EKSKLUZIVE/ “Arrita akordin me Takajn pa dalë vendimi”, Ahmataj nis punën: Në Korçë, për një projekt të rëndësishëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2020 | 16:54

EKSKLUZIVE/ “Arrita akordin me Takajn pa dalë vendimi”, Ahmataj nis punën: Në Korçë, për një projekt të rëndësishëm

Presidenti Takaj ka plane për ta mbajtur klubin në nivele të larta. Skënderbeu nisi nga puna për startin e sezonit të ri. Ndryshe nga sa ishte programuar, gjithçka nisi me një prezantim të thjeshtë të trajnerit Julian Ahmataj përpara ekipit dhe jo me një konferencë zyrtare para mediave.

julian ahmataj

Kjo ishte një zgjedhje e trajnerit dhe klubit, pasi palët kanë menduar që prezantimin zyrtar ta bëjnë më vonë, kur edhe ekipi të jetë më i kompletuar. Gjithsesi, numri një i pankinës së korçarëve, në një prononcim të shkurtër të dhënë për “Panorama Sport”, foli për marrëveshjen e mbyllur më herët me presidentin Ardjan Takaj dhe çfarë e bindi që të zgjidhte Skënderbeun, edhe pse në kushte aspak normale për korçarët pas vendimit të dhënë nga Gjykata Federale e Zvicrës.

“Fillimisht mund të them se vij në një klub të madh, që ka bërë historinë në Europë, si asnjë klub tjetër shqiptar dhe ka diktuar në dekadën e fundit. Të them të drejtën tani jemi në një situatë ndryshe, por e rëndësishme është që jemi të gjithë bashkë këtu për të njëjtin qëllim, që të mbajmë lart, në nivelet që i takon, ekipin e Skënderbeut. Unë arrita akordin me presidentin Takaj në kohën kur ende nuk kishte dalë një vendim i Gjykatës Federale dhe të them të drejtën pritshmëritë e një ven dimi pozitiv në ato momente ishin të larta.

Më pas vendimi tregoi të kundërtën dhe tashmë është një fakt që do të përballemi me diçka ndryshe. Por, nuk mund të hiqja dorë pikërisht nga kjo gjë, është kundër karakterit tim që të ndryshoja mendje. Do të vazhdojmë kështu dhe të jeni të bindur se do të ndërtojmë një projekt të rëndësishëm dhe të denjë për një qytet si Korça, që meriton shumë”, theksoi fillimisht Julian Ahmataj.

PROJEKTI

Më tej trajneri i ri i Skënderbeut në daljen e parë zyrtare për mediat theksoi edhe projektin e presidentit Takaj, si detajin që e bindi të merrte drejtimin e Skënderbeut.

“Për momentin vendosëm që të nisim nga puna me grupin që kemi për të mos humbur kohë me përgatitjet. Më pas do të flasim më gjerësisht rreth projektit. Mund të them se ajo që më bindi është projekti ambicioz që Takaj ka për ta mbajtur në nivele të larta Skënderbeun.

Normalisht që ekipi ka nevojë për afrime, pasi duhen rregulluar balancat, por është ende herët për të folur në lidhje me këtë çështje. Jemi këtu për të bërë më të mirën dhe kjo është e rëndësishme që jemi të gjithë bashkë për një qëllim”, mbylli prononcimin e tij të parë si trajner i Skënderbeut Julian Ahmataj.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"