EKSKLUZIVE/ A e zuri Luftëtarin haku i Hasan Likës? Ja si përgjigjet ish-trajneri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 12, 2018 | 22:54

EKSKLUZIVE/ A e zuri Luftëtarin haku i Hasan Likës? Ja si përgjigjet ish-trajneri

“Luftëtari pagoi mëkatin që bëri me Hasan Likën dhe u mund 5-0 në Ligën e Europës”. Me dhjetëra e qindra tifozë të skuadrës Gjirokastrite, por jo vetëm, e kanë menduar këtë. Po, sepse ish-trajneri tiranas bëri një punë shumë të mirë te blu zinjtë, duke e balancuar skuadrën si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm, por në fund të sezonit u largua. Ai tani pritet të nisë gjyq zyrtar me klubin e Luftëtarit dhe kërkon 8 rroga, ndërsa tregohet i kujdesshëm kur flet për ndeshjen katastrofike të gjirokastritëve sot.

Lika2-470x264

“Nuk e kam parë ndeshjen sepse nuk transmetohej. Më erdhi keq që pësuan aq shumë gola, por unë nuk kam dëshirë të përfshihem në analiza. Nuk do të ishte etike që të flisja për një ndeshje që nuk e kam parë. Mësova vetëm se dy nga golat kanë qenë me penallti, por nuk di të them se si ka luajtur Luftëtari. Mos harroni që janë ekip pa eksperiencë në arenën europiane dhe kjo të penalizon. Më vjen vërtetë keq për këtë humbje të thellë”, thotë Lika ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Më tej, kur pyetet nëse klubin gjirokastrit e zuri haku i tij, ai thotë: “Nuk është koha të bëjmë polemika. Nuk dua të flas nëse më hëngrën hakun apo jo. Ashtu e menduan dhe ashtu vepruan. Unë nuk kam asnjë pishman. Punën time e bëra si duhet dhe me shpirt doja që të merrnin një rezultat të mirë, por ndoshta ndryshimet e mëdha ë mbrojtje mund edhe të kenë sjellë ndonjë pasiguri”, tha Lika për gazetën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"