EKSKLUZIVE/ “Asnjë ofertë për klubin”, Leli: Jam i hapur për zgjidhje, do të flas me Idrizin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2021 | 14:52

EKSKLUZIVE/ “Asnjë ofertë për klubin”, Leli: Jam i hapur për zgjidhje, do të flas me Idrizin (E PLOTË)

Kur kanë mbetur vetëm 6 ditë nga përfundimi i kontratës me kompanitë turke, asnjë interesim për të privatizuar Flamurtarin. Gjatë një prononcimi ekskluziv të dhënë për “Panorama Sport”, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, konfirmon se asnjë biznes apo kompani nuk ka paraqitur asnjë ofertë konkrete për të marrë klubin.

Sinan-Idrizi-Dritan-Leli-750x430

Madje, interesim nuk kanë shfaqur as kompanitë turke që e kanë momentalisht klubin në administrim dhe që përfaqësohen nga Sinan Idrizi. Kryebashkiaku Leli siguroi se bashkia është shumë transparente kundrejt këtij procesi dhe e interesuar për mbarëvajtjen e këtij procesi.

“Deri tani nuk ka interesim nga biznese apo kompani për ta privatizuar Flamurtarin. Në bashki nuk ka mbërritur asnjë kërkesë zyrtare, madje deri tani as nga kompanitë turke që menaxhojnë aktualisht klubin.

Ne si bashki jemi të hapur dhe transparentë për mbarëvajtjen dhe vazhdimësinë e këtij procesi. Jemi të interesuar të përfundojë sa më shpejt dhe në të mirë të Flamurtarit”, shprehet Leli.

VAZHDIMËSIA

Pak ditë më parë kryetari i bashkisë, Dritan Leli, takoi administratorin Sinan Idrizi. Për gazetën, kryebashkiaku i Vlorës thotë se do ta takojë sërish kreun e klubit. Leli tha se është i hapur për vijimin e bashkëpunimit me Idrizin. “Ne si bashki po bëjmë të gjitha përpjekjet që klubi të rikthehet ku i takon. Për këtë qëllim jam takuar disa herë me administratorin Sinan Idrizi.

Unë e falënderoj shumë për atë çfarë ka bërë gjatë kësaj kohe në klub dhe për lehtësinë financiare që na ka dhënë në buxhet. Jam i hapur për zgjidhje. Do të zhvilloj edhe një tjetër takim me Idrizin. Unë do të isha që ky projekt dhe bashkëpunim të vazhdonte për të mirën e Flamurtarit, ndaj të cilit jemi të gjithë të ndjeshëm”, përfundon Leli.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"