EKSKLUZIVE/ Analiza e legjendës Sulejman Demollari: Ja çfarë i duhet Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2022 | 22:14

EKSKLUZIVE/ Analiza e legjendës Sulejman Demollari: Ja çfarë i duhet Dinamos

Ndryshe nga rivalët e saj në letër, Dinamo e nisi me fitore kampionatin në Kategorinë e Parë dhe ky është një tregues pozitiv për objektivin e kthimit të shpejtë në Superiore. Blutë bënë detyrën ndaj Orikut, shënuan dy herë dhe nuk pësuan.

demollari (1)

Edhe këta tregues e plotësojnë portretin e skuadrës së trajnerit Nevil Dede si pretendente kryesore për të fituar Kategorinë e Parë. Pati edhe momente kur Dinamo nuk bindi në lojë, por si ndeshje e parë, para tifozëve dhe me presionin e rezultatit, kjo është e pranueshme. Në një kampionat si ky, ku blutë e shohin veten kalimtarë, rëndësinë më të madhe e kanë rezultatet.

ISH-KAPITENI – Në tribunën e “Selman Stërmasit” nuk munguan fundjavën që shkoi dinamovitët e shquar, Faruk Sejdini, Selejman Demollari, Artur Çobani dhe ndonjë tjetër. Ata nuk i ndahen skuadrës së zemrës në asnjë kategori. Sulejman Demollari, ish-lojtari legjendar dhe ish-trajneri i Dinamos, për “Panorama Sport” thotë shkurt se mjafton vetëm që skuadra të fitojë, të tjerat pak rëndësi kanë.

“Po, e pashë ndeshjen e parë të Dinamos me Orikun dhe mund të them se ka rëndësi që e nisi mbarë. Ka rëndësi që fitoi, kaq do të thosha. Le t’i fitojnë të gjitha ndeshjet ashtu si me Orikun dhe të sigurojnë sa më parë ngjitjen në Superiore”, u shpreh fillimisht Demollari për gazetën.

SYNIMI- Ndoshta loja mund të mos i ketë pëlqyer shumë legjendës blu. Ai dhe gjithë figurat e njohura të Dinamos, si dhe tifozët pa dyshim, pësuan një zhgënjim të madh sezonin e kaluar, kur skuadra ra nga kategoria, edhe pse për të u investua shumë.

“Shikoni, ne dinamovitët mezi presim që Dinamo të kthehet sa më parë në Superiore dhe të luajë me Partizanin apo skuadra e tjera. Prandaj dhe them se për Dinamon në këtë kategori është e rëndësishme vetëm të fitojë ndeshjet e saj. Këtë fundjavë shkon në Korçë, luan me Skënderbeun, një ekip rival, dhe do të shohim si do të shkojë.

Shpresojmë sa më mirë”, shtoi më tej Demollari. Kryeqytetasit janë të fokusuar tashmë te transferta e së dielës me Skënderbeun. Kjo përballje me një skuadër rivale do të tregojë më mirë forcën e bluve. Fusha ku do të luhet është komode dhe Dinamo synon të marrë trepikëshin e radhës, duke e vlerësuar maksimalisht Skënderbeun. Trajneri Nevil Dede, me përjashtim të Indrit Prodanit, i ka të gatshëm të gjithë futbollistët për këtë transfertë.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"