EKSKLUZIVE/ “Arbitrit i kam thënë gjatë gjithë kohës që …”, rrëfehet kapiteni Bruno Dita: Ju tregoj të vërtetën me Skënderbeun (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2020 | 20:45

EKSKLUZIVE/ “Arbitrit i kam thënë gjatë gjithë kohës që …”, rrëfehet kapiteni Bruno Dita: Ju tregoj të vërtetën me Skënderbeun (E PLOTË)

Skënderbeu kërkon ringritjen. Fitorja me Partizanin ka shtuar forcat dhe motivimin te korçarët. Ata janë të bindur te vazhdimësia dhe eliminimi i oshilacioneve që i çuan në vendin e 8-të gjatë pjesës së parë të sezonit. I këtij mendimi është edhe Bruno Dita, kapiteni i bardhekuqve. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, fill pasi u mbyll ndeshja me kampionët në fuqi të vendit, mesfushori ka analizuar lojën dhe penalltitë e akorduara në favor të kundërshtarit. Nuk kishte si të mos fliste edhe për gjyqin që ka hapur në DHZK me Skënderbeun. Pretendimet nuk i mohon, por në anën tjetër konfirmon se do vazhdojë të qëndrojë në Korçë.

bruno dita

A e priste Bruno këtë kthesë të ekipit pas ndërprerjes? 

Zhvilluam një ndeshje mjaft të mirë. Shpresoj që të vazhdojmë gjatë kështu, duke shmangur oshilacionet që patëm në pjesën e parë të kampionatit. Mendoj se e kemi vënë Partizanin në vështirësi edhe kur ishin ata në avantazh. Ishin dy penallti të dhëna, të cilat për mua ishin me pa të drejtë.

Çfarë menduat në ato momente, sidomos te penalltia e dytë?

Isha i nervozuar, më ndodh shpesh një gjë e tillë. Por si në këtë ndeshje, nuk kisha parë. Nuk e prisja atë vendim. Të të prekë topi në kokë dhe të akordohet penallti, është vërtet e çuditshme. Ai (i referohet arbitrit) nëse donte mund të jepte diçka, mund të jepte një kontakt në zonë apo ku ta di unë se çfarë, por jo atë penallti.

Dita goli

Çfarë i thatë arbitrit?

Ato janë momente loje, por në asnjë moment nuk i jam drejtuar me fjalë ofenduese. Kjo pasi jam kapiteni i një ekipi superkorrekt dhe unë duhet të jem fytyra e tij në fushë. I kam thënë gjatë gjithë kohës që kishte gabuar dhe që nuk ishte penallti. Kam kërkuar edhe ndihmën e anësorit, por ai tha se nuk ishte vendimi i tij.

Të shtunën luani me Flamurtarin, gati për një tjetër trepikësh…? 

Normal, jam i bindur se kemi cilësitë. Shpresojmë të vazhdojmë me ecuri pozitive. Duhet të fokusohemi direkt te Flamurtari dhe të shmangim oshilacionet.

Me rikthimin e Jashanicës dhe afrimin e Imamit, a do i largohet fundit Skënderbeu? 

Besoj se cilësitë i kemi. Jashanica do të jetë një plus shumë i madh për ne. Pavarësisht se ka dy vite që nuk luan, është një lojtar cilësor që të jep garanci. Imami po ashtu. Me këta elementë, shtohet besimi për të kapur vendet e para të renditjes.

Keni hapur një çështje me Skënderbeun në DHZK. Keni ndonjë koment?

Mua personalisht dhe klubit nuk është se na ka ardhur një datë fikse për gjyqin. Nuk e di se nga e nxorët një informacion të tillë dhe mbi të gjitha në ditën e ndeshjes me Partizanin.

Është një informacion zyrtar i marrë nga FSHF… 

Për gjërat e mia me klubin, unë merrem vetë me klubin.Normalisht vonesa do të ketë, si çdo ekip në Shqipëri, por realisht nuk kam pasur asnjë njoftim për atë që ju po thoni.

Dita

A do të jeni lojtar dhe kapiten i Skënderbeut?

Po, do të vazhdoj të jem një futbollist i Skënderbeut.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"