EKSKLUZIVE/ Arriti Europën, Partizani vendos për të ardhmen e Dritan Mehmetit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2022 | 14:58

EKSKLUZIVE/ Arriti Europën, Partizani vendos për të ardhmen e Dritan Mehmetit

Dritan Mehmeti do të vazhdojë të jetë në krye të skuadrës së Partizanit në Kupat e Europës edhe në sezonin e ardhshëm.

DRITAN MEHMETI

Kjo është ajo që presidenti i të kuqve, Gazment Demi, konfirmon ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

Në një bisedë të shkurtër me të, i pyetur nëse trajneri Mehmeti do të vijojë të jetë në krye të Partizanit edhe në sezonin e ri, Demi përgjigjet tekstualisht kështu: “Po, do të vazhdojë”.

Me këtë përgjigje të shkurtër, por sa 1 mijë fjalë, presidenti Demi konfirmon vazhdimin e bashkëpunimit me trajnerin Mehmeti, duke zgjidhur kështu një dilemë të madhe, e cila përflitej prej javësh në kampin e kuq.

Kontrata aktuale e trajnerit Mehmeti është edhe për sezonin e ardhshëm, por së shpejti ai do të ulet në tavolinë me drejtuesit për të diskutuar edhe një herë kushtet e saj, pasi tashmë situata është ndryshe.

42- vjeçari e mori ekipin në një situatë të vështirë dhe e kualifikoi direkt në Europë përmes renditjes në vendin e tretë në ka mpionat.

Me këtë zhvillim, te Partizani zgjidhet një çështje e rëndësishme, e cila i hap rrugën edhe nisjes së planit për ndërtimin e skuadrës, që do të luajë në Ligën e Konferencës dhe në sezonin e ri, kur Partizani do të synojë pa dyshim titullin kampion dhe fitimin e Kupës.

Mehmeti me siguri do të ketë pjesën e tij të vendimmarrjes për sa u përket lojtarëve që do të largohen, atyre që do të qëndrojnë dhe veçanërisht futbollistëve që do të vijnë.

MERITAT E TRAJNERIT – Sivjet me Partizanin, në harkun e 5 muajve, Mehmeti arriti të tregonte se është një trajner, që ka aftësinë të korrë sukses në elitën e futbollit tonë.

Me pak lëvizje në merkato, të iniciuara apo të miratuara nga ai (Bitri, Hadroj, Matondo dhe Skuka), Partizani i pasjanarit kishte fytyrë tjetër.

Ishte një skuadër me mbrojtje si “bunker”, si dhe më e shpejtë dhe finalizuese, megjithëse sëmundja e rasteve nuk u shërua plotësisht.

Kur Mehmeti erdhi në krye të Partizanit, skuadra ishte 3 pikë nga vendi i tetë, që të çon në “play out” dhe 10 pikë larg Kukësit, që atëherë renditej i dyti.

Me një rritje graduale, deri në sprintin thuajse perfekt të javëve të fundit, Mehmeti ia doli me sukses të arrinte një objektiv, që me siguri, në momentin kur mori ekipin, as ai vetë nuk e kishte besuar plotësisht se e arrinte.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"