EKSKLUZIVE/ Asnjë gol i pësuar në 7 ndeshje, Argent Halili: E thelloj rekordin…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 2, 2021 | 17:16

EKSKLUZIVE/ Asnjë gol i pësuar në 7 ndeshje, Argent Halili: E thelloj rekordin…

Asnjë gol i pësuar në 630 minuta e bën Argent Halilin rekordmen. Askush nuk është më mirë si ai në të tria kategoritë e futbollit deri në mbyllje të 2020-ës. I ka kaluar të 37-at, por vitet për të janë thjesht numra. Portieri ndihet i rilindur te Labëria dhe hapur e thotë se as që e mendon tërheqjen. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” vlonjati tregon se përtej vështirësive dhe rivalitetit që ka Grupi B, ata do të ngjiten.

Halili

Asnjë gol i pësuar në 7 ndeshje, askush më mirë se Argent Halili në të tria kategoritë e futbollit në Shqipëri… E prisnit këtë ecuri?

Të them të drejtën nuk e kisha menduar që do të qëndroja kaq gjatë pa pësuar gol. Thjesht kam dhënë më të mirën për ekipin, por asnjëherë nuk e kisha menduar një rekord personal. Portierët në përgjithësi kanë një qëllim: të mos pësojnë gol gjatë ndeshjes. Por, kur këto ndeshje pa pësuar gol janë 4-5-6, atëherë pse të mos tentosh ta thellosh këtë rekord. Shpresoj të vazhdoj gjatë kështu (qesh), por nuk dua të lë pa përmendur edhe ekipin në fazën mbrojtëse, që ka bërë një punë shumë të mirë gjatë këtyre 7 ndeshjeve që nuk kemi pësuar.

Në karrierën tuaj kishit qëndruar kaq gjatë pa pësuar?

Po. Kam pasur një ecuri të tillë edhe me Kukësin, por jo kaq gjatë. Atëherë luaja sezonin e parë timin për verilindorët dhe për 5 javët e para nuk pësuam asnjë gol. Ndeshjen e 6-të pësova nga pika e penalltisë në takimin kundër Laçit.

Janë sulmuesit e dobët apo jeni ju… Cili është sekreti i pathyeshmërisë?

E thashë edhe pak më lart që edhe ekipi ka bërë një paraqitje shumë të mirë në fazën mbrojtëse. Kurrsesi nuk mund të them që sulmuesit janë të dobët, pasi në shumicën e ndeshjeve që kemi zhvilluar jemi vënë edhe në vështirësi. Por, gjithsesi, kemi arritur t’ia dalim mbanë. Pra, është një punë e përbashkët e gjithë ekipit dhe trajnerit.

Gara në grupin tuaj është vërtet e ashpër. Jeni tri ekipe me nga 19 pikë. E mundshme ngjitja më lart?

Është një garë shumë e fortë, pasi nuk jemi vetëm ne në garë. Deri tani kemi bërë një punë të mirë dhe kam besim se jemi në rrugën e duhur për të arritur objektivin që ka klubi. Pra, ngjitjen një kategori më lart. Kam shumë besim se do ta realizojmë.

Mund të quhet më surprizë Labëria?

Nuk besoj se mund të quhemi surprizë. Labëria vërtet është një ekip i ri, pasi është viti i dytë që është formuar, por në përbërje ka lojtarë me eksperiencë dhe djem të talentuar të cilët kërkojnë të afirmohen. Prandaj, nuk dua ta quaj surprizë aspak, pasi është një ekip i ndërtuar për t’u ngjitur më lart. Ka një presidencë të përkushtuar ndaj sportit dhe një staf trajnerësh që punojnë jashtë zakonisht shumë për arritjen e objektivave.

Për një lojtar me CV të pasur si ju, a ishte e vështirë përshtatja në këtë ligë?

Nuk e pata aspak të vështirë të pranoja që do të luaja në këtë ligë. Nëse ke pasion dhe dëshirë për futbollin, asnjëherë nuk është e vështirë të përshtatesh.

Cila është gjëja që ju ka bërë më shumë përshtypje në këtë kategori?

Fakti që fushat në të cilat luan janë në gjendje jo të mirë për të zhvilluar ndeshjen. Përveç terreneve të vështira edhe futbolli luhet pak më rëndë se në ligat e tjera.

Me këtë formë që po kaloni, vështirë që po e mendoni ta mbyllni me futbollin e luajtur…

Sinqerisht nuk e kam menduar akoma tërheqjen nga futbolli i luajtur. Siç edhe thashë pak më lart, kam akoma dëshirë, pasion dhe forcë për të vazhduar futbollin. Në momentin që nuk do të kem pasionin, dëshirën dhe forcën, atëherë po, do të “dorëzohem”. Shpresoj të jetë sa më e largët dita kur kjo të ndodhi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"