EKSKLUZIVE/ 50 gola në Superiore, Bregu: Magjia nisi te driblimi i parë, ja pse festova me bluzën hequr para kamerës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2021 | 21:30

EKSKLUZIVE/ 50 gola në Superiore, Bregu: Magjia nisi te driblimi i parë, ja pse festova me bluzën hequr para kamerës

Teuta ka zhvilluar një nga ndeshjet më të mira të sezonit, ku ndaj Laçit arritën një fitore me shumë vlera dhe më në fund skuadra durrsake tregoi potencialin e vërtetë që mbart. Pa dyshim meritë në këtë sukses ka edhe vlonjati Dejvi Bregu, i cili shënoi një gol të bukur që e ngjiti Teutën në krye të tabelës së klasifikimit.

Dejvi Bregu logo

FOTO: F.Hazisllari

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi u shpreh tepër i lumtur për golin dhe është i bindur që Teuta e ka stofin për titullin kampion. Goli që i shënoi Laçit ishte i nënti sezonal për Bregun, i cili po tregohet vendimtar për Teutën me kontributin e tij. Por, golin që i shënoi së fundmi Laçit, Dejvi Bregu e quan edhe si më të bukurin e karrierës së tij, aq më shumë që ku ishte edhe i 50-ti për vlonjatin në Kategorinë Superiore.

Nga 18 gola në elitë ka shënuar 25-vjeçari për Luftëtarin dhe Skënderbeun në dy sezonet që ka kontribuar për këto dy ekipe në Superiore. Edicioni më produktiv për Bregun mbetet ai i sezonit të shkuar me Skënderbeun, ku shënoi 10 gola. Por, me 10 ndeshje për t’u luajtur në këtë sezon, sulmuesi ka mundësi që ta përmirësojë rekordin personal. Ai sqaron edhe mënyrën e festimit të golit të fundit si dhe tregon dëshirën e tij për të qenë pjesë e Kombëtares.

Çfarë menduat kur nisët të driblonit, ishit i bindur që do të shënonit?

Ishte fraksion sekonde ai moment, pasi përballë kisha dy kundërshtarë. Kur driblova të parin, nuk u mendova më dy herë dhe u nisa drejt portës. Pa dyshim kisha shumë besim se ai top do të ndalej në rrjetë.

A është kjo fitorja me e rëndësishme për Teutën në këtë sezon?

Duke parë rëndësinë e ndeshjes, besoj se ishin 3 pikë shumë të rëndësishme dhe ky është goli më i bukur në karrierë. Është rastësi që është goli i 50-të në karrierën time në Superiore, ndaj dua t’ua dedikoj: dy presidentëve, lojtarëve, tifozëve, familjes dhe babait tim që e priste këtë gol.

Kjo fitore, a ishte një mesazh për rivalët e Teutës apo keni diçka më shumë për t’u thënë?

Ne shohim punën tonë. Nuk kam asnjë mesazh për rivalët tanë. Mesazhin e kemi brenda grupit tonë, ku duhet të jemi të bashkuar, pasi kemi një ekip shumë të mirë. Hoqët bluzën dhe ia treguat kamerës. Cila ishte domethënia e këtij festimi? Siç e preka dhe më lart ishte goli më i rëndësishëm për mua dhe ia dedikova babit që po e shikonte nga ekrani.

Gjatë kontaktit që patët me Ignjatoviç pretenduat për penallti. Mendoni se ju mohua 11-metërsh në këtë rast?

Nuk ka qenë, sepse e sqarova edhe me Ignjatoviçin. Thjesht më pengoi hapin dhe nuk ishte penallti.

Teuta bashkëkryeson me Vllazninë, besoni se do ta mbani kreun dhe do të jeni ju kampionët në fund?

Gjithmonë kemi besuar te titulli, pasi e dimë forcën tonë. Për mendimin tim në këtë fazë jemi skuadra më e mirë dhe ne kemi besuar nga fillim deri në fund. Kemi të gjithë potencialin për ta mbyllur kampionatin në vendin e parë.

Çfarë ju pëlqen më tepër nga jeta në qytetin e Durrësit?

Në Durrës më pëlqen çdo gjë, qytet i qetë dhe komod për një futbollist. Ndihem shumë mirë dhe shpresojë që në fund ta arrijmë titullin për tifozët dhe klubin, pasi kanë vite që e presin.

Ushqimi juaj i preferuar?

(Qesh)… Ushqimi i preferuar është peshku.

Po kaloni një moment të mirë në kampionat. E prisni një ftesë nga trajneri i Kombëtares, Edi Reja?

Kombëtarja është ëndërr për çdo futbollist. Nuk e kisha problem të isha pjesë e Kombëtares edhe në ndeshje miqësore.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"