EKSKLUZIVE/ 559 ditë pa fituar derbin, Bruno Telushi: Tani festojmë ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2022 | 16:39

EKSKLUZIVE/ 559 ditë pa fituar derbin, Bruno Telushi: Tani festojmë ne

Partizani luan më 2 tetor padyshim ndeshjen më të rëndësishme të kësaj pjese të sezonit, derbin ndaj Tiranës në “Air Albania”. Para kësaj sfide, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ka folur një nga liderët e të kuqve, Bruno Telushi. Ai shprehet se Partizanin e gjen ky derbi ndaj bardhebluve në gjendje shumë të mirë sportive dhe psikologjike.

bruno telushi

“Demat” nuk fitojnë ndaj Tiranës prej 559 ditësh, por Telushi tregon se skuadra është e qetë dhe mezi po e pret këtë ndeshje që të festojnë bashkë me tifozët.

E nisim nga ndeshja e ardhshme ndaj Orikut, si ndiheni që do të luani për herë të parë një ndeshje zyrtare në stadiumin e ri?

Është padyshim një ndjesi shumë e mirë që do të luajmë në stadiumin tonë. Të gjithë çunat mezi e presin dhe kjo na bën të ndihemi më rehat edhe në ndeshjet që do të luajmë në vazhdim aty.

Si e gjen derbi Partizanin? A është momenti i duhur për të thyer ecurinë e rezultateve negative ndaj Tiranës?

Për derbin Partizani është shumë i qetë, vijmë nga një rezultat pozitiv, atmosfera është shumë e mirë dhe e ngrohtë. E presim me padurim ndeshjen.

Në eksperiencën tuaj të parë te Partizani e keni provuar shijen e triumfit me Tiranën. A u keni dhënë ndonjë këshillë shokëve të tjerë se si fitohet derbi?

Të gjithë e dimë se derbi është një ndeshje shumë e fortë. Të gjithë djemtë e kanë të qartë se çfarë duhet të bëjnë, nuk kanë nevojë për këshilla. Të gjithë e kanë motivimin dhe e dinë se çfarë duhet të bëjnë në fushë për këtë ndeshje.

Si ju duket Tirana e këtij sezoni, krahasuar me forcën e Partizanit?

Unë mund të flas vetëm për Partizanin. Nuk e kam parë (Tiranën). Di të them se ky Partizan është një ekip shumë i mirë dhe i fortë. E ka treguar këtë gjë deri më tani dhe do të punojmë fort ta bëjmë edhe në vazhdim diçka të tillë.

Çfarë ka ndryshuar për ju që nga derbi i fundit kur ishit në fushë ndaj Tiranës?

Për mua nga derbi i fundit që kam luajtur nuk është se ka ndryshuar ndonjë gjë, megjithëse ka kaluar goxha kohë. Emocionet dhe motivimi do të jenë të njëjta, siç ndodhte edhe më parë.

Çfarë është një peng që e keni në këto ndeshje dhe dëshironi ta thyeni më 2 tetor?

Nuk është se më ka ngelur ndonjë peng në ndeshjet derbi me Tiranën. Për mua e rëndësishme është vetëm fitorja. Në derbin e radhës do të punoj vetëm për të arritur suksesin e skuadrës dhe jo për të realizuar ndonjë peng që mund të më ketë ngelur në ndeshjet e shkuara.

Cili është derbi që e keni shijuar më së shumti?

Të gjitha derbet që kemi arritur t’i fitojmë, sidomos të vitit që u shpallëm kampion, i kam shijuar në maksimum dhe do të vazhdoj t’i shijoj për sa do të jem pjesë e këtij klubi.

Me aq sa mund të dalloni, ku ndryshon ky Partizan me atë të titullit kampion?

Unë nuk dua të bëj krahasime se cili Partizan ka qenë i fortë. Edhe ai ka qenë ekip shumë i fortë, edhe ky tani është mjaft i fortë. T’ia lëmë kohës ta përcaktojë këtë, e rëndësishme për ne në këtë moment është ta mbyllim vitin me sukses.

Cili nga lojtarët që kishte Partizani në vitin e titullit do t’i bënte më shumë punë skuadrës aktuale?

Lojtarët e atij sezoni kanë qenë shumë të mirë dhe kanë bërë maksimumin, edhe lojtarët aktualë kanë cilësi dhe po tregojnë versionin më të mirë të vetes së tyre. Nuk dua të vë në peshore asnjërin, të gjithë janë shumë të rëndësishëm.

Keni një mesazh për tifozët e kuq për derbin?

Mesazhi im për tifozët dihet. Këtë nuk e them vetëm për veten time, por në emër të të gjithë ekipit. U bëj thirrje të jenë sa më të shumtë në numër dhe të na përkrahin. Ata e dinë shumë mirë se sa të rëndësishëm janë për ne dhe sa emocione na dhurojnë. Mbështetja e tyre na jep potencial të madh dhe shpresoj të mos i zhgënjejmë. Do të japim maksimumin për ta dhe të festojmë të gjithë së bashku.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"