EKSKLUZIVE/ Apeli i Takajt: Ndryshoni ligjin pa ikur presidentët, ja pse futbolli shqiptar nuk luhet pa policë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2018 | 22:54

EKSKLUZIVE/ Apeli i Takajt: Ndryshoni ligjin pa ikur presidentët, ja pse futbolli shqiptar nuk luhet pa policë

Një ditë pas ndeshjes gjithçka është e qetë në stadiumin “Skënderbeu”, por ajo që la pas dhuna natyrisht që nuk kalon lehtë. Për atë çka ndodhi gjatë ndeshjes Skënderbeu-Partizani, ndoshta nuk ia vlen më të flasësh për futbollin e luajtur.

a takaj

I këtij mendimi është edhe presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, në prononcimin e dhënë për gazetën “Panorama Sport”. Takaj shprehet i tronditur nga ajo që ndodhi në minutën e 73- të të takimit, aq sa nuk mban mend se çfarë rezultati prodhoi ai takim. Në anën tjetër, presidenti i Skënderbeut thekson se Shqipëria ende nuk i ka plotësuar kushtet që të hiqen nga stadiumi forcat e policisë. Ky rregull është i dështuar që në start të sezonit.

Si president i Skënderbeut, a keni një reagim për atë çka ndodhi në ndeshjen e parë të sezonit në Korçë?

Sigurisht që po, dhe jam tepër i tronditur madje. Ajo që ndodhi në Korçë në atë takim është diçka që të lë shije të keqe dhe të bën që të mos mendosh për asgjë tjetër, por vetëm për atë skenë dhune. Është e pamendueshme, ku në të tilla kushte që ofron futbolli shqiptar në përgjithësi, të largosh policët nga stadiumi dhe të pretendosh të mbash rregullin me polici private.

Pse, çfarë nuk shkon me këtë rregull të ri?

Së pari, është diçka që ka një kosto financiare të papërballueshme nga të gjitha klubet në vend. Së dyti, nuk ka shoqëri private sigurie të ketë numër aq të madh punonjësish sa kërkon një ndeshje futbolli. Po ndalem më gjerësisht te kostoja. Imagjinoni se çfarë shpenzimesh janë këto për klubet shqiptare, në kohën kur edhe ne e kemi të pamundur të sigurojmë një numër të madh stjuartësh në stadium. I bie që me të gjitha këto shpenzime të mos mbulohet asgjë nga të ardhurat e klubit, por presidentët të shtojnë lekë nga xhepi për të mbyllur llogarinë me punonjësit. Kur kjo është e vështirë për Skënderbeun që ka një tjetër standard në kampionatin tonë, imagjinoni për klubet e tjera.

Pra, mund të themi që është një rregull i dështuar që në nisje?

Nëse është një rregullore e re, them se ka dështuar plotësisht. Nuk e di kush e ka kërkuar këtë gjë? Nëse ka qenë policia apo ndonjë tjetër, por nuk mund të vazhdohet kështu. Dhe të imagjinoni që kur ndodh në Korçë një gjë e tillë, që Korça ka qenë një nga fushat më të qeta, çfarë mund të ndodhë në fushat e tjera. Është gjithçka për t’u hedhur poshtë, pasi skena të tilla të shëmtuara do të kemi gjithmonë. Nuk është koha që të bëjmë këtë ndryshim, pasi së pari tifozët e ekipeve kanë një rivalitet shumë të madh dhe sjellin këto skena të tilla. Përveç kostos financiare, asnjë stadium nuk i ka kushtet perfekte për këtë ndryshim. Mungojnë shumë hallka derisa të vijë kjo pikë.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Dua të them që duhet të ndryshojë menjëherë ky rregull! Nuk është futbolli në Shqipëri ende gati për të bërë një lëvizje të tillë.

Skënderbeu, nga ana e vet, a i kishte marrë masat e duhura?

Ne organizimin e ndeshjes e bëmë të mirë dhe masat ishin ato që na lejonte mundësia të bënim, pasi një shoqëri private sigurimi nuk ka numër më të madh stjuartësh. Por, është diçka që nuk mund të kontrollohet me polici private. Ju e patë se si degradoi gjithçka dhe për fat të mirë u mbyll me aq, pasi nëse do të kishte vazhduar më shumë, atëherë do të kishim të bënim me ngjarje shumë më të rëndë që do t’i mbetej peng çdokujt.

Rrezikoni dënim për këtë takim, e mendoni një masë të tillë?

Nuk dua ta mendoj fare, pasi është gjëja e fundit që më shkon ndërmend. Nëse e shohin Skënderbeun si makinë eksperimentesh, atëherë në këtë rast jam dakord, por duhet që gjithçka të kthehet siç ka qenë. Nëse duam të flasim për futboll këtë sezon, ky rregull duhet të hidhet poshtë. Nëse duam të kujtojmë këtë kampionat për gjëra të tjera, atëherë le të vazhdojmë kështu. Unë e them me bindje se nëse këto skena të tilla vazhdojnë, nuk do të jetë e largët koha kur presidentët do të largohen nga klubet. Mendoj kështu, pasi së pari financiarisht kanë shumë peshë dhe së dyti, askush nuk investon për të parë skena të tilla. Unë kam kaq vjet që jam pjesë e futbollit në Shqipëri dhe e them me bindje se asnjëherë nuk jam ndier më keq sesa të premten në stadium.

Ia vlen të flasim për futbollin e luajtur?

As e çoj në mend të flas sot për futboll. E them seriozisht nuk jam në gjendje të flas, pasi nuk mbaj mend asgjë nga ndeshja pas minutës së 70-të. Madje as kush e bëri golin nuk e di. Nuk dua që të mbahet mend ky sezon për dhunën në stadiume dhe dashtë Zoti që të mos shkojë më keq se kaq ky sezon.

LLAZI SARO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"