EKSKLUZIVE/ Akuzat për ndërhyrje e trukime, reagon presidenti i eventit: Liga Unike është e pavarur, nuk mbajmë askënd me zor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2021 | 18:50

EKSKLUZIVE/ Akuzat për ndërhyrje e trukime, reagon presidenti i eventit: Liga Unike është e pavarur, nuk mbajmë askënd me zor

Një ditë më parë, kreu i Teutës, Arqile Gorea, tronditi me disa akuza të rënda në drejtim të Ligës Unike dhe jo vetëm ndaj saj. Drejtuesi i lartë i skuadrës bregdetare kontestoi mënyrën e përzgjedhjes së arbitrave, ndërsa akuzoi krerët e Federatës Shqiptare të Basketbollit se po ndërhyjnë në kompeticionin mbarëkombëtar, ndërhyrje për të cilat Gorea beson se kanë lidhje me trukime dhe manipulime të ndeshjeve në baste.

pjimage (62)

Pas këtyre akuzave të forta, gazeta “Panorama Sport” ka kontaktuar me presidentin e Ligës Unike, Ilir Trebickën. Ky i fundit mohon kategorikisht që në ligë të ketë ndërhyrje, duke e konsideruar këtë institucion të pavarur.

PËRZGJEDHJA E ARBITRAVE – Ilir Trebicka, presidenti i Ligës Unike, fillimisht jep opinionin e tij, duke sqaruar mënyrën e përzgjedhjes së arbitrave: “Ky është qëndrimi im personal për këtë çështje, duke qenë se nuk po flas në emër të bordit, pasi nuk jemi mbledhur. Procedura e përcaktimit të arbitrave është e qartë dhe shumë e pastër. Ka një komisar garash, që është Bashkim Milo, i cili bashkë me një përfaqësues të emëruar nga liga, që është nga Kosova, vendosin për arbitrat që do të gjykojnë garat e radhës. Gjyqtarët janë miratuar nga të dyja federatat dhe janë dërguar te liga. Ne kemi një listë me arbitra, të cilët mund t’i përdorim, në kuptimin e mirë të fjalës, për të arbitruar ndeshjet e Ligës Unike.

Pra, është një procedurë e pastër dhe nuk mund të flitet as që është pjesë Federata Shqiptare, as ajo e Kosovës, gjithashtu nuk jam pjesë as unë apo ndonjë anëtar tjetër i bordit. Unë nuk e di se cilët janë arbitra dhe as nuk kam pyetur ndonjëherë, di vetëm që kemi miratuar një listë arbitrash dhe një procedurë për caktimin e tyre. Kaq mund t’ju them”, shprehet ish-basketbollisti i mirënjohur, i cili mban rolin e presidentit në Ligën Unike, kompeticionit të përbashkët me skuadra nga Shqipëria dhe Kosova.

Ndërkohë, në lidhje me kërkesën e Teutës, që konsiston në publikim e arbitrave dy ditë para ndeshjeve dhe për njohjen e së drejtës për të refuzuar “X” arbitër, Trebicka sqaron: “Liga Unike ua ka dërguar të gjitha klubeve statutin dhe procedurat, kështu që çdo gjë është e qartë. Nëse z.Gorea nuk ka qenë dakord me këto procedura, mund t’i thoshte dhe të bënte një ankimim në ligë, në mënyrë që ta diskutojmë dhe t’i japim përgjigje. Me mua ai bisedon, por e bën privatisht, por ankesë zyrtare për çështjen e arbitrave unë nuk kam, as për ankesën tjetër që ai ka për ndërhyrje nga ana e Federatës Shqiptare”.

“LIGA UNIKE, E PAVARUR” – Për presidentin Ilir Trebicka, nuk ka asnjë dyshim, Liga Unike është një institucion i pavarur dhe pa asnjë ndërhyrje: “Më të pavarur se kaq nuk e di çfarë të them. Jemi një institucion privat, të gjithë anëtarët janë privatë, nuk kemi asnjë lidhje nga federatat, të cilat miratojnë vetëm buxhetin. Për të gjitha të tjerat miratohen shpenzimet në fund dhe më të pavarur se kaq nuk e di çfarë mund të shtoj”.

BASTET Për sa i përket deklaratës së kreut të durrsakëve, i cili beson se ndërhyrjet për arbitrat nga drejtuesit e FSHB-së bëhen për trukime dhe manipulime për baste, presidenti i Ligës Unike shkurtimisht u shpreh: “Nuk më intereson fare kjo pjesë dhe më duket komplet jashtë logjikës. Nuk e di nëse ka të drejtë apo jo në ato që thotë, por unë për vete nuk kam parë dhe nuk kam dëgjuar gjë”.

TËRHEQJA NGA GARA – Në fund drejtuesi më i lartë i Ligës Unike komentoi edhe kërcënimin me tërheqje nga gara të Teutës, në rast të mosplotësimit të kërkesave të parashtruara: “Z.Gorea i kam thënë: ‘Nëse dëshiron të largohet, largohu’. Ne me zor nuk mbajmë njeri në ligë. Secili përfaqëson klubin e tij. Liga ka disa sanksione, do t’i marrë dhe kaq. Pse duhet t’i mbajmë me zor ne njerëzit kur kanë akuza kaq të forta?”, përfundoi presidenti i Ligës Unike, Ilir Trebicka.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

LEXONI EDHE:

EKSKLUZIVE/ “FSHB po fut hundët me arbitrat, tërhiqemi nëse…”, bixhoz dhe në basketboll, presidenti i Teutës plas “bombën”: Ja si po trukohet (E PLOTË)

Basketboll/ Liga Unike, jep dorëheqjen në mënyrë misterioze drejtori

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"