Ekskluzive / Agostineli: Skënderbeu mbi të gjithë të tjerët, por me Partizanin e shoh X

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2017 | 13:30

Ekskluzive / Agostineli: Skënderbeu mbi të gjithë të tjerët, por me Partizanin e shoh X

Fillimisht drejtoi Partizanin dhe më pas Skënderbeun, të dyja brenda vitit 2016. Bëhet fjalë për trajnerin Andrea Agostineli, i cili rikthehet të flasë për futbollin shqiptar në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”. Italiani, që aktualisht bën rolin e specialistit të futbollit në rrjetin “Mediaset”, është në kërkim të një ekipi për të vijuar punën si trajner. I kontaktuar dje nga gazeta, ai analizoi korçarët dhe të kuqtë, por gjithashtu foli edhe për trajnerin Mark Iuliano, i cili nuk e ka nisur mirë aventurën në Shqipëri. Agostineli parashikon barazim në kryendeshjen e së shtunës, Skënderbeu-Partizani.

Agostineli ne kembe

Andrea, me çfarë po merreni për momentin?

Jam në kërkimin e një ekipi për të vijuar karrierën si trajner, ndërsa tashmë po bëj rolin e specialistit në rrjetin televiziv “Mediaset”.

Keni pasur oferta gjatë kësaj kohe?

Po, kam pasur disa oferta që mund të finalizoheshin, por për shkaqe të ndryshme nuk kemi arritur konkretizimin e tyre. Bëhet fjalë për ekipe nga Italia dhe Hungaria që janë interesuar, por nuk kemi arritur marrëveshje.

Nga klubet shqiptare ju ka kontaktuar ndonjë drejtues?

Jo, nuk kam pasur oferta nga Shqipëria.

Sa e ndiqni tashmë kampionatin shqiptar?

Të them të drejtën, nuk kam pasur mundësi të shoh të gjitha takimet, por jam informuar për rezultatet dhe lojën e ekipeve. Kryesisht kam ndjekur ndeshjet e Skënderbeut dhe Partizanit, pasi për shkak të së kaluarës sime në këto dy klube, vijoj të ruaj kujtime të mira për gjithsecilin.

Daja-Agostineli

Ta nisim me Skënderbeun. U befasuat që kaloi katër ture në Ligën e Europës dhe u kualifikua më pas në fazën e grupeve?

Të them të drejtën, një ekip si Skënderbeu për nga mënyra e organizimit dhe ambicieve që ka, nuk është risi që ta shohim çdo vit në këtë fazë. Janë një klub me këmbë në tokë që punojnë për objektiva të qarta. Është pa dyshim një rezultat i merituar, pasi është shumë i vështirë kualifikimi pas katër tureve. Unë e di se sa i rëndësishëm është ky kualifikim për klubin mbi të gjitha.

Mendoni se Skënderbeu ka shanse të bëjë mirë edhe në grupin B?

Është një grup shumë i vështirë. Janë ekipe të forta që do të kërkojnë të marrin maksimumin në çdo takim, pasi të gjitha duan kualifikimin më tej. Mendoj se edhe Skënderbeu ka shanset e veta për të qenë atje në dy vendet e para, pasi në futboll asnjëherë nuk i dihet.

Pra, po thoni që edhe kualifikimi është i mundur?

Sigurisht që po. Është i vështirë, por i arritshëm. Veç të tjerash, në Kiev treguan se janë në garë dhe qëndruan në lojë. Mëkat për atë shpërqendrim në pjesën e dytë. Skënderbeu është një ekip që beson gjithmonë.

Të flasim pak për Partizanin e Iulianos. Një pikë në dy takime dhe mbi të gjitha asnjë gol i shënuar…?

Për ambiciet që ka Partizani, nuk është një nga nisjet më të mira të mundshme. Por, duhet që Iulianos t’i japësh më shumë kohë dhe pak më tepër durim. Unë mendoj se Iuliano është një trajner i mirë dhe për këtë nuk ka askush asnjë dyshim.

Gjithsesi, klubi i kuq do titullin dhe sërish i ka besuar një italiani në pankinë…?

Sigurisht, por e përsëris që kur në një ekip bëhen ndryshime duhet që t’i japësh kohë gjithsecilit të përshtatet, si lojtarëve, ashtu edhe trajnerit. Nuk besoj se te Partizani këtë gjë nuk e dinë.

agostineli

Iuliano është një trajner tipik italian apo ndryshon disi?

Jo, absolutisht, nuk mund të them këtë. Si të gjithë trajnerët e tjerë, edhe Iuliano kërkon që ekipi i tij të ketë ekuilibër në të dyja fazat, por mbi të gjitha kur ekipi është nën zotërimin e topit dhe kur topin e ka kundërshtari. Kjo është shumë e rëndësishme që gjithçka të shkojë mirë në një ndeshje.

Rezultati dhe golat do të vijnë shpejt te ky Partizan?

Mendoj që po, por të ardhmen nuk mund ta di dhe ta parashikoj. Me pak qetësi dhe besim në këto momente është më e drejta që mund të bëhet për Iulianon dhe Partizanin.

Të shtunën luhet Skënderbeu-Partizani. Çfarë parashikoni në këtë takim?

Do të jetë vërtet një ndeshje e fortë. Partizani nuk ia lejon vetes të humbë një tjetër takim. E ka të ndaluar humbjen për të qëndruar në lojë dhe për t’u motivuar. Nga ana tjetër, Skënderbeu kam mendimin se do të jetë më i qetë dhe më i kthjellët në fushë, edhe për shkak se ka një impenjim që të motivon siç është Europa Ligë. Për momentin, Skënderbeu është më lart se çdo ekip tjetër në Shqipëri. Ka katër pikë të grumbulluara dhe do të kërkojë të fitojë sërish në shtëpi.

Keni ndonjë ide për rezultatin?

Besoj se do të jetë një ndeshje e ekuilibruar për 90 minuta. Për këtë arsye mund të dalë barazim. Ky është parashikimi im për këtë takim.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"