EKSKLUZIVE/ Ankth te Besëlidhja, sulmuesi: Kam rezultuar me Koronavirus, gjendja këtu është shumë keq

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2020 | 8:15

EKSKLUZIVE/ Ankth te Besëlidhja, sulmuesi: Kam rezultuar me Koronavirus, gjendja këtu është shumë keq

Milan Gjorgjeviç nuk i ka shpëtuar dot Koronavirusit. Sulmuesi 34- vjeçar i Besëlidhjes ka dalë pozitiv me “COVID-19”. Ai gjendet në Serbi dhe për fat pohon se nuk ka pasur probleme me shëndetin, e megjithatë aktualisht është i karantinuar në shtëpi.

milan-gjorgjevic

Në një rrëfim për “Panorama Sport” ai tregon se si po e përjeton këtë virus dhe planet për të ardhmen me Besëlidhjen. “Me Besëlidhjen mbyllëm një sezon të mirë, por nuk mundëm të realizonim objektivat. Kemi fituar ndeshje shumë të vështira ndaj rivalëve direkt, por kemi lënë pikë ndaj skuadrave që janë renditur në minigrupin e luftës për mbijetesë. Kjo është e pafalshme. Sa i përket situatës, këtu në Serbi gjendja me Koronavirusin është shumë e rëndë.

Edhe unë kam dal pozitiv me ‘COVID19’, por për fat nuk kam probleme me shëndetin. Jam i karantinuar në shtëpi dhe po pres të më bëhen testet për të parë gjendjen. Ky sezon ishte i vështirë për të gjithë futbollin në botë. Situata nuk po ndryshon dhe dyshoj që edhe edicioni tjetër do të ketë të njëjtin fat, ndoshta dhe më keq. Unë mendoj se UEFA ka gabuar që ka lejuar të nisë kaq shpejt.

Beselidhja goli

Koronavirusi është shumë agresiv dhe futbollistët nuk kanë pushuar. Dëshira ime është që të kthehem dhe të luaj në Shqipëri, por nuk e di se si do të shkojë kjo situatë. Edhe këtu në Serbi e kemi të vështirë të luajmë, pasi aktiviteti elitar ka nisur. Mundësia e vetme është që të luaj në ligën e parë ose të dytë.

Në Lezhë kemi kaluar shumë mirë me të gjithë, veçanërisht me presidentin Gjok Noka, i cili edhe gjatë 10 javëve të karantinës është kujdesur shumë për ne”, deklaroi serbi për “Panorama Sport”.

PRENG GJIKOLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"