origjinën e tij.

Krahas të drejtës së argumentuar pse Bajrami mban pasaportën shqiptare dhe që ka të drejtën të ndërrojë ekip përfaqësues pasi nuk ka asnjë ndeshje me një kombëtare A, “Panorama Sport” ka mësuar se vendimtare në këtë proces ka qenë edhe deklarata e vetë futbollistit, shtuar në dosjen mbrojtëse të FSHF-së. Bajrami mësohet të ketë deklaruar se është i vendosur për të luajtur me Shqipërinë.

Ndër të tjera, ka shtuar edhe se do të ishte i gatshëm të qëndronte në pritje, të refuzonte sërish Zvicrën, edhe në rast se do të kërkoheshin disa vite pa aktivizim në një ekip kombëtar. Kjo duket se ka bërë që trupa e gjyqtarëve të KAS-it ta anojë peshoren e vendimit nga kërkesëpadia e FSHF-së.

MBROJTJA

Një tjetër pikë e rëndësishme në këtë mbrojtje ka qenë edhe vetë përgjigjja mohuese e FIFA-s, e cila ka anatemuar në refuzimin e bërë së dyti se lojtari e ka të pajustifikuar mbajtjen e pasaportës shqiptare, çka u ka dhënë liri veprimi juristëve të palës shqiptare, me anë të legjislacionit në fuqi, të përpilojnë edhe mbrojtjen në këtë aspekt. Kësisoj, FSHF, pas fitores ndaj UEFA-s për ndeshjen në Serbi në edicionin e “Euro 2016”, triumfon në KAS edhe përballë FIFA-s.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"