EKSKLUZIVE/ Akuza e Armando Sadikut: Që kur erdhi Reja në Kombëtare, sikur kishte qëllim të më largonte

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2021 | 0:25

EKSKLUZIVE/ Akuza e Armando Sadikut: Që kur erdhi Reja në Kombëtare, sikur kishte qëllim të më largonte

Konkurrenca e pamëshirshme nuk është “halli” i vetëm i sulmuesve të Kombëtares. Një pjesë e mirë e tyre kanë pasur një raport të vështirë me trajnerin Edi Reja. E kemi fjalën për Brojën, Kamberin dhe Vrionin… Por, ndonjë tjetër nuk ka asnjë raport me të. Ky është rasti i Armando Sadikut, bomberit kuqezi që hyri në histori me golin e shënuar në Europianin e 2016-ës, por edhe me 12 golat që ka shënuar me fanellën e Shqipërisë në 38 ndeshje.

sadiku 1

Një sulmues race që ka qenë i pafat në sezonet e fundit, por është ndier akoma më i zhgënjyer që nuk ka marrë asnjë telefonatë nga trajneri apo stafi kuqezi në momentet e tij më të vështira. “Nuk më ka kontaktuar kurrë. Ndihem keq, sepse të gjithë kalojmë vështirësi, por kur askush nuk të telefonon, atëherë nuk di çfarë të mendosh”, thotë Sadiku në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”.

 

Armando, si jeni?
Mirë, e kemi mbyllur për këtë vit me ndeshjet dhe tani jam me pushime me familjen.

Si po ju shkojnë gjërat te Las Palmas?
Kemi një ekip shumë të mirë, me një objektiv që është vendi i dytë, që të ngjit edhe në La Liga. Nëse nuk e arrijmë dot, kemi si objektiv të qëndrojmë brenda gjashtë vendeve të para, pasi kemi një mundësi të ngjitemi nëpërmjet “play off”-it. Është e vërtetë që nuk kam luajtur shumë ndeshje, por gjithsesi ndihem mirë, kam një raport shumë të mirë me drejtuesit dhe trajnerin.

Por keni hasur vështirësi sa i përket aktivizimit. Përse ka ndodhur kjo?
Në rolin tim si konkurrent kam një lojtar si Hese Rodrigez, që ka luajtur me skuadra si Reali i Madridit dhe Parisi, plus që këtë sezon është paraqitur mirë, ka shënuar dhe ka asistuar, prandaj edhe trajneri nuk e ka ndërruar dhe ka vazhduar me të. Thjesht ky ka qenë problemi që nuk jam aktivizuar, por të gjitha gjërat kanë shkuar mirë, në Kupë më ka aktivizuar si titullar dy ndeshje dhe për fat të mirë kam shënuar dy herë.

Domethënë, ka sinjale pozitive?
Siç e thashë, ata janë të kënaqur me mua, sepse po të kishte diçka tjetër, do të isha larguar direkt. Madje, kam shkuar i kam takuar disa herë drejtuesit për të folur dhe më kanë thënë që jam OK, thjesht duhet të pres mundësinë për të luajtur.

T’ju pyesim për aventurën tuaj në Bolivi. Si mund të na e përshkruani në aspektin individual?
Ishte një eksperiencë e shkurtër, por intensive. Kam përjetuar një eksperiencë shumë të veçantë, shumë ndryshe nga ato në Europë. Mësova për futbollin amerikano-latin, se si ishte dhe si funksiononin gjërat. Nuk është se shkoi ashtu siç duhej, sepse jo gjithmonë gjërat shkojnë siç i duam ne, megjithatë ishte një ndjesi tjetër, luaja në Kupën Libertadores, në Kupën e Amerikës së Jugut, udhëtuam shumë dhe kishte kalendar të ngjeshur ndeshjesh. Pastaj ekipi i Bolivarit është një ekip që po zhvillohej shumë. Mund të them se ishte një ekip i madh. Unë e mora atë anën pozitive dhe jam i kënaqur deri diku.

sadiku-bolivar-750x430-1-730x440

A ju mungon Kombëtarja?
Normal që më mungon shumë. Që nga momenti që unë ika në Bolivi, sikur u largova pak nga Kombëtarja dhe humba kontaktet edhe me drejtuesit.

Keni folur ndonjëherë me trajnerin Edi Reja?
Trajneri Edi Reja që kur ka ardhur në drejtimin e Kombëtares shqiptare, nuk më ka marrë asnjëherë, nuk kam folur kurrë me të.

Në të kaluarën ka ndodhur shpesh që lojtarët të cilët kanë hasur probleme i kanë thirrur në ekipin përfaqësues për t’u dhënë një dorë… Ju a ndiheni i kënaqur me mënyrën si ju kanë trajtuar së fundmi?
Nuk e di se çfarë është bërë me lojtarët e tjerë, unë flas për veten time. Që kur është emëruar Edi Reja në stol, unë nuk kam marrë asnjë telefonatë. Madje, as të më pyesë: “Si je?” apo “Si shkojnë gjërat?” Nuk ka pasur asnjë interesim nga ana e tij, kaq.

Si ju është dukur Kombëtarja në ndeshjet e fundit?
I kam ndjekur të gjitha ndeshjet dhe besoj se duhet të kishim pasur pak më shumë fat për të fituar ndeshjen me Poloninë në shtëpi, por nuk ia arritëm qëllimit. Megjithatë, sërish vendi i tretë nuk ishte i keq në atë grup aq të fortë që kishim.

Do të vazhdoni t’i luani shanset tuaja ende për ekipin përfaqësues apo do të fokusoheni vetëm te klubi?
Unë jam vetëm 30 vjeç, nuk është se jam në përfundim të karrierës. Thjesht ecuria jo e mirë në Turqi dhe Bolivi më ka ndalur pak, por tani ndihem mirë.

Ndiheni mirë, por trajneri Reja ju ka anashkaluar disi. E mendoni pse mund të ketë ndodhur kjo?
Nuk e di, këtë pyetje duhet t’ia bëni trajnerit Reja. Unë nuk kam pasur asnjë kontakt. Më duket se që kur ka ardhur në Kombëtare, sikur qëllimi i tij ishte që të më linte mua jashtë.

Sadiku

Ju, Kamberi, Vrioni dhe së fundmi Broja… A e keni menduar ndonjëherë se përse “problemet” Reja i ka me sulmuesit?
Janë disa gjëra që nuk arrij t’i kuptoj. Nën urdhrat e Edi Rejës kam qenë vetëm dy grumbullime dhe nuk kam pasur asnjëherë mundësi që të paktën të flas me të, qoftë edhe një bisedë tek për tek. Unë jam shumë i shoqërueshëm me lojtarët e Kombëtares, i kam të gjithë shokë dhe flas shpesh me ta. Më kanë thënë që asnjë nga ata nuk kanë kontakt me Edi Rejën, është tip që nuk komunikon me lojtarët. Ndërsa për rastin e Armando Brojës, unë kam thënë që në momentin që ka ardhur në Kombëtare se është një supersulmues dhe për mua e meriton që të jetë titullar çdo ndeshje.

A ka pasur për ju një interesim nga Partizani, sepse është përfolur disi këtej në Shqipëri?
Jo, nuk kam pasur kontakt me Partizanin. Nuk është e vërtetë.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"