EKSKLUZIVE/ Arrihet marrëveshja, Skënderbeu firmos kontratën me…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2022 | 17:41

EKSKLUZIVE/ Arrihet marrëveshja, Skënderbeu firmos kontratën me…

Vjen akordi final. Shkëlzen Ruçi do të jetë portieri i Skënderbeut për Kategorinë e Parë. Pas shumë dilemash dhe bisedimesh, marrëveshja është mbyllur.

SHKELZEN RUCI

“Panorama Sport” ka komunikuar me lojtarin dhe presidentin, të cilët kanë konfirmuar gjithçka. Ardjan Takaj është shprehur qartësisht se Ruçi do të jetë gardiani i korçarëve edhe për sezonin 2022-2023, ndërsa paralajmëron se do të ketë edhe goditje të tjera për të ndërtuar ekipin e duhur:

“Po, e konfirmoj zyrtarisht se Shkëlzen Ruçi është portieri i Skënderbeut. Kemi arritur akordin dhe lojtari do të nënshkruajë kontratë njëvjeçare me ne. Ndërkaq, po punojmë edhe për afrime të tjera me qëllim që të krijojmë një ekip sa më të denjë, një Skënderbe elite”.

Lajmi është konfirmuar edhe nga vetë elbasanasi, i cili për gazetën dha arsyet pse zgjodhi të qëndronte në Korçë.

“Po, do të jem portieri i Skënderbeut edhe për një sezon. Vendosa të qëndroj në Korçë edhe për një vit tjetër për shumë arsye.

Së pari, Skënderbeu është një ekip me histori në futbollin shqiptar dhe nuk e meriton kurrsesi të jetë një kategori më poshtë. Doja të jepja kontributin tim për të rikthyer shumë shpejt ekipin në elitën e futbollit, atje ku i takon.

Së dyti, janë kushtet e punës. Në Korçë, si rrallë në Shqipëri, Skënderbeu ofron kushte shumë të mira pune dhe mund të punosh i qetë.

Qyteti, tifozët dhe gjithë ambienti është shumë i dashur dhe nuk të ushtron presion.

Jam i lumtur që arrita akordin dhe do të jap maksimumin që Skënderbeu të kthehet shumë shpejt në Kategorinë Superiore”, përfundoi prononcimin e tij Ruçi.

Elbasanasi ka një karrierë të gjatë mes shtyllave, teksa ka luajtur me ekipe si Elbasani, Bylis, Luftëtari dhe Gjilani, ndërsa edhe sezonin e shkuar ishte pjesë e korçarëve.

Ai ka luajtur nëntë ndeshje si titullar, duke mos pasur shumë hapësira, por një gjë e tillë duket se nuk e ka stepur për të vijuar në Korçë edhe në Kategorinë e Parë.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"