EKSKLUZIVE/ Anulohet miqësorja mes Trabzonsporit dhe Kukësit , rrëfehet Duro: Në këtë merkato do të afrojmë vetëm…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2020 | 9:55

EKSKLUZIVE/ Anulohet miqësorja mes Trabzonsporit dhe Kukësit , rrëfehet Duro: Në këtë merkato do të afrojmë vetëm…

Kukësi vijon përgatitjet në Antalia të Turqisë prej datës 4 janar. Nënkampionët e Shqipërisë do të qëndrojnë deri më 17 janar në tokën turke. Përveç stërvitjeve, ekipi i drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro kishte planifikuar të zhvillonte dhe 3 ndeshje miqësore, madje me secilën prej tyre pati nënshkruar edhe kontratën e bashkëpunimit për këto përballje.shpetim duro

Ishte planifikuar që të zhvillohej më 7 janar (sot) miqësorja e parë kundër Trabzonsporit, me datë 11 me Malatiasporin dhe me 15 janar kundër ekipit rumun të Politeknika Lasit. Gazeta mëson se është anuluar miqësorja me Trabzonsporin me kërkesë të turqve, sakaq drejtuesit e Kukësit i kanë mirëkuptuar homologët. Por, kjo miqësore nuk i prish punë Kukësit.

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” është trajneri Shpëtim Duro ai që flet për ndeshjen e anuluar, gjendjen e skuadrës, përgatitjet dhe pritshmëritë e merkatos.

Miqësorja e anuluar – Në lidhje me anulimin e testit me Trabzonsporin trajneri Duro u shpreh: “Ato ditë që ne vendosëm për të zhvilluar një miqësore me Trabzonsporin është larguar trajneri dhe tani ata kanë filluar stërvitjen. Kështu që, data 7 janar ishte afër për ata. Ishte mirë se do të luanim me një skuadër të mirë, por edhe për ne do të ishte shumë shpejt. Tashmë kemi kohën e nevojshme të përgatitemi mirë për ndeshjet e tjera miqësore. Fokusi ynë është te përgatitjet, kërkojmë që skuadra të kapë formën më të mirë. Shoh preokupim, vullnet e dëshirë te lojtarët”.

Merkato – Sa i përket merkatos, Kukësi duket se do të afrojë vetëm një lojtar për të zëvendësuar sulmuesin Mirlind Daku të larguar. Këtë gjë e konfirmon dhe trajneri Duro, i cili e ka thënë dhe më parë se ekipin e ka të plotë dhe nuk ka nevojë për ndryshime. “Sa i përket merkatos, do të shikojmë alternativat për të zëvendësuar Dakun. Po i studiojmë, që të afrojmë alternativën më të mirë. Pjesa tjetër e ekipit është shumë mirë, ndaj nuk kemi nevojë.shpetim duro

Shpresoj shumë të mos kemi dëmtime, të cilat në pjesën e parë të kampionatit na kanë sjellë probleme. Natyrisht që pres shumë nga ekipi, pasi dihet që kemi kualitet, e tashmë që lojtarët i kanë kaluar problematikat që i shoqëronin, të mbyllim përgatitjet në mënyrën më të mirë të mundshme. Pastaj të nisim mbarë kampionatin për 2020-ën”, vijoi Duro për “Panorama Sport”.

Goditja e presidentit – Presidenti Safet Gjici mund të surprizojë me ndonjë goditje “big”. Ndonëse trajneri Duro e ka theksuar shpesh se nuk ka nevojë për shumë ndërhyrje në ekip, kur vjen puna te merkatoja presidenti Gjici është i paparashikueshëm. Nëse del ndonjë alternativë apo ndonjë futbollist me emër që me të vërtetë mund t’i shërbejë Kukësit, si në fushë ashtu dhe aspektin e imazhit, kreu i klubit është i pakursyer e provat i ka dhënë disa herë, si me Valdet Ramën, Shkurtajn apo Abazajn. Madje, në një prononcim të dhënë për gazetën para ndeshjes me Skënderbeun presidenti Gjici theksoi: “Sa i përket merkatos, me ‘kësmet’. Ju thashë që dua 3 pikët me Skënderbeun, pastaj të shohim, por Kukësi si një ekip elitar nuk është pa plan”.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"