EKSKLUZIVE/ “Amerikani” Lika: Partizani ka humbur qetësinë, duhet t’i besonte… Gegës (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2019 | 23:11

EKSKLUZIVE/ “Amerikani” Lika: Partizani ka humbur qetësinë, duhet t’i besonte… Gegës (E PLOTË)

“Nuk jam akoma i diasporës. Jam ende Hasani nga Tirana”. Trajneri që në dy dekadat e fundit ka drejtuar Partizanin, Teutën, Vllazninë, Luftëtarin, Kukësin, Lushnjën, Besën, Apoloninë dhe Kombëtaren U-21 e nis bisedën ekskluzive për “Panorama Sport” me një batutë.

lika-hasan-vllaznia-770x465

 

Prej pak muajsh 59- vjeçari është zhvendosur në Amerikë me familjen, natyrisht për një jetë më të mirë. I kontaktuar nga gazeta, Lika pranon t’i bëjë një analizë kampionatit shqiptar, duke prekur disa nga temat më të nxehta, por mbi të gjitha për t’u ndalur te Partizani, skuadrës që i kushtoi karrierën si lojtar dhe më pas në periudha të ndryshme e drejtoi si trajner.

“E kam ndjekur kampionatin, por jo dhe aq shumë, sepse kur luhen ndeshjet më rastis që jam në punë këtu në Amerikë. Por, gjithnjë marr leje dhe mundohem të shikoj nga telefoni ndonjë pjesë loje ose më tepër. Ndeshjet e fundit që kam ndjekur janë Partizani-Teuta dhe ato të Kombëtares”, tregon Lika, i cili deri në muajin mars të këtij viti ishte trajner i Vllaznisë.

Zoti Lika, çfarë ju bën përshtypje kur shikoni renditjen pas 7 javëve kampionat?

Shumë skuadra kanë bërë ndryshime të mëdha në krahasim me sezonin e kaluar dhe për disa prej tyre gjërat kanë shkuar shumë mirë, ndërsa për të tjerat jo dhe aq. Megjithatë, nuk mund të themi se është vërtet një barometër kjo renditje aktuale, pasi kanë kaluar vetëm 7 javë dhe jemi ende në fillimin e kampionatit. Diferencat janë shumë të vogla. Më vjen mirë për Vllazninë, që ka bërë ndryshime të mëdha, por kjo sigurisht që ishte normale, pasi ekipi vinte nga Kategoria e Parë. Për mua befasi është Bylisi, një ekip që meriton vërtet komplimente.

Hasan Lika

Mendoni se është një rastësi që kemi katër skuadra në krye apo do të ketë ndryshime javë pas jave në renditje?

Shikoni, disa ekipe, edhe pse mund të kenë luajtur mirë, nuk kanë marrë pikët që kanë merituar. Por, ka pasur edhe të tjera, që nuk është se kanë bërë ndonjë paraqitje mbresëlënëse, por në fund të fundit kanë marrë rezultate pozitive. Nuk mendoj se kanë luajtur keq ekipet që janë më poshtë skuadrave që krye “ sojnë tabelën. E thashë, diferencat janë shumë të vogla dhe për disa skuadra ndoshta duhet ende kohë që të harmonizohen, prandaj dhe kemi këtë situatë.

Vllaznia që ju keni drejtuar sezonin e kaluar, edhe pse me një organizim të vonuar dhe mes shumë problematikave për financat, tashmë e sheh veten në krye. Ju ka befasuar ecuria e shkodranëve?

Më bëhet qejfi. Stafi besoj e ka pritur një ecuri pozitive, por ndoshta jo që ekipi të jetë kaq mirë. Besoj se janë të ndërgjegjshëm se është vetëm fillimi dhe duhet të tregohen shumë të kujdesshëm për vazhdimësinë. Vllaznia ka ruajtur një bazë të vogël nga sezoni i kaluar dhe afrimet e shumta që ka bërë, duket sikur janë përshtatur shpejt. Këto rezultate të mira natyrisht nuk janë të rastësishme.

Drejtuesit shkodranë i besuan një trajneri të huaj, duke hequr dorë nga ata vendës, të cilët kanë pasur probleme nga më të ndryshmet vitet e fundit në drejtimin e Vllaznisë…

Çdo trajner ka probleme nga më të ndryshmet në ecurinë e tij, por mund të them se Mirsad Jonuz është një teknik me eksperiencë. Mbi të gjitha është një trajner shumë i mirë, kështu që në këtë ecuri pozitive të Vllaznisë, ai ka meritën e tij. Nuk është e lehtë që ta marrësh drejtimin e një skuadre si Vllaznia dhe me aq ndryshime të harmonizosh grupin kaq shpejt. Mendoj se Vllaznia ka vendosur një bazë të mirë për ecurinë e mëtejshme. Afrimet që kanë bërë kanë rezultuar të goditura

Të kalojmë te Partizani që vazhdon të dominojë derbin, por që ende nuk bind në këtë start të sezonit…

E ndoqa me interes derbin. Mendoj se ishte një ndeshje e ekuilibruar dhe me një nivel të mirë loje nga të dyja skuadrat. Partizani si gjithmonë ka qenë superior në derbi dhe këtë herë fati i buzëqeshi sërish. Nuk mund ta fshehim që në këto 5- 6 vitet e fundit, Partizani ka pasur diçka më shumë se Tirana për të fituar derbet. Nisur nga kjo traditë e mirë, ata vazhdojnë të fitojnë me këtë psikologji, plus edhe vlerave që kanë si skuadër, qoftë nga përbërja e lojtarëve dhe stafi.

Hasan Lika, trajneri i Partizanit

Tirana humbi ndaj dy rivalëve direkt për titullin dhe më pas la pikë edhe ndaj Flamurtarit të vendit të fundit. Si e shpjegoni?

Unë mendoj se Tirana ka një ekip më të mirë se sezonin e kaluar dhe është pak më e qetë. Shikoj që aty e fusin veten vetë në krizë. Nuk mund ta bëjnë këtë, në një kohë që është vetëm fillimi i kampionatit dhe diferenca me vendin e parë është e papërfillshme.

Drejtuesit e Tiranës e rikonfirmuan trajnerin Mema. Vendim i drejtë?

Po, patjetër. Në syrin tim, Mema ka bërë një punë shumë të mirë, duke filluar që nga sezoni i kaluar dhe deri më tani. Tirana duhet të jetë e kujdesshme, sepse mbi të gjitha ka një kontigjent të mirë lojtarësh dhe me eksperiencë. Nuk ka pse e rëndon kaq shumë situatën, në një kohë që pas dy-tri fitoreve që mund të bëjë, atëherë çdo gjë do t’i kthehet në favor.

E shikoni Tiranën pretendente për titull këtë sezon?

Personalisht shikoj disa skuadra që do të luftojnë deri në fund për titullin. Partizani, Tirana, Kukësi dhe Teuta do të jenë në lojë. Edhe Vllaznia besoj se do të luftojë për Kupat e Europës, bashkë me ndonjë skuadër tjetër.

Nuk shikoni ndonjë ekip që në letër është favorit ose ka diçka më tepër se të tjerët?

Për këtë mund të flasim më konkretisht dhe për t’i dhënë më tepër kredite një skuadre vetëm pas përfundimit të fazës së dytë. Në këtë moment që është kampionati, gjërat më duken të paparashikueshme. Unë tashmë që flas nga larg, ndoshta nuk i shikoj gjërat edhe aq mirë, por si një trajner mund të them se është herët për të folur për favoritë. Është vetëm fillimi dhe ekipet janë shumë afër me pikë.

Lika

Çfarë shije ju la largimi i Skënder Gegës nga Partizani?

Gega bëri një punë të jashtëzakonshme te Partizani, të shkëlqyer do të thosha. Ai ka meritën e madhe që riktheu titullin kampion pas 26 vitesh, me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të klubit për sezone me radhë. Sigurisht, meritë kanë të gjithë te Partizani, por nga ana teknike, vlerat gjithmonë i shkojnë trajnerit e më pas zbresin te futbollistët, për t’iu bashkuar stafit drejtues.

Nuk e di se çfarë ka ndodhur në verë, pasi normalisht edhe unë u befasova që iku Gega. Nga sa jam informuar, sigurisht që ka pasur diçka mes palëve sa i përket të ardhmes. Si duket kanë pasur mendime të ndryshme. Mua më vjen keq që ndodhin përsëri këto gjëra, sepse edhe dikur gjithmonë janë larguar trajnerët kampionë.

Pra, nuk janë lënë të qetë për të vazhduar punën dhe për të shpalosur projektin që kanë pasur në kokë. Mirë do të ishte që Gega të qëndronte dhe t’i jepej besimi i plotë nga drejtuesit, por kështu e kanë menduar. Ndoshta kanë gjykuar se me një trajner të huaj, siç dhe kanë pasur më parë, gjërat do të ecnin më mirë. Shpresoj që këtë herë të ecin gjërat realisht, sepse herët e tjera nuk kanë shkuar ashtu si duhet me trajnerë të huaj te Partizani.

Drejtuesit i kanë besuar italianit Lerda, i cili në krahasim me atë që është bërë në sezonin e kaluar deri në javën e 7-të, i ka kundër të gjitha statistikat…

Lerda është një trajner me eksperiencë, pavarësisht problemeve që ka pasur apo menaxhimit që i ka bërë situatës deri më tani. Vërtet Partizani ka pasur oshilacione, por të gjitha këto ndryshime që janë bërë, kanë ndikimin e tyre. Sigurisht që në një ekip futbolli duhet të jetë trajneri që vendos për lojtarët dhe këta të fundit duhet të zbatojnë detyrat.

Kam parë situata të ndryshme me Asanin apo ndonjë lojtar tjetër, por dua të them se çdo gjë që bën trajneri, e bën duke u nisur për mirë.

lika

Ai e mendon teknikisht situatën dhe ka të drejtë, kështu që duhet respektuar trajneri në këtë drejtim. Sa i përket ecurisë së deritanishme, natyrisht janë thjesht statistika, por ndryshimet i sjellin gjithnjë këto situata, ndonjëherë për mirë dhe ndonjëherë për keq. Gjithsesi, nuk mund të bëhet dramë, sepse Partizani është vetëm një pikë larg kreut. Mundësitë janë të mëdha për të qenë sërish në majë.

Ky Partizan është më i fortë apo më i dobët se sezoni i kaluar?

I duhet kohë për t’u bërë i fortë këtë sezon. E them këtë, sepse Partizani e kishte një bazë vjet. Merita e Gegës ishte se i dha qetësinë e duhur ekipit, duke i menaxhuar shumë mirë situatat. Gega e qetësoi shumë Partizanin, ndërsa tashmë është e kundërta. Këtë sezon Partizani nuk më duket i qetë, ka më tepër zhurmë dhe diskutime. Duke qenë ekip kampion, natyrisht do të ketë edhe zhurmë, por unë mendoj se duhet kohë për të parë një Partizan të frikshëm.

Ndryshimet janë bërë për më mirë. Pastaj, edhe ekipet e tjera janë forcuar shumë, kështu që ka kohë edhe për përmirësime. Nëse nuk do të ishte një trajner i huaj, ndoshta do të kërkonte të mbante bazën e vjetshme te Partizani, duke bërë ndonjë ndryshim të vogël. Këto janë tashmë problemet e Partizanit, pasi kërkohet qetësia e duhur dhe vlerësim teknik, pa shumë emocione dhe tifozllëk.

Mbrojtja e titullit do të jetë shumë më e vështirë për të kuqtë?

Partizani ka vuajtur në njëfarë mënyre deri më tani ndonjë problem me titullarët, dëmtime apo mosmarrëveshje me trajnerin. Të gjitha këto do të stabilizohen, sepse Partizani e ka forcën për t’u qetësuar dhe për të dhënë maksimumin në vazhdimësi. Vështirësi ka natyrisht, por unë besoj se do të ecë përpara.

lika

Nuk duhet të harrojmë se edhe të tjerët janë forcuar shumë, prandaj dhe duhet të kuptojmë se Partizani ka dalë vjet kampion me kundërshtarë të tjerë në sezonin që lamë pas. Këtë sezon rivalët i ka më të fortë, por kjo mbetet për t’u parë. Sigurisht Partizani është i frikshëm për të tjerët, por edhe rivalët janë përforcuar ndjeshëm.

A mund të bëhet sulmuesi Solomom një “sozi” e Ekubanit te Partizani?

Duket që është një qendërsulmues shumë i fortë dhe nuhatës, por nuk e kam ndjekur me aq vëmendje për të thënë një mendim të saktë.

Miku juaj, Starova, u largua nga Laçi…

Nëse ka një ekip që ka ndryshuar komplet është Laçi, prandaj dhe vështirësia qëndron te harmonizimi i lojës. Nëse një ekip tjetër e ka marrë më shpejt rezultatin, e sigurt është që edhe Laçit do t’i vijë më vonë. Vërtet Laçi nuk po fiton, por e rëndësishme është që edhe nuk po humbet.

Me lojërat që kanë bërë, disa herë kanë qenë afër fitores. Isha i bindur që Laçi do t’i rriste pretendimet në vazhdimësi me dy-tri fitore, aq më tepër që kishte një trajner si Starova, që ka eksperiencën e duhur. Por, më vjen keq që është larguar nga skuadra kaq shpejt. Nuk e di çfarë ka ndodhur.

likaa

Kur shikon renditjen nga fundi dhe aty është Flamurtari dhe gjithashtu Luftëtari, një ekip që ju e keni drejtuar dy sezone më parë, çfarë mendoni?

Me aq probleme të mëdha sa ka pasur Vlora, sigurisht që do të shfaqeshin një ditë edhe këto rezultate. Vërtet Flamurtari mund të bëjë përpjekje, por nuk është e lehtë për skuadrën në fushë. Më vjen keq që nuk po i shkojnë gjërat siç duhet edhe Luftëtarit, pasi janë bërë disa ndryshime në klub.

Keqardhje që në dy ndeshjet e fundit kanë pësuar gola në minutat shtesë. E shoh të vështirë luftën për mbijetesë, jo vetëm për Flamurtarin dhe Luftëtarin, por edhe për ekipe të tjera që do të futen në këtë valle. Ndeshjet do të bëhen edhe më të forta në vijim.

JORGIS MEMO- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"