EKSKLUZIVE/ Apolonia i bën ofertë ish-kapitenit të Vllaznisë, Skënderbeu firmos më një tjetër lojtar ganez

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2020 | 22:00

EKSKLUZIVE/ Apolonia i bën ofertë ish-kapitenit të Vllaznisë, Skënderbeu firmos më një tjetër lojtar ganez

Apolonia kërkon të bëjë një goditje të bujshme në merkato. Klubi fierak shquhet për afrimin e lojtarëve të rinj, por në Superiore i diktohet afrimi i emrave që kanë eksperiencë. “Panorama Sport” zbulon se drejtuesit kanë kërkuar që të joshin kapitenin e larguar nga Vllaznia, Gilman Lika. Ky i fundit është takuar me drejtuesit e Apolonisë dhe ka lënë të hapur mundësinë e transferimit në Fier.

lika

Lika ka dëgjuar ofertën dhe pritet të kthejë tashmë një përgjigje konkrete. Ai është futbollist i lirë dhe mund të federohet në çdo moment.

Ndërkohë, në ditën e fundit të merkatos për lojtarët e huaj që mund të federohen në ekipet e Superiores, Skënderbeu ka bërë lëvizjen e radhës. Burime zyrtare në klubin korçar i treguan pak minuta më parë gazetës se ka firmosur me Skënderbeun edhe ganezi i tretë.

Skenderbeu

Bëhet fjalë për një 18-vjeçar që luan si mbrojtës i majtë dhe që ka shkëlqyer në sezonin e fundit në Ganë. Ai quhet Josef Ado Teteh dhe vjen nga skuadra ganeze, Tudu Mighty Jets.

Më parë korçarët kishin siguruar firmat me mesfushorin 21-vjeçar, Denis Dovuna, si dhe sulmuesin 20- vjeçar Samuel Armah. Të dy janë grumbulluar nga Kombëtarja U-20 e Ganës, ndërsa mbrojtës i majtë Teteh ka qenë deri pak muaj më parë pjesë e padiskutueshme e Ganës U-17. Lojtarët nga shteti afrikan pritet të mbërrijnë në Shqipëri të hënën për t’iu bashkuar Skënderbeut.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"