EKSKLUZIVE/ Akuzat e Jani Kaçit, përgjigjet Xhambazi: Iku koha e moralit, ja pse protestova pas dënimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2018 | 20:15

EKSKLUZIVE/ Akuzat e Jani Kaçit, përgjigjet Xhambazi: Iku koha e moralit, ja pse protestova pas dënimit

Një nga sulmuesit më të mirë të historisë së Skënderbeut, Dhimitraq Xhambazi, ka folur dje për “Panorama Sport” lidhur me situatën në klubin korçar. Goditja që bardhekuqtë morën nga UEFA ka dhënë efektet e veta, pasi plot shtatë titullarë nuk janë më pjesë e skuadrës, e për më tepër as trajneri Ilir Daja, që udhëhoqi Skënderbeun drejt titullit.

Pas deklaratës së dhënë nga Jani Kaçi një ditë më parë, gazeta pyeti 66- vjeçarin për disa nga konkluzionet që kishte nxjerrë ishportieri i shquar korçar. Xhambazi thekson se lojtarët e larguar nga Skënderbeu nuk mund të cilësohen si të pamoralshëm. Ish-sulmuesi është pjesërisht dakord me Kaçin për situatën në ekipet e moshave.

Xhambazi

Profesor Xhambazi, si nga ikonat e futbollit korçar, cili është komenti juaj për deklaratën e Jani Kaçit, që i cilësoi pa karakter dhe moral ata që braktisën Skënderbeun pas dënimit nga UEFA?

Duke parë situatën dhe konkretisht ekipet që janë përfshirë në këto bisedime me lojtarët që ikën nga Skënderbeu, më duket diçka normale. Është një kohë tjetër, ku nuk pengohet askush që të largohet. E kam fjalën për lojtarët që u kanë mbaruar kontratat dhe kanë mbyllur detyrimet me Skënderbeun. Më konkretisht për Lilajn apo Souenë. Nuk mund t’i quaj pa moral, pasi ata kanë qenë boshti i ekipit dhe kanë dhënë gjithçka në këto vite, kur Skënderbeu ka qenë në majë të futbollit shqiptar, duke marrë shumë suksese.

Zoti Kaçi deklaroi se Skënderbeu ka fituar ndeshje në tavolinë me ndihmën e pushtetit, ndërsa sipas tij ishte absurde që në tubimin, ku morët pjesë edhe ju, të protestohej në një kohë që klubi u dënua për trukime…?

Nuk mund të kuptoj dot këtë, sepse kur kemi dalë në tubim, kemi theksuar se është absurde që një ekip të trukojë 53 ndeshje. Mund të ketë ndeshje, të cilat për shkak të mospasurit objektiva apo edhe stimuj, janë marrë pa përqendrimin e duhur dhe kjo është normale që të ndodhë në futboll. Kjo ndodh kudo, por jo trukime për ndeshje kombëtare dhe ndërkombëtare kryesisht. Unë dola në atë tubim si qytetar dhe pastaj si ish-futbollist i Skënderbeut. Dola si pjesë e qytetit të Korçës, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për ekipin, por për gjithë qytetin. Është një dënim që i kanoset ekipit me 10 vite përjashtim nga Europa dhe ne e kemi quajtur dënim me vdekje për futbollin korçar. Është diçka që pikë së pari e vuan qyteti, jo futbollistët. E them këtë, pasi lojtarët dhe trajnerët shumë shpejt gjejnë sistemimin e tyre. Janë vetëm 30 vetë apo diçka më shumë, ndërsa Korça është më shumë se 30 mijë sportdashës, që çdo ndeshje ndjekin Skënderbeun kush nga stadiumi dhe kush nga televizioni.

skënderbeu-tifo-1-compressor-e1519226479278


Ju mendoni se ky Skënderbe është një klub model dhe nuk ka asnjë mëkat?

Duke i bashkuar të gjitha dhe duke e parë ekipin në vite, si Zeqo dhe Takaj, në gjithë këtë rrugë e kanë bërë këtë ekip model. Besoj se është kështu si them unë, sepse Skënderbeu është një ekip që ka bërë emër dhe këtë nuk mund ta mohojë askush. Të eliminosh Dinamon e Zagrebit është diçka e madhe. Nuk mund të them se meriton medalje ari, pasi futbolli ka shumë për të përmirësuar, por është një ekip që ka bërë histori në futbollin tonë.

Gjithsesi, të rinjtë zhvishen ende në rrugë dhe, sipas trajnerit Kaçi, nuk kanë as ujë. A është ky një minus i madh për një klub që mendohet se është shembull në Shqipëri?

Sigurisht që nuk mund të mohojmë se ka mangësi, por sidomos në dy vitet, po bëhen rregullime në infrastrukturë. Çdo gjë është prishur, po rindërtohet me hapin e kohës. Në këtë kohë ka probleme dhe jemi mundur t’i përballojmë me vështirësi. Por, ka filluar të ndryshojë situata, pasi është një investim madhor që do të rrisë cilësinë e terreneve sportive në qytetin tonë.

Skenderbeu3-470x313

Me gjithë këto ndryshime që janë bërë në skuadër, si ju duket Skënderbeu në prag të kampionatit?

Ekipi është gati dhe mund të jetë pretendent për këtë sezon. Pavarësisht largimeve, të gjithë e dinë se Skënderbeu ka pasur stolin e fortë dhe janë po të njëjtët futbollistë. Jam i mendimit se me afrimin e një mesfushori dhe një sulmuesi të tipit Soue, do ta sjellë ekipin në potencialin e tij të plotë.

Së fundi, trajneri Shehi ishte zgjidhja e duhur e klubit apo mendoni se mund të kishte një tjetër alternativë për stolin?

Shehi është një djalë me karakter dhe një lojtar i shkëlqyer. Ai ka qenë pjesë e ekipit kombëtar dhe ka parë shumë. Pra, ka eksperiencën e duhur dhe mendoj se është një hap pozitiv. Ai njeh më mirë se kushdo ekipin dhe ka karakterin e duhur për të drejtuar Skënderbeun.

LLAZI SARO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"