EKSKLUZIVE/ Apolonia godet në merkato, arrin akordin me ish-sulmuesin e Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2021 | 12:07

EKSKLUZIVE/ Apolonia godet në merkato, arrin akordin me ish-sulmuesin e Dinamos

Edhe pse me hapa të ngadaltë, Apolonia përpiqet të bëjë përforcimet e veta në merkato. Këtë herë duket se fierakët do të bëjnë një lëvizje të spikatur, pikërisht në repartin më problematik: sulmin. Mustafa Enok Xhixhiua është goditja e radhës për bardhejeshilët.

Xhixhiua

Nga burimet e sigurta në klub, “Panorama Sport” mëson se është arritur akordi me sulmuesin kamerunas dhe brenda dy ditësh do të hidhët edhe firma, që mbetet një formalitet.

Qendërsulmuesi është “shqiptarizuar” me futbollin, teksa ka mbi 4 vjet që luan në vendin tonë. Me përvojat e kaluara te Partizani, Erzeni, Burreli, Bylisi dhe Dinamo, 25-vjeçari regjistron 5306 minuta në 72 ndeshje dhe 28 gola të shënuar.

Sezonin më të mirë e pati rishtas me Dinamon, ku realizoi 9 gola. Xhixhiua ka qenë në objektivin e fierakëve edhe përpara dy sezonesh, por operacioni asokohe dështoi në momentin e fundit.

dinamo skenderbeu xhixhiua

Gjithsesi, Apolonia e sheh kamerunasin si njeriun e golit dhe si partnerin e duhur për sulmuesit e rinj të skuadrës. Kujtojmë që klubi pati si synim Skukën, por dinamovitët e duan për vete dibranin dhe, kësisoj, gjithçka u zhvendos te Xhixhiua.

Përveç golave që presin në Fier, si pasues i Mario Gjatës, kamerunasi shihet edhe si një nxitje për Jeton Krasniqin, Mariel Sotën, Rubin Hebejën dhe Redi Kaçanollin, sulmuesit e rinj të Apolonisë.

Arritja e marrëveshjes me Xhixhiuan e bën të pashmangshëm largimin e sulmuesit amerikan Zeitun Jozef, i cili nga burime të sigurta, do të shkojë të testohet në një skuadër tjetër të Kategorisë së Parë, jo shumë larg Fierit. Xhixhiua do të jetë blerja e dytë e Apolonisë gjatë kësaj vere, pasi më parë fierakët kanë siguruar edhe shërbimet e mbrojtësit Emiliano Hidri.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"