EKSKLUZIVE/ Alban Bushi: Durmishajn do ta përzënë nga Greqia, më kërkoi falje. Duhet të jetë si Mesi që…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2019 | 23:42

EKSKLUZIVE/ Alban Bushi: Durmishajn do ta përzënë nga Greqia, më kërkoi falje. Duhet të jetë si Mesi që…

Alban Bushi jep me sazhe të qarta për Fiorin Durmishajn. Nuk e bën këtë në cilësinë e trajnerit të Kombëtares Shpresa apo si njeriu që e njeh mjaft mirë sulmuesin shqiptar.  Bushi

E bën si një njohës i mirë i futbollit grek, i mentalitetit në vendin fqinj dhe si një njeri që gjysmën e karrierës së tij e ka kaluar pikërisht në Greqi. Është dikush që vazhdon të ketë ende fansa aty, por edhe shumë miq.

E nëse Durmishaj nuk e beson Bushin, mjafton të shikojë atë që u ka ndodhur shqiptarëve të tjerë si Stefano Kapino dhe Andrea Tato… Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Alban Bushi tregon bisedat e fundit me Fiorinin dhe thumbon grekët: Të jemi të lumtur që zgjedhin shqiptarë…

Alban, mund ta themi zyrtarisht që Fiorin Durmishaj është lojtar i kombëtares greke?

Mendoj se zyrtarisht nuk është. Kur të luajë ndeshjen e parë me Greqinë, atëherë mund ta quajmë të tillë.

Bushi

Por në Greqi janë të sigurt dhe thonë se do të luajë në dy ndeshjet e para eliminatore.

Unë kam ngelur shumë i zhgënjyer, me thënë të drejtën, sepse e kam njohur mjaft mirë atë. Ai kurrë nuk ka pasur ndër mend që të luante me Greqinë, me aq sa unë kam folur.

Çfarë kishit folur gjatë kësaj kohe kur ishte futbollist i Kombëtares U-21?

Ai ka qenë gjithmonë shumë i gatshëm për të luajtur me Kombëtaren shqiptare. Ai ishte disponibël gjithmonë dhe në shtator, kur na u dëmtua Vrioni, u nis gjithë natën nga Greqia dhe erdhi në Spanjë për të luajtur me ne.

Ajo duket se ishte dhe do të jetë ndeshja e fundit e tij me fanellën kuqezi.

Po. Aty ka luajtur për herë të fundit me Kombëtaren. Ishte shumë i gatshëm për të luajtur për Shqipërinë dhe e priste me padurim një ftesë nga Kristian Panuçi.

durmishaj

Kur keni folur me të për herë të fundit?

Kam kontaktuar me Durmishajn pasi ai vendosi që të luante me Greqinë. Le ta themi kështu, sepse diçka e tillë thuajse është fakt. Më tha: “Trajner, e vendosa… Dua të më falësh”. Nuk më dha asnjë shpjegim tjetër se si ka qenë situata dhe pse e mori këtë vendim. Kam folur përpara 3 ditësh me të.

Çfarë i thatë?

I thashë që mos është nxituar për këtë vendim që ka marrë, që ne këtu në Shqipëri e presim dhe duam që ai të luajë për fanellën e kombit të tij. Por ai, me sa pashë, e kishte vendosur, por deri sa të vijë dita për të luajtur, mund të ndryshojë mendim.

Mendoni se është vendimi më i mirë që ka marrë?

Mendoj se nuk ka vepruar mirë. Unë kam luajtur 6-7 vite në Greqi dhe e njoh mjaft mirë situatën e futbollit aty. Grekët e morën dhe grekët do ta përzënë sërish. Shpresoj që ai ta ketë karrierën sa më të mirë dhe këtë ia uroj nga zemra. Ai është një lojtar i mirë dhe mendoj që do të bëjë karrierë.

Pse zgjodhi Greqinë? I bënë presion, premtime apo oferta?

Nuk mendoj se ka pasur presion. Kam folur edhe me menaxherin e tij gjatë kësaj kohe, sepse është i njëjti që ka Vrushajn. Edhe ky i fundit do të luajë me kombëtaren U-21 të Greqisë. Më vjen çudi që këta lojtarë zgjedhin Greqinë sepse sado të luajnë, nuk mund të jenë më shumë se 2-3 shqiptarë. Sepse grekët s’mund ta bëjnë kombëtare shqiptare.

Po Greqia pse e bën këtë? Mos ndoshta për të treguar se është më e fortë se Shqipëria?

Durmishaj te Greqia do të luajë vetëm nëse bën diferencë shumë të madhe në fushë. Nëse është njëlloj me një grek, mendoj se nuk do të ketë shanse që të luajë. Është vendim i gabuar i tij. Unë e njoh mirë ambientin atje.

Për çfarë e keni konkretisht fjalën?

Më vjen habi me grekët. Që futbolli grek t’i varë shpresat te shqiptarët, do të thotë se kanë rënie të madhe dhe nivel të dobët. Nëse ka ardhur puna në këtë pikë, atëherë duhet të jemi të lumtur.

Pse mendoni se ka gabuar Durmishaj?

Sepse kombëtarja e Greqisë nuk është se të reklamon më shumë sesa ajo e Shqipërisë. Ajo është thjesht kombëtare. Ai ishte lojtar i Panioniosit dhe nesër, pasnesër shitej te Lacio, për shembull si Strakosha dhe do të shkëputej njëherë e mirë nga Greqia. Nuk e di, ndoshta edhe prindërit duhet të ndikonin në zgjedhjen që bëri. Ne na vjen keq se ishte lojtari ynë.

Po te Shqipëria do ta bënte diferencën në sulm?

Shiko, ai është lojtar shumë i mirë. Shqipëria nuk është se ka nevojë për Durmishajn apo për lojtarë të tjerë. Qoftë ai apo kushdo tjetër, Shqipëria do të ngelet e njëjta. Por atij do t’i jepte më shumë kënaqësi fanella kuqezi.

Çfarë të dhënash kishte si sulmues Durmishaj?

E them që më vjen keq, sepse ai me Kombëtaren U21 bëri vetëm një ndeshje me mua. Luajti në Islandë ku bëri një paraqitje fantastike me 1 gol dhe 2 asiste. Pjesën tjetër të kohës ka qenë i dëmtuar dhe gjithmonë e kam thënë se ishte lojtar i fortë. Erdhi shansi që Panuçi ta grumbullonte, por ai nuk erdhi.

Mund të krahasohet me rastin Kaçe, i cili ndryshe nga Durmishaj zgjodhi Shqipërinë?

Unë e njoh mirë edhe atë rast. Për Kaçen, në fakt, diskutohej që do ta merrnin në kombëtare, por Durmishajt ia kanë bërë fakt të kryer, që hajde sepse do të luash në formacion. Kaçe ishte i vendosur për Shqipërinë dhe unë e takova vetë.

Dëshira e lojtarit është shumë e rëndësishme në një zgjedhje. Le ta shohim pak anën tjetër të medaljes. Mos ndoshta ne nuk ishim të përgatitur për këtë gjë dhe nuk i kushtuam shumë rëndësi?

Po ne çfarë të mendojmë në fillim? Të mendojmë për ndeshjet, për rezultatet apo për të marrë lojtarët dhe t’i djegim që të mos luajnë dot me ekipet e tyre. Ai është shqiptar dhe nuk kishim pse përdornim këto strategji. Ai që të do me zemër, vjen luan. Ne nuk marrim njeri me zor. Nëse dikush është si Mesi, do të ikim t’i rrimë poshtë shtëpisë…

GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"