EKSKLUZIVE/ Aktivizuan Damçevskin, Partizani rrezikon humbje në tavolinë dhe eliminim në Kupë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2021 | 23:32

EKSKLUZIVE/ Aktivizuan Damçevskin, Partizani rrezikon humbje në tavolinë dhe eliminim në Kupë

Ndonjëherë mjaftojnë pak minuta për të shkatërruar gjithçka. Ndonjëherë mjafton thjesht një mungesë vëmendje dhe dikush mund të përfitojë sepse ashtu e parashikon … rregullorja. Në futboll ndodhin nga të gjitha dhe këtë herë rrezikon Partizani.

DAMCEVSKI

Po, sepse në ndeshjen e Kupës dje ka aktivizuar titullar Damçevskin, i cili kishte luajtur dy ditë më parë me skuadrën U-21 të Partizanit kundër Kukësit. Mirëpo rregullorja thotë se duhet të kenë kaluar 48 orë nga ndeshja e fundit.

Ja çfarë thotë neni 51 pika 10: “Lojtarët e federuar me ekipet e moshave të një klubi të cilët aktivizohen në fushën e lojës në ndeshjet e kampionatit përkatës, kanë të drejtë aktivizimi në ekipin e të rriturve vetëm pas 48 orëve nga ndeshja e fundit”. Mirëpo ndeshja e skuadrave U-21 mes Partizanit dhe Kukësit të hënën ka filluar në orën 15:00, ndërsa ndeshja e djeshme e Partizanit kundër Tërbunit të cilën “demat” e fituan 3-0, filloi në orën 13:30. Pra nuk janë bërë 48 orë fiks për Damçevksin (sepse ai ka luajtur titullar, ndërsa të tjerët janë futur zëvendësues).

Faksimile e rregullores

Faksimile e rregullores

Në këto rrethana Tërbunit i lind e drejta që ta çojë çështjen në Komisionin e Disiplinës dhe nëse e fiton çështjen mund të sigurojë edhe kualifikimin në tavolinë për në turin tjetër të Kupës. Megjithatë, ka një shpresë të madhe për Partizanin, pasi zyrtarë të FSHF-së pretendojnë se rregullorja është ndryshuar së fundmi dhe fjalët “48 orë” janë zëvendësuar me “dy ditë”, çka më pas mbetet çështje interpretimi. Gazeta i është referuar rregullores së publikuar në portalin e FSHF-së, e cila në fakt është e sezonit 2020-2021. Ndërkohë burime zyrtare nga Partizani bëjnë me dije se para se ta aktivizonin lojtarin kanë pyetur dhe kanë marrë miratimin e FSHF-së.

Formacioni i Partizanit U-21 kundër Kukësit: F.Hoxha, Spahiu, Damçevski, Rrahmani, Selita, Liço, Ndreaj, Meli, Kamara, Lika, Marinaj
Trajner: Dritan Mehmeti

Formacioni i Partizanit sot kundër Terbunit: A.Teqja, Belica, Sota, Gligorov, Saliou, Murataj, Mala (57’ Damccevski), Maguet, Marku, Cara, Filipovicc
Trajner: Ilir Daja

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"