EKSKLUZIVE/ “Apolonia, një ndërmarrje të paaftësh”, Dimo: Në klub mungojnë figurat, diplomat e FSHF-së janë bërë më keq se ato të juridikut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2021 | 15:56

EKSKLUZIVE/ “Apolonia, një ndërmarrje të paaftësh”, Dimo: Në klub mungojnë figurat, diplomat e FSHF-së janë bërë më keq se ato të juridikut

Amarildo Dimo është një ikonë e fut bollit fierak dhe jo vetëm, teksa mban mbi supe 20 vite karrierë sportive në fushë me ekipe, që nga ato modeste të Norgës e Cakranit, te Luftëtari, Bylisi, Apolonia, Egnatia, Tomori e gjer te 3 herë kampion me fanellën e Skënderbeut.

dimo-1

Ka gati 1 vit i tërhequr nga futbolli i luajtur në fushë dhe këtë herë ishkapiteni i Apolonisë vjen në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” duke analizuar vetëm skuadrën fierake, nga dritëhijet, të njohurat dhe të panjohurat ndër vite në këtë ekip.

Dimo, pavarësisht se ku keni luajtur, gjithmonë e keni pasur shqetësim të parë Apoloninë, duke u dalluar si ndër të paktët që jeni shprehur hapur dhe troç për çdo problematikë të kësaj skuadre. Me pak fjalë, çfarë është Apolonia për Amarildo Dimon?

Apolonia për mua është skuadra ku ëndërroja të luaja qysh fëmijë, ëndërr të cilën e realizova vetëm gjatë fundit të karrierës. Është skuadra ku ne u rritëm duke përjetuar emocionet e brezave më të mëdhenj, që ne i shihnim si modele për t’u ndjekur dhe nuk e dinim që kjo ëndërr të venitej me kalimin e kohës, për shkak të ecejakeve sa në një kategori, në tjetrën, si dhe mospasjen e vazhdimësisë së shembujve për t’u ndjekur në njerëz dhe në rezultate.

Tani që flasim, Apolonia është një ndërmarrje ekonomike, jo një ekip futbolli. Një ndërmarrje ku njerëzit që punojnë, kanë pak ose aspak lidhje me futbollin dhe kjo gjë është fatkeqësi për të gjithë qytetin.

A ka një shpjegim pse nuk e keni nisur karrierën sportive tek Apolonia?

Unë jam larguar për studimet e larta në Gjirokastër dhe kjo ka qenë arsyeja pse nuk e kam nisur karrierën tek Apolonia si futbollist prefesionist, megjithëse dashamirësia kundrejt meje nuk është se ka qenë e ndonjë niveli për t’u admiruar, e thënë me zbutje kjo.

Dimo Apolonia

Ju e njihni mirë mjedisin në Fier. Çfarë nuk ka shkuar te një Apoloni që është “kredhosur” prej vitesh si skuadër tipike e Kategorisë së Parë?

Apolonia ka zgjedhur një “strategji” për të promovuar djem të rinj, por në të vërtetë nuk është se kanë një strategji. Mua më duket thjesht demagogji. Marr shkas kur u largova në vitin 2018, jo nga forma sportive, por sepse kishin “strategji” me çuna të rinj, ama në të vërtetë morën lojtarë mbi 32 vjeç dhe atë vit rrezikuan të binin nga kategoria.

Kjo mënyrë e marketingut të strategjisë është fasadë, sa për sy e faqe, një rrenë dhe një falsitet për justifikim. Unë mendoj se Apolonia është një ekip që nuk ka në parim rezultatet sportive dhe dhënien e kënaqësisë komunitetit për zgjimin e ëndrrës për brezat e rinj që të bëhen futbollistë, por vazhdoj të them me bindje se është thjesht një ndërmarrje.

Presidenca, stafi teknik, kryetrajneri, hap pas hapi dhe vit pas viti tek Apolonia… Çfarë “leximi” ka Amarildo Dimo për këtë pjesë?

Me përjashtim të presidentit dhe doktorit të ekipit, tek Apolonia kanë ndryshuar të gjithë. Por nuk është kjo çështja, sepse çdo gjë ka kohën e vet. Ajo që bëhet më shqetësuese, është se njerëzit që kanë një kontribut në futboll nuk janë pjesë e Apolonisë. Në klub nuk ka figura që përfaqësojnë futbollin fierak dhe atë shqiptar, mungojnë njerëzit e sportit. Futbolli nuk është vetëm të trajnosh, por edhe të tregosh dhe t’i kesh përjetuar vetë sfida të tilla në fushë.

amarildo dimo

Nuk do të thotë që të kesh një diplomë të FSHF-së, që janë bërë më keq se diplomat e juridikut dhe mund të trajnosh. Trajnimi është art më vete, por të gjithë ata që nuk kanë luajtur dhe trajnojnë, marrin shembull Murinjon, por harrojnë që Murinjo ka trajnuar në Barcelonë pas profesorëve të trajningut. Këtu në Fier, edhe ata që janë profesorë, si: Paço, Haxhiaj, Demiraj etj., s’janë në strukturat e klubit, sepse një i aftë nuk mund të pranojë kurrë që të drejtohet nga një i paaftë.

“Thembra e Akilit” është se gjithmonë të intervistuarit flasin me terma dhe nocione të përgjithshme. A flasim me emra konkretë për problemet që ngrini?

Problemi i Apolonisë mbeten ata që janë në organigramën e klubit, ata janë emra konkretë dhe asgjë nuk po e lë si trajtim të përgjithshëm dhe të abstraguar.

Po pse gati është mekur faktori sportiv në Fier dhe ka rënë në heshtje të rëndomtë për këto probleme?

“Sporti, – thoshte trajneri Artan Bano, – gjithmonë është i fundit”, pastaj e rregullonte: “Është i parafundit, se, edhe në lajme, është sporti, pastaj është moti”, domethënë që njerëzit, me gjithë këto problematika që ka jeta, nuk kujtohet për sportin, me përjashtim të atyre prindërve që e heqin bukën nga shtëpia për të ndjekur ëndrrën e fëmijës. Vetëm këta mund ta ngrenë zërin, por prapë janë shumë pak në krahasim me masën e komunitetit.

Ju, zërat kritikë, shpalosni problematikën, por a është gati Amarildo Dimo që të marrë përsipër diçka përtej kësaj?  Keni marrë Licencën B dhe nëse ju vjen një ofertë nga klubi fierak për të trajnuar një ekip të hierarkisë së Apolonisë, pak rëndësi ka grup-mosha, si do të vepronit?

Unë do të pranoja të trajnoja, nëse do të isha pas një trajneri specialist i mirëfilltë, prej të cilit kam se çfarë të mësoj. Do të trajnoja pasi të më vlerësonte një njeri me përvojë në trajning dhe do të trajnoja pasi të bëja 3-4 vite stazh pas tij. Por, në kushtet kur në klub nuk ka një bord me specialistë të mirëfilltë, atëherë kush do të më vlerësojë mua apo dhe të tjerë? Kësisoj, nga një gabim, bëjmë një tjetër dhe e quajmë veten “Special”, pa e ditur që jemi askush.

Sërish synohet një trajner italian për Apoloninë e Kategorisë së Parë. Mendimi juaj?

(Sarkastik). Epo, shyqyr Zotit, po punohet për një ekip poliglot! Ata lojtarët e vjetshëm, do të “pasterizohen” për italishten, këta që do të jenë për herë të parë, le të shpresojmë të rriten sa më denjësisht në zotërimin e gjuhës italiane brenda sezonit, pa ç’rëndësi kanë rezultatet…

Nëse nuk arrijnë stadet e italishtnjohjes perfekte këtë vit, atëherë le të vazhdohet edhe sezonet e ardhshme me trajnerë italianë… Këta krerët e kupolës së Apolonisë shquhen për projekte të tilla “produktive” dhe afatgjata…

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"