EKSKLUZIVE/ Arrestimi i Grimës, Rudi Vata: Ju tregoj si trukonte në dëm të Vllaznisë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2018 | 23:36

EKSKLUZIVE/ Arrestimi i Grimës, Rudi Vata: Ju tregoj si trukonte në dëm të Vllaznisë (E PLOTË)

Rudi Vata ka denoncuar i pari tentativat e Armir Grimës dhe ish-drejtuesve të Vllaznisë për manipulime ndeshjesh. Gjashtë vite më parë, kur Vata drejtonte skuadrën shkodrane, u largua mes polemikave dhe akuzave, ndaj Grima dhe drejtuesve të klubit në atë periudhë, Kujtim Shaba dhe ishzv.kryetarit të bashkisë, Ritvan Troshani. Dje, kur dhe trajneri aktual i Kombëtares së Shqipërisë për femra u arrestua nga Policia, Vata pranoi të fliste për “Panorama Sport” rreth asaj që dinte për Grimën. Madje, ish-kapiteni shtoi akuzat, duke përmendur dy ndeshje, që sipas tij ka gisht shkodrani i arrestuar.

Rudi-Vata

“DIHEJ PAZARI”

“Ky është një lajm i vjetër për mua. Kush tjetër mund të flasë në Shqipëri për këto çështje? Sa kanë mbetur të pastër në futbollin shqiptar? Dihej pazari dhe ajo se çfarë do të ndodhte. Po ju them se në vitin 2012, kur drejtoja Vllazninë, Armir Grima dhe Kujtim Shaba, me urdhër të kryetarit të bordit të klubit në atë kohë, Ritvan Troshani, u organizuan për të dëmtuar punën time. Bëhet fjalë për dy ndeshjet e fundit si trajner i Vllaznisë, kundër Flamurtarit në Shkodër dhe Pogradecit në transfertë”, thotë fillimisht Vata, i cili bën një koment edhe për portierin e arrestuar, Fabiol Rexhepi. “Ka qenë te Vllaznia si portier i dytë ose i tretë. Di të them që është djalë i mirë dhe i urtë, por i edukuar nga profesor Grima”.

“SI MA PUNUAN” 

Ish-trajneri i Vllaznisë futet direkt në temë. “Në Shkodër kundër Flamurtarit, ku fituam 2-1, ata angazhuan lojtarë të veçantë, në mënyrë që të mos fitohej ajo ndeshje. Por, ndër të paktët lojtarë që nuk kishte informacion për këtë çështje ishte qendërmbrojtësi Ervis Kraja, i cili katër minuta nga fundi shënoi me kokë në mënyrë natyrale. Për këtë ndeshje e kam marrë informacionin kur jam larguar nga Vllaznia pas disa muajsh. Vetë lojtarët ma kanë konfirmuar. Duke parë që plani A dështoi, ata ‘VIP’-at u angazhuan maksimalisht për ndeshjen e radhës në Pogradec. Ky plani B funksionoi, sepse në bashkëpunim me FSHF-në arritën të sjellin në Pogradec arbitra nga Lezha, të cilët ishin të dirigjuar nga Shaba dhe Grima për të dëmtuar Vllazninë dhe ia dolën. U gëzuan maksimalisht për pabesinë dhe poshtërsinë që kishin bërë, madje u gëzua edhe kryetari bordit, Troshani. E gjitha kjo u bë në mënyrë që Vllaznia të mos përfundonte kampionatin në vitin 2012 në vendin e katërt, pozicion që të dërgonte në Kupat e Europës. Nëse arrihej ky synim, atëherë do t’u duhej të vazhdonin kontratën me mua si trajner”, tregon ish-trajneri, i cili jep edhe një mesazh për familjen e Grimës. “Duke qenë prind vetë, më vjen keq për familjen dhe për fëmijët e Grimës, kurse për atë vetë nuk kam ndonjë ndjesi të veçantë, por njoh shumë mirë se si funksionon karakteri te njerëzit dhe vetëm koha e tregon. Pra, për atë që do të bësh në jetë, do të marrësh shpërblimin e merituar”.

“REAGIMI I ARBITRIT”

Vata rrëfen atë që i ka thënë arbitri i katërt për ndeshjen që akuzon se ia kanë manipuluar Grima & CO. “Kurrë nuk e harroj bisedën me arbitrin e katërt, Pjetrushi, në ndeshjen Pogradeci-Vllaznia 2-1, i cili duke parë pakënaqësitë që unë kisha për arbitrimin, më jep këtë përgjigje: ‘Nuk është faji jonë, sepse ata dy burrat lart na kanë sjellë këtu me këtë mision. Prandaj, kërkoja atyre, jo neve’. Kjo më konfirmoi edhe më tepër atë që kishte ndodhur gjatë ndeshjes”.

“PSE S’REAGON MINISTRIA?”

Në fund, Vata thekson se është e pabesueshme që Ministria e Sporteve në Shqipëri nuk reagon ndaj fenomenit të trukimeve në futbollin tonë. “Nëse shteti do funksionojë, njerëzit do normalizohen dhe rregullat do zbatohen në mënyrë graduale. Por, nëse do kemi Kryeprokuror një kryekriminel, atëherë këto fenomene do lulëzojnë dhe shqiptarët do të jenë në trishtim konstant. UEFA e ka dhënë verdiktin, faktet janë të pafundme, por ajo që më ka bërë përshtypje është se si ka mundësi që Ministria e Sportit nuk ka një qëndrim në lidhje me këto çështje kaq serioze dhe kaq delikate për të tashmen dhe të ardhmen e rinisë shqiptare. Më bën përshtypje se si ka mundësi që Kryeministri i vendit nuk i trajton me seriozitet dhe vendosmëri këto çështje. E mjera Shqipëri dhe të mjerët shqiptarë, që historikisht janë drejtuar, keqtrajtuar e keqedukuar nga njerëz mëkatarë”, përfundoi Vata.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"