EKSKLUZIVE/ Akuzat ndaj grekëve, Veli: Gjoza përçarës dhe i rrezikshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2022 | 18:57

EKSKLUZIVE/ Akuzat ndaj grekëve, Veli: Gjoza përçarës dhe i rrezikshëm

Në serinë e akuzave të Elez Gjozës në drejtim të Pirro Dhimës dhe Federatës Greke të Peshëngritjes ishte edhe pranimi pa lejen e FSHP-së në kampionatin helen të sportistëve shqiptarë, me Gjozën që serviri edhe disa foto e video të një gare në Greqi të Evangjelia Velit dhe Herslion Ismailanjit. Por pas kësaj ka ardhur reagimi i Velit, e cila në një deklaratë për “Panorama Sport”, ka sqaruar prezencën e saj në eventin e mbajtur në Greqi, teksa gjithçka e lidh me një tragjedi:

Veli

“Më vjen shumë keq që Gjoza po tregon se sa njeri i vogël është dhe sa shpirt të vogël ka me këto gjëra që po thotë dhe po përmend. Në radhë të parë, unë nuk kam marrë pjesë në asnjë kampionat grek, në asnjë kampionat të organizuar nga Federata Greke e Peshëngritjes. Në prillin e kaluar ka ndodhur një fatkeqësi, ku në Selanik është vrarë një 19- vjeçar, një djalë me emrin Alqi. Ishte një djalë grek, i cili u vra nga disa shqiptarë, pas një ndeshjeje futbolli, duke u pyetur se kë skuadër përfaqëson. Në momentin që tregoi se cilën skuadër mbështet, atë e rrahën për vdekje”, deklaron peshëngritësja, e cila thotë se kampionati që pretendon Gjoza ishte një event solidarizues për ngjarjen e rëndë që kishte ndodhur: “Pas këtij rasti, të gjithë njerëzit, por sidomos ata nga sporti, duhet të bënin diçka, sepse në radhë të parë ishte një gjë shumë e keqe për sportin, jo vetëm në Greqi, por kudo. Për të treguar se sporti është i bukur, i bashkon njerëzit, është për kulturë dhe është për të mbajtur gjallë, duke marrë shkas nga kjo ngjarje e rëndë, u bë një event edhe në peshëngritje.

Një aktivitet jo nga federata, por një event solidarizues privat, për të mbledhur para për familjen e djalit që kishte ndërruar jetë. Në atë garë, unë mora pjesë si shqiptare, si një sportiste olimpiste e nivelit të lartë dhe isha atje për të treguar se sporti bashkon shqiptarët, grekët, të bardhët apo personat me ngjyrë. Nuk kishte asnjë lidhje federata”, shprehet Evangjelia, e cila më tej nuk i kursen akuzat për kreun e federatës shqiptare, duke e quajtur një njeri të rrezikshëm për postin që përfaqëson: “Më vjen shumë keq që Gjoza po përdor këtë gjë, duke vazhduar që të gënjejë dhe të hedhë baltë mbi emrin tim, mbi federatën greke, të vazhdojë këtë debat duke treguar se sa racist është. Po vazhdon të tregojë se është duke bërë diçka që nuk ka lidhje me sportin, por me sa duket, ka me politikën dhe gjëra që ai shikon jashtë sportit. Me këto veprime po tregon se është një njeri shumë i rrezikshëm për pozicionin që ka. Në drejtim të federatës dhe në sport duhet të jenë njerëz që të qëndrojnë afër sportistëve, të bashkojnë fëmijët, sepse sporti niset që në fëmijëri, duhet që të bashkojnë njerëzit. Nuk duhet të bëjnë dallime, grekë apo shqiptarë, kinezë apo bullgarë.

Nuk duhet të bëjë dallime të bardhë apo me ngjyrë, pasi në sport jemi të gjithë njësoj. Pikërisht ky është edhe kuptimi i Lojërave Olimpike, aktivitet që shërben për t’i afruar njerëzit, ku bëheshin olimpiadat, ndalonte edhe lufta. Por të përmendësh një rast të tillë kur është vrarë një djalë dhe ta kthesh për diçka kaq të ulët, për mua tregon edhe një herë se sa racist është ky njeri. Të jeni të sigurt që nuk është racist vetëm në këtë rast, por edhe në shumë gjëra të tjera”, përfundon deklaratën e saj Veli.

ARTIN LLESHAJ -PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

“U kapën me stanozolol, akuzohen edhe nga shtangistët e tyre”, Elez Gjoza: Pirro Dhima xheloz, kanë 14 vjet pa medalje

“Gjoza është shaka, nuk kemi nevojë për të”, Pirro Dhima reagon pas akuzave: Shqiptarët më trajtojnë si tradhtar dhe ky është justifikimi i tij

Federata e Peshëngritjes pezullon Evangjeli Velin, ka akuza për vëllain e Pirro Dhimës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"