EKSKLUZIVE/ “Ai di shqip”, presidenti i Besëlidhjes akuzon lojtarin afrikan: Nuk ka ardhur fare në Lezhë, është mosmirënjohës (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2020 | 23:58

EKSKLUZIVE/ “Ai di shqip”, presidenti i Besëlidhjes akuzon lojtarin afrikan: Nuk ka ardhur fare në Lezhë, është mosmirënjohës (E PLOTË)

Presidenti i Besëlidhjes, Gjok Noka, ka folur me shumë qetësi pas deklaratave të mesfushorit nga Guinea, Omar Turad Kamara, i cili është shprehur se në Lezhë po vdiste urie dhe se ka fjetur në korridorin e stadiumit. Kreu i klubit lezhjan sqaron gjithçka me detaje, duke hedhur poshtë pretendimet e afrikanit. Ai e quan mosmirënjohës Kamaranë dhe zbulon disa detaje interesante nga bëmat e tij.

omar turad kamara

REAGIMI

“Jo vetëm unë, por e gjithë skuadra dhe stafi teknik u shokuan nga deklaratat për “Panorama Sport” të Omar Turad Kamara në adresën time. Akuzat e tij nuk qëndrojnë, janë thjesht llafe në kulmin e dëshpërimit, pas dështimeve të njëpasnjëshme për të luajtur në Superiore. Një pjesë e futbollistëve që luajnë edhe sot me Besëlidhjen kanë banuar me të, e dinë shumë mirë çfarë kushtesh ka pasur. Në kushtet që ka banuar Kamara, kanë banuar edhe futbollistë të tjerë, siç janë sulmuesi Edmond Hoxha dhe katër serbët. Le të flasin vetë ata. Dhoma ku ka banuar Turad Kamara i ka kushtet normale: krevat, kondicioner, dollap rrobash dhe lavatriçe. Rrobat në lavatriçe ia ka larë punëtori, ai vetëm i ka veshur.

Mund të dëshmojnë futbollistët që banojnë ende aty. Në Lezhë banojnë edhe 4 futbollistët serbë, të cilët janë trajtuar me ushqim të gjithë në një tavolinë në lokalin tim. Madje, ai i thërriste “mama” bashkëshortes sime, e cila u ka shërbyer. Për mua të gjithë futbollistët janë njësoj dhe jam munduar t’i trajtoj si fëmijët e mi, pa dallim race, apo kombësie. E them prapë, le të flasin futbollistët serbë dhe Hoxha që trajtohen aty me të gjitha vaktet. Nuk i kam borxh askujt, as rroga dhe asgjë. E dinë mirë të gjithë ata që kanë luajtur për Besëlidhjen që kur jam president i saj”, thotë së pari presidenti i Besëlidhjes.

gjok noka

HISTORIA ME KAMARANË

Noka tregon më tej gjithçka ka ndodhur me mesfushorin afrikan: “Verën e shkuar arrita ta kompletoj skuadrën me futbollistë cilësorë, ndaj vendosa që Turad Kamaranë ta huazoja te Kukësi, pasi pata një ofertë. Që kur u grumbullua Kukësi, ai u bashkua me të në stërvitje qëndroi atje deri në nëntor të vitit të kaluar. Vendosi të largohej, pasi nuk gjeti hapësirë në formacion dhe kur iku nga Kukësi, nuk më tregoi fare. E mora vesh nga drejtuesit e Kukësit, të cilët më pyetën për të. Që atëherë Kamara nuk ka ardhur në Lezhë, por ka preferuar të banojë në Tiranë.

Atij nuk i pëlqen Lezha, por pabet e Tiranës, ndaj le të banojë atje, nuk mund ta marr me zor. Ndonëse duhej të paguhej nga Kukësi, i kam dhënë edhe pagën e muajit gusht, pasi ma kërkoi, madje kam paguar edhe taksi për ta marrë nga Fushë-Kruja, ku kishte mbetur një herë. Kishte ikur pa leje nga Kukësi, por përsëri u mundova që ta sistemoj në një skuadër të Superiores si Vllaznia, në formë huazimi në merkaton e janarit. Edhe aty nuk shkoi asnjëherë”.

omar kamara kukesi

KONTRATA

“Pretendimi i tij se do të shkonte te Flamurtari apo Luftëtari nuk qëndron, pasi këto skuadra kurrë nuk kanë kontaktuar me mua për ta marrë. Që nga ajo kohë nuk ia di adresën, ndaj jam detyruar që çdo javë të raportoj në FSHF për largimin e tij. Omar Turad Kamara është futbollist i Besëlidhjes deri sa të mbyllë kontratën që e ka nënshkruar vetë. Ai gënjen kur thotë se nuk e kuptova kontratën, pasi e flet, lexon dhe shkruan mirë gjuhën shqipe. Nuk ka pasur nevojë për përkthyes, ai do t’i marrë letrat kur t’i përfundojë kontrata. Edhe nëse lirohet nga ana ime, e ka shumë të vështirë ose të pamundur të preferohet nga ndonjë skuadër, qoftë edhe e Kategorisë së Dytë, pasi ka një vit që nuk luan dhe nuk stërvitet”, shton më tej Noka.

MOSMIRËNJOHËS

Presidenti i lezhjanëve ka edhe diçka të fundit për të thënë: “Për një gjë jam i shqetësuar, që një investimi im të degradojë në një mosmirënjohje të tillë… Gjithsesi, ai që nuk njeh babanë e tij, kështu do t’i injorojë të gjithë ata që e përkrahin. Për atë tip njeriu kam vetëm një këshillë: Turp të ketë për gënjeshtrat që publikon në media”.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"