EKSKLUZIVE/ “Absurde të firmosësh 12 kontrata për 72 orë”, skaneri i Banos: Lushnja gaboi me largimet, e keqja e Grupit B është… Elbasani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2020 | 17:56

EKSKLUZIVE/ “Absurde të firmosësh 12 kontrata për 72 orë”, skaneri i Banos: Lushnja gaboi me largimet, e keqja e Grupit B është… Elbasani

Artan Bano “skanon” Grupin B. Ish-trajneri i Lushnjës, Egnatias dhe Tomorit sheh garë treshe për kreun.

artan bano

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” ai u ndal edhe te verdhejeshilët dhe problematikat e tyre. Quan gabim largimet e verës dhe absurditet 12 firma për 72 orë.

Si e keni parë kampionatin me këtë format, me 8 skuadra dhe dy pushime në një fazë?

Pushimi nuk bën keq, sidomos kur luhet të mërkurën dhe të shtunën. Pastaj jo të gjitha ekipet i kanë 18 futbollistë cilësorë për të përballuar ngjeshjen.

Cila është “e keqja” e Grupit B, sipas jush?

E keqja është se dy ekipe, me përfundimin e fazës së parë, kanë dalë nga kategoria. Luftëtari nuk mori pjesë, ndërsa Elbasani nuk ka asnjë pikë dhe nuk i rikuperon dot për të kapur zonën “play out”. Edhe skuadra që do të luajë ndeshjen shtesë e ka të lehtë për t’ia hedhur.

Kemi një katërshe që po lufton për kreun, por kur do të vijë shkëputja?

Po. Gara është shumë e fortë për sa i takon kreut. Nuk mendoj se do ketë shkëputje, pasi skuadrat pretendente do të mundin njëra-tjetrën. Çdo skuadër ka të drejtë të marrë tri pikët. Do të ketë përballje të forta. Nuk ka garanci.

Mos shihni pikët, sepse kemi 7 skuadra që luftojnë për katër vende dhe kanë 21 pikë në dispozicion. Pogradeci mund të vijë duke u ngritur. Ke kënaqësi kur i sheh në mënyrën se si shkojnë nga faza mbrojtëse në fazën sulmuese. Deri në këto momente, 33% e kampionatit ka përfunduar dhe kemi të bëjmë me ekipe shumë të mira.

Cila është skuadra për t’u mundur?

Mendoj që Egnatia, Besa dhe Tomori do të ecin në një garë treshe. Janë ekipe të mira, kanë cilësi brenda.

Le të ndalemi pak te Lushnja, ju bind?

Mendoj se Lushnja ka diktuar në Grupin B të Kategorisë së Parë. Nuk ka kualitet apo individë, por ka fanellën. Ka disa futbollistë të rinj, që po bëhen njësh me të tjerët dhe po bëjnë një kampionat të mirë. Në momente të caktuara duket luhatja për shkak të futbollistëve jo me strukturë profesionale. Pra, bën një ndeshje shumë të mirë, pastaj bën një ndeshje shumë të dobët.

Çfarë do të thotë kjo?

Kjo do të thotë se ka nevojë për futbollistë cilësorë. Për mua, u gabua me largimet masive. Të ikin 16 futbollistë që kanë diktuar një kampionat të tërë, për mua është absurde. Minimalisht nga 16 largime, të paktën boshtin duhet ta ruanin, që nga portieri Haremi, sulmuesit Canka e Mezini, Ruço apo Pepa. Kjo pesëshe duhet të qëndronte dhe nëse kjo do të ndodhte, do të ishin pretendentë për ngjitjen.

Buxheti prej 400 milionësh është i mjaftueshëm?

Patjetër, është një shumë e mirë. Lushnja është një ekip që zhvillon fazë përgatitore me paga, dieta, premio të garantuara nga fondi i bashkisë. Ndaj, i përmenda largimet, pasi ishin financat për t’i mbajtur.

Ju keni punuar për disa vite dhe e njihni problematikën në klub. Çfarë po ndodh, që Lushnja nuk po ngre kokë?

E para, duhet të bindësh futbollistët sepse është punë 11-mujore dhe sakrifica është shumë e madhe. Këtu nuk flasim vetëm për seancën 90 apo 120-minutëshe që bëhet në ditë… Çfarë nuk më pëlqeu te Lushnja? U bënë 12 kontrata brenda një dite. Është absurde.

Cila ishte arsyeja?

Absurde, sepse nuk mund të kontraktosh 8-12 futbollistë brenda 72 orëve. Duhet menduar më gjatë për të afruar një lojtar. Lushnja ka nevojë për cilësi dhe jo për lojtarë të niveleve mesatare dhe nën mesatare. Pastaj dalim te zhgënjimi.

Të marrësh 10-12 futbollistë në merkato dhe të dështosh me 8 futbollistë… Presidenti në shkallën e hierarkisë kërkon që me kaq shpenzime, skuadra të ecë më mirë. Ato janë shpenzimet e taksapaguesve lushnjarë dhe ky qytet është shumë pasionant për futbollin.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"