EKSKLUZIVE/ “Afrikanët të jenë si reklama”, Lika lutet për fat në short: Kemi shans me një ndeshje…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2020 | 17:55

EKSKLUZIVE/ “Afrikanët të jenë si reklama”, Lika lutet për fat në short: Kemi shans me një ndeshje…

Ilion Lika është ndoshta lojtari më i rëndësishëm i Tiranës këto vitet e fundit. Jo se ka eksperiencën e madhe mbi shpatulla, por sepse realisht në fushë ka bërë diferencën, sidomos vitin e titullit.

ilion lijka

Askush si ai nuk stërvitet, duke vazhduar të jetë profesionist i vërtetë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, gardiani i bardhebluve flet për të tashmen dhe të ardhmen. Pranon se ka akoma për të dhënë dhe mbi të gjitha është i bindur se Tirana do të vazhdojë të bëjë mirë.

Ilion, Tirana doli kampione, ka kaluar tri ture në Europë, tani është në “play off”. Si e shihni ekipin?

Në këtë moment që flasim Tirana, për mendimin tim, akoma nuk është e kolauduar. Ju po e shihni. Ne po marrim sërish lojtarë të rinj. Po kështu nga drejtuesit po punohet që të rinovohet me lojtarët që kanë qenë në ekip.

Flas për lojtarët që u shpallën sezonin e shkuar kampionë të Shqipërisë. Shto këtu edhe lojtarët që po vijnë nga vende të tjera të botës, lëvizjet janë goxha të mëdha. Përfundimisht, ekipin e shoh në një fazë provash. Akoma nuk është stabilizuar si formacion.

Meqë thoni kështu, për Tiranën është mirë që kampionati nuk nisi në kohë?

Është e vërtetë. Është gjë e mirë që u shty kampionati. Them kështu, sepse ky fakt na jep kohë që të shohim mirë lojtarët që kanë ardhur që të hedhim në fushë 11-shen bazë për të vazhduar kampionatin.

Humbët një miqësore me Apoloninë, por nuk u luajt mirë. Çfarë i mungon Tiranës në këtë moment?

Në miqësore aktivizohen ekipe të alternuara. Trajnerët aktivizojnë lojtarët e rinj apo ata që kanë pak minuta. Me Apoloninë nuk ishte formacioni bazë apo Tirana e vërtetë. Megjithatë, edhe këta djem që luajnë në këto miqësore dhe u jepet mundësia, duhet të tregojnë veten. Duhet të japin më shumë shkëndija.

Ilion Lika

Duhet të derdhin më shumë djersë dhe të sakrifikojnë, sepse në fund i bëjnë hyzmet vetes së tyre që ta meritojnë për të luajtur te ky ekip. Megjithatë, këto janë ndeshje prove dhe nuk tregojnë asgjë. Trajneri i bën këto ndeshje që të shohë individët, jo të arrijë rezultatin.

Një preferencë për ndeshjen e “play off”-it që luhet në tetor?

Jo, nuk kam emra. Shpresoj që të na bjerë një ekip jo shumë i fortë. Shpresoj që të kemi sa më shumë fat dhe të na ndihmojë Zoti, sepse edhe këto ndeshjet teke kanë treguar që nuk kanë shumë disnivel. Kush gabon më pak, ai kualifikohet. Kjo loja teke të jep mundësi që edhe skuadra më e dobët në buxhet të bëjë gjëra të mëdha, pra të kualifikohet, ndonëse nuk ka buxhete të mëdha.

Janë larguar disa lojtarë nga skuadra. Ndihet tani numri i të ikurve?

Po, baza e ekipit është. Ekipi ka nevojë të riformohet me disa lojtarë. Jo të shumtë, por jo të zëvendësojë këta që janë, por të rivalizojë këta që janë.

Dy fjalë për Bekajn?

Kemi marrë një portier shumë të mirë. I uroj që të ecë përpara dhe të ketë atë kualitet që të arrijë të mbrojë portën e Tiranës. Do të ketë edhe mbështetjen time. Kjo nuk bëhet fjalë. Uroj gjithashtu që edhe lojtarët afrikanë që janë afruar së fundmi të kenë atë kualitet sa ç’po u bëhet reklamë.

Ilion Lika ne Tbilis

Besim unë kam te baza e ekipit të vjetshëm, ata që e nxorën ekipin kampion. Kam besim tek ata djem që do ta nxjerrin sërish kampion. Ndonëse për të dalë kampion, tek ekipi duhet të jenë 17-18 lojtarë të të njëjtit niveli. Shpresoj në këtë prizëm të gjithë të jenë në nivelin e titullarëve për të mbrojtur titullin.

Cilët janë kundërshtarët e titullit?

Shoh Kukësin shumë të fortë. Një Teutë shumë të fortë. Partizani, pavarësisht se i kanë bllokuar merkaton, mbetet po ai i fortë, sepse është ekipi i vjetshëm. Në këtë lojë fus edhe Laçin, një skuadër të fortë dhe simpatike. Ky është treni i titullit dhe do të rivalizojnë deri në fund për objektivat e sezonit.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"