EKSKLUZIVE/ Arrihet akordi, mbrojtësi i Bylisit një hap larg Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2022 | 14:35

EKSKLUZIVE/ Arrihet akordi, mbrojtësi i Bylisit një hap larg Dinamos

Stivian Janku është emri i ri i merkatos së Dinamos. Mbrojtësi është vetëm një hap larg bluve dhe me shumë gjasa ai do të veshë fanellën e kryeqytetasve sezonin e ardhshëm.

STIVIAN JANKU

“Panorama Sport” mëson se drejtuesit kanë arritur akordin me homologët e tyre te Bylisi, ekipit ku 25-vjeçari bën pjesë aktualisht.

Ky transferim mund të konsiderohet formalitet.

Burime të gazetës thonë se kanë mbetur për t’u saktësuar vetëm disa detaje të vogla që kanë të bëjnë me marrëveshjen mes klubit kryeqytetas dhe vetë futbollistit.

Janku do të linte Superioren për të luajtur në Kategorinë e Parë, por kur bëhet fjalë për një emër si Dinamo, atëherë lëvizja është plotësisht e justifikuar.

Përveç Bylisit, është aktivizuar edhe me Partizanin dhe Luftëtarin. Ai është një lojtar i pjekur tashmë dhe trajnerit Nevil Dede do t’i bënte punë.

Tani mbetet vetëm që palët të firmosin kontratën dhe qendërmbrojtësi të nisë stërvitjen me uniformën blu.

MBROJTJA – Gazeta bëri me dije në numrin e djeshëm se Dinamo ka në plan të huazojë mbrojtësin, Alesio Mija, në një skuadër ku ai mund të luajë rregullisht.

Ikja e tij do të lironte një vend në prapavijën, që tashmë pritet ta zërë pikërisht Stivian Janku.

Trajneri ia ka besuar qendrën e mbrojtjes dyshes, ImamiDikson, kështu që Janku do të rivalizojë fort me këtë dyshe për të zënë një vend titullari, edhe pse në një sezon të gjatë ka vend për të gjithë.

Përveç tre lojtarëve të përmendur më sipër, në rolin e qendërmbrojtësit luan edhe Aurel Marku, një nga të rinjtë që blutë kanë afruar gjatë merkatos së verës.

Për krahët e mbrojtjes duhet thënë se i majti është “i blinduar” me Ilir Allmuçën dhe Indrit Prodanin.

Për krahun e djathtë është i gatshëm për momentin vetëm Patrik Fetaj.

Në këtë rol përshtatet edhe Stivian Janku dhe kjo mund të jetë një arsye më shumë pse drejtuesit e Dinamos kanë zgjedhur këtë futbollist si përforcimin e radhës.

Gjatë ndeshjeve të fundit miqësore, blutë kanë treguar stabilitet në mbrojtje, duke pësuar pak gola.

Ndaj kundërshtarëve të Superiores, si Partizani, Vllaznia dhe Kastrioti, kryeqytetasit nuk kanë pësuar më shumë se një gol. Trajneri Dede, si një ishmbrojtës, me sa duket, ka ditur mjaft mirë të vërë rregull në këtë repart.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"