EKSKLUZIVE/ “Absurde që nuk i akorduan 11-metërsh Partizanit”, Hoxha: Jemini dhe Janku, avokatë të arbitrave që gabojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2019 | 23:23

EKSKLUZIVE/ “Absurde që nuk i akorduan 11-metërsh Partizanit”, Hoxha: Jemini dhe Janku, avokatë të arbitrave që gabojnë

Arsen Hoxha është kritik për mënyrën se si bën moviola në kampionatin shqiptar pas çdo jave. Ai e njeh vështirësinë e interpretimit të rregullores, por thotë se Lorenc Jemini, Albano Janku, apo edhe dikush tjetër janë duke i marrë në qafë arbitrat, sepse në vend t’u nxjerrin në pah gabimet dhe t’u thonë të vërtetën, ata bëhen avokatë të padobishëm të tyre dhe i nxisin të vazhdojnë të gabojnë. 

arsen hoxha

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-arbitri i FIFA-s dhe ish-disenjatori i arbitrave në FSHF, thotë se penalltitë e dhëna kundër Kukësit dhe Bylisit ishin të gabuara, ndërkohë që mosdhënia e penalltisë për Partizanin ishte skandaloze. Ish-gjyqtari i shquar sot jeton në SHBA, por ndjek me vëmendje të gjitha zhvillimet në futbollin shqiptar dhe përpiqet të informohet gjithnjë deri në detaje mbi ndryshimet që bëhen në rregullat e arbitrimit.

Prekjet e topit me dorë kanë qenë gjithmonë objekt i diskutimeve të shumta dhe kontradiktore. Pse po ndodh kjo?

Për të ilustruar këtë, do t’ju rikujtoj vetëm rastin e penalltisë së akorduar në Finalen e Kampionatit Botëror midis Francës dhe Kroacisë. Dy prej moviolistëve tanë, që kur kanë vullnetin e mirë janë shumë të saktë, dhanë mendime të kundërta. Albano Janku e vlerësoi si një penallti të drejtë, sepse sipas tij, prekja e topit me dorë ishte si pasojë e një veprimi të pakujdesshëm të lojtarit kroat. Ndërkohë, për Lorenc Jeminin ajo ishte e gabuar, sepse në rregullore nuk njihet termi nga pakujdesia në shkeljet e ndodhura brenda 16-metërshit, por nga ca kufizime të tjera, se prekja e topit me dorë erdhi si pasojë e një distance shumë të vogël midis lojtarëve, etj. Mbështetur mbi rregullat ekzistuese të asaj kohe, Jemini kishte më shumë të drejtë se Janku, por mbështetur mbi një logjikë më të plotë sportive, e drejta ishte në anën e Albanos.

jANKU-jEMINI

I gjithë ky konfuzion që u bë objekt diskutimi pothuaj në gjithë botën, erdhi si pasojë e një formulimi jo të saktë të rregullave të lojës së futbollit mbi penalltinë. Në njohjen time, asnjëherë nuk ka pasur një formulim të saktë mbi penalltinë. Për dekada të tëra formulimi ka qenë shumë i thatë. Sipas tij, jo të gjitha prekjet e topit me dorë si brenda, ashtu edhe jashtë zonës së penalltisë, ishin të dënueshme. Dënoheshin vetëm prekjet e bëra me qëllim. Në këtë mënyrë mjaft shkelje të bëra nga pakujdesia, por që influenconin direkt në rezultatin e ndeshjes, mbeteshin pa u ndëshkuar.

 

Në vitet e dy dekadave të fundit, u tentua të bëhej njëfarë përmirësimi. Formulimi i ri i lejonte arbitrat të ndëshkonin të gjitha prekjet e topit me dorë të qëllimshme, edhe ato nga pakujdesia, por vetëm jashtë zonës së penalltisë. Brenda saj jo. Për rastet brenda kësaj zone, thuhet shkurt: “Prekja e topit me dorë përbën një akt të qëllimshëm të një lojtari që bën kontakt me topin me dorë apo krah. Pra, siç shihet, nuk bëhet fare fjalë për pakujdesinë. Jepen disa udhëzime që duhen marrë në konsideratë si:

– Distanca në mes kundërshtarit dhe topit (top i papritur) 

– Lëvizja e dorës në drejtim të topit (jo topit në drejtim të dorës)

 – Pozicioni i dorës nuk nënkupton se, domosdoshmërisht ka një shkelje. 

Unë mendoj, gjë që ia kam sugjeruar para tri vitesh edhe FIFA-s, se formulimi i mësipërm është i gabuar dhe krijon konfuzion të madh tek arbitrat. Në bindjen time është pikërisht pozicioni i dorës ai që përcakton nëse ka shkelje apo jo. Gjithashtu, nuk mund të konsiderohet i pafajshëm një lojtar mbrojtës që me dorën hapur pengon topin të shkojë në portë apo në drejtimin e nisur nga lojtari sulmues, thjesht se ai ndodhet shumë afër me lojtarin kundërshtar, që godet topin. Ndërkohë, mendoj se nuk ka rëndësi nëse lojtari është duke lëvizur në drejtim të gjuajtjes së topit, apo e pret atë në pozicion statik, nëse dora e tij është e hapur dhe në këtë mënyrë, ai ka zmadhuar sipërfaqen e pengimit të lëvizjes së topit.

* Po ndryshimet e reja të bëra nga FIFA, a ju duken të plota?

Mua akoma nuk më ka rënë në dorë rregullorja e re, por me ato që kam parë të publikuara në media, përsëri më duken jo të plota. Së pari, në asnjë prej tyre nuk flitet për pakujdesinë, që për mua në jo pak raste është pjesë e qëllimshme, e maskuar dhe përfituese e lojtarëve mbrojtës. Formulimi bazë nuk ka ndryshuar. Përsëri, pakujdesia njihet për shkeljet jashtë 16-metërshit dhe jo brenda tij. Është e domosdoshme që të jepet një klasifikim i mirë i atyre rasteve, që gabimi influencon për të shënuar një gol, për të krijuar premisa lehtësuese për shënimin e tij apo për të krijuar një superioritet tjetër mbi kundërshtarin, nga ato raste kur nga një top i prekur me dorë nga pakujdesia, por që nuk ka influencë përfituese dhe nuk e ndryshon drejtimin e lëvizjes së topit.

Për të bërë më të qartë mendimin, do të thosha se nuk ka asnjë arsye të ndëshkohet me penallti një mbrojtës, kur topi që takon ai me dorë nga pakujdesia, është duke dalë jashtë vijave kufizuese të kësaj zone, pa pasur asnjë influencë në drejtimin e lëvizjes së tij. Pra duhet të ndahet qartë se një penallti do të jepet kur topi preket qëllimisht me dorë apo nga pakujdesia. Rastet e pakujdesisë duhet të klasifikohen në dy grupe. Duhet të ndëshkohen të gjitha rastet kur nga prekja e topit me dorë lojtari apo ekipi sulmues siguron një përfitim dhe duhet ndëshkuar, nga ato që absolutisht nuk sigurojnë asnjë prej tyre.

Për disa nga penalltitë e mosdhëna në javën e fundit, që për fat të keq patën ndikim direkt në rezultatet e ndeshjeve, moviolistët dhanë mendime kontradiktore. Cili është mendimi juaj?

Është fatkeqësi për futbollin dhe për vetë karrierën e arbitrave kur në vend që të mësojnë të vërtetën mbi drejtësinë profesionale të vendimeve të tyre, me qëllimin e vetëm që ato të bëhen mësim në të ardhmen, të shikojnë moviolistë që në njëfarë mënyre shndërrohen në avokatë të tyre. Që të gabojë një arbitër, është normale, sepse mundësinë dhe kohën e vendimmarrjes e ka tepër të vogël. Por që të gabojë në mënyrë të përsëritur një moviolist, që mundësinë e ka ta shikojë disa herë një aksion, kjo është e papranueshme. Konkretisht, në ndeshjen Bylis – Skënderbeu u dha në mënyrë të gabuar një penallti kundër Bylisit, në një rast që mbrojtësi ka ndërhyrë në mënyrë të rregullt, gjë që duket shumë qartë ( Foto 1 dhe 2 ). Vetëm për moviolistin ky ishte një rast tepër i vështirë?!

Foto 1 dhe 2

Por akoma më e vështirë për t’u kuptuar nga të gjithë, ishin dhe thëniet e tij: “Kjo është penallti në fushë 100% dhe jo penallti në VAR”. Dhe më pas tha: “Ai nuk do të quhet ndonjë gabim i madh se, në të tilla raste jepet gjithmonë penallti…”. Ai njëqind për qindëshi i tij, se në fushë kjo është gjithmonë penallti, sikur të frikëson. Si duhet vlerësuar puna e një moviolisti kur penalltia e padhënë në favor të Partizanit, jo vetëm që ishte flagrante, por edhe me ndikim direkt në rezultatin e lojës? Si duhet vlerësuar ky moviolist kur përpiqet të justifikojë paaftësinë e arbitrit dhe ndihmësit të tij, në këtë rast flagrant?! (Foto 3)

Foto 3-4-5-6

Problemi tjetër… Moviolistët e konsideruan të drejtë penalltinë e dhënë në favor të ekipit të Laçit në ndeshjen me Kukësin. Në foton 4, 5, duket se topi i gjuajtur nga sulmuesi laçian lëviz mbi vijën e zonës së portës deri sa takon në pjesën midis gjoksit dhe klavikulës, i cili më pas edhe mund të ketë takuar në pjesën e sipërme të krahut nga brenda, pikërisht ku lidhet me klavikulën ( Foto 6 ).

ft 6-7-8

Kjo kurrsesi nuk mund të konsiderohet si një prekje e topit as me krahun dhe as me parakrahun. Topi ndodhet mbi vijë dhe krahu ndodhet jashtë saj. Rasti më flagrant i justifikimit është marrja në mbrojtje e arbitrit në mosdhënien e penalltisë në favor të Laçit, ku lojtari mbrojtës që ndjek nga prapa sulmuesin, i bën pengesë me trup atij që të spostohet majtas dhe më pas e shtyn atë duke e rrëzuar në tokë edhe kur janë mbi 5-6 metra larg nga topi. (Foto 7, 8 dhe 9) Moviolistit nuk i lejohet të bëhet palë, pra të bëhet avokat i arbitrave që gabojnë.

Sportdashësit dhe të gjithë të interesuarit e tjerë dëshirojnë të dëgjojnë prej tyre diskutimin profesional të rastit dhe jo rrethanat justifikuese në të cilat arbitri mori vendimin e gabuar. Çdo qëndrim ndryshe është abuzim me detyrën që ke marrë përsipër të bësh.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"