EKSKLUZIVE/ Ahmataj hedh në gjyq Luftëtarin, trajneri padit klubin gjirokastrit dhe kërkon dëmshpërblim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 8, 2020 | 14:30

EKSKLUZIVE/ Ahmataj hedh në gjyq Luftëtarin, trajneri padit klubin gjirokastrit dhe kërkon dëmshpërblim

Priti shtatë muaj për të parë reagimin e klubit të Luftëtarit për detyrimet e pashlyera, por iu sos durimi dhe menjëherë iu drejtua institucionit të futbollit shqiptar në ditët e para të vitit 2020. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se trajneri Julian Ahmataj ka paditur klubin gjirokastrit në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF. 

ahmataj

Burime të sigurta të gazetës konfirmuan dje se elbasanasi që drejtoi Luftëtarin në periudhën shkurt-maj të vitit 2019, ka qenë në ambientet e federatës ditën e hënë bashkë me përfaqësuesin e tij ligjor, duke paraqitur shkresën për padinë ndaj ish-klubit të tij. Për të hapur një gjyq në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve ka një kosto prej 1 milion lekësh të vjetër që duhet paguar në FSHF.

Por, në rast se më pas pala që bën padinë e fiton gjyqin, atëherë kjo kosto shkon si faturë për palën humbëse. Megjithatë, Ahmataj ka bërë pagesën dhe tashmë pret që DHZK të nisë zyrtarisht gjyqin. Hapi i parë që ka bërë është njoftimi i palës së paditur, në rastin konkret Luftëtari.

ahmataj

KËRKESA

Fillimisht procedura e DHZK-së është për të ulur palët në një ballafaqim dhe për të dëgjuar pretendimet e tyre, në mënyrë që t’u jepet shansi për një zgjidhje me marrëveshje. Në rast se palët nuk bien dakord, atëherë DHZK merr një vendim duke u bazuar te kontrata e nënshkruar mes tyre, si dhe duke miratuar ose jo kërkesat e Ahmatajt për detyrimet që i ka Luftëtari. Gazeta mëson se në momentin që trajneri ka ardhur në Gjirokastër, ka firmosur një kontratë 6-mujore me të drejtë rinovimi edhe për një sezon në rast se Luftëtari mbijetonte.

Objektivi u arrit në fund, por Ahmataj u shkarkua dy javë përpara se të mbyllej kampionati. Ish-presidenti i Luftëtarit, Grigor Tavo, shigjetoi trajnerin në muajin maj për eliminimin nga Kupa, ndërsa paralajmëroi se Ahmataj do të bëhej trajner i Tiranës.

julian ahmataj

Në fakt, ashtu ndodhi disa muaj më pas, edhe pse aventura e elbasanasit zgjati shumë pak me bardheblutë. Mirëpo, tashmë trajneri dhe Luftëtari ritakohen për një borxh, por mbi të gjitha për të zgjidhur një ngërç që kanë pasur në kontratë, teksa dëmshpërblimi mund të jetë i madh në rast se DHZK njeh rinovimin automatik të marrëveshjes. Rroga e Ahmatajt në Gjirokastër mësohet se ka qenë rreth 2 milionë lekë të vjetër në muaj, ndërsa pakti fillimisht ka qenë për të marrë edhe një shumë paradhënie. Tashmë mbetet për t’u parë se si do të shkojë gjyqi.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"