EKSKLUZIVE/ “Arabët janë në delir”, rrëfehet Cikalleshi: Reja babaxhan, duhet të qëndrojë si trajner i Shqipërisë! (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2022 | 21:07

EKSKLUZIVE/ “Arabët janë në delir”, rrëfehet Cikalleshi: Reja babaxhan, duhet të qëndrojë si trajner i Shqipërisë! (E PLOTË)

Sokol Cikalleshi ka kapur formën optimale pas një starti me vështirësi në tokën arabe. Ka shënuar sërish gol edhe në miqësoren e djeshme (deri tani 4 gola dhe dy asiste gjatë miqësoreve), por ndërkohë rrëfen pak edhe atmosferën që po përjetojnë arabët pas fitores me Argjentinën. Bomberi i Kombëtares shqiptare luan aktualisht te skuadra e Al-Khalej, por nuk mund të anashkalojë dy miqësoret e fundit të Shqipërisë, ku mungoi për shkak se klubi nuk e lejoi. “Më pëlqyen shumë të rinjtë, do të doja që Reja të qëndronte”, thotë sulmuesi kavajas ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

CIKALLESHI REJA

Së pari, si e keni parë nga jashtë Kombëtaren në dy miqësoret e fundit. Çfarë ju bëri më tepër përshtypje?

Dy ndeshje me kundërshtarë të ndryshëm, me Italinë kampione Europe e humbëm, por kemi bërë një ndeshje gati si të barabartë me ta duke krijuar disa raste për shënim. E dyta me Armeninë, një ndeshje që duhej fituar! Ne fituam, por kishte bukurinë e saj kjo fitore, pasi ishin në fushë lojtarë qe i kishin ndeshjet e para me Kombëtaren dhe treguan që janë të gatshëm për të qenë aty e për ta ndihmuar Kombëtaren në të ardhmen.

Munguat pasi nuk ju dha leje klubi apo ishte një pakt mes jush dhe Rejës?

Unë e kisha ftesën, por duke qenë se nuk ishin data të FIFA-s klubi nuk më lejoi, më saktë trajneri! Kisha ardhur në Arabi në fund të gushtit pa fazë përgatitore me ekipin këtu, si unë dhe 2-3 lojtarë të tjerë dhe kjo ka ndikuar në lojën e ekipit. Tani prej Botërorit u krijua mundësia e dytë që të isha me skuadrën në ndeshjet miqësore që kishim njëra pas tjetrës. Kjo ka ndikuar për mirë sepse kam shënuar rregullisht dhe po përshtatem shumë mirë me ekipin.

Keni folur me trajnerin Reja, pasi me shumë mundësi këto ishin ndeshjet e fundit të tij?

Kam folur me Rejën kur isha në Kombëtare për ekipin dhe vazhdimësinë. Ka dëshirë të vazhdojë dhe të gjithë lojtarët janë pro tij, pasi është trajner babaxhan, me karakter dhe dashamirës, përveç eksperiencës dhe karrierës së gjatë që ka si trajner.

Në këtë fazë përgatitore jeni zhbllokuar, duke shënuar rregullisht në disa miqësore. Sa ju ka ndihmuar kjo pjesë dhe çfarë prisni me ekipin arab, AlKhalej, pas rikthimit të kampionatit më 15 dhjetor?

Duke qenë se u bë gati një muaj që punojmë vetëm për t’u përmirësuar në pikat e dobëta, ka shërbyer për mirë dhe jemi një nivel më lart tani. Në 3 ndeshje miqësore kam shënuar 4 gola dhe 2 asiste. Uroj të vazhdoj edhe në kampionat kështu!

Si është futbolli në Arabi?

Këtu është futboll i vështirë duhet të ambientohesh dhe duhet shumë punë për të dalë i suksesshëm.

Arabia arriti një fitore historike ndaj Argjentinës në Botëror. Si u përjetua aty në ekipin tuaj dhe ambientin ku jetoni?

Ka qenë një përjetim i paparë si në Arabi ashtu dhe tek ekipi im. Kjo është bukuria e futbollit, ka pasur shumë lot gëzimi dhe lumturi ky triumf.

Çfarë e bëri kaq të veçantë?

E veçanta e këtij triumfi ishte sepse ndodhi ndaj Mesit dhe Argjentinës. Kanë bërë një ndeshje të madhe, kanë dhënë shpirtin në fushë, një ndeshje si shembull që po luftove e po dhe gjithçka gjithmonë e ke një shans për t’ia dalë, pavarësisht kë ke përballë. E humbën me Poloninë, por janë akoma në lojë duke menduar që deri para Botërorit nuk i llogariste ndonjëri seriozisht.

Tani që mundën Mesin, besojnë se mund të bëjnë historinë?

Pas Argjentinës kanë filluar ëndërrimet për kalimin e grupit, por s’duhet harruar që niveli i ekipeve në grup është shumë më i lartë se Arabia, kështu që ngelen për t’u parë dhe ato pak shanse që kanë.

Në vendin ku jetoni apo ku keni luajtur në stadiume të ndryshme, keni takuar ndonjë shqiptar dhe si është përshtypja e arabëve për vendin tonë?

Deri tani nuk kam takuar, në të ardhmen nuk e di, por besoj se do të takoj sepse shqiptarët janë kudo. Përshtypjet normale, nuk kam pasur ndonjë komunikim apo diçka të veçantë që më ka ngelur në mendje.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL