31 vite nga goli i mohuar në Uembli, Demollari: Mbeta një natë pa gjumë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2020 | 0:03

31 vite nga goli i mohuar në Uembli, Demollari: Mbeta një natë pa gjumë

UVIL ZAJMI

26 prill 1989, mbrëmje tipike britanike, në Uembli, AngliShqipëri, minuta e 42-të, mijëra spektatorë në mitikun londinez do të heshtin. Në tabelën gjigante elektronike do të shkëlqejë fjala “Goal,Goal”, e nga zëri i telekronistit do të dëgjohet: “Demollari…what a terrific goal…”, e pas disa sekondash i befasuar: “…Është një gol i pavlefshëm…”, do të shprehej ai. Sa herë që vjen muaji prill, për Sulejman Demollarin janë dy ditë, njëra pas tjetrës, që e rikthejnë pas në kohë.

demollari

Emocionuese, të paharruara, tepër të rëndësishme për ish-mesfushorin, kapitenin dhe një ndër lojtarët më të shquar e popullorë të futbollit shqiptar, me klube dhe kombëtare. Një karrierë e nisur shumë i ri me Dinamon e Tiranës dhe e mbyllur bujshëm me atë të Bukureshtit. Pastaj trajner. Por ato dy data nuk i harron, madje i kujton me nostalgjisa herë që afrohet fundprilli. “Janë 26 e 27, ajo e vitit 1983 dhe e 1989-ës. Për ngjarjet që mbartin e kanë lidhje me karrierën time”, shprehet për “Panorama Sport” ish-asi dinamovit.

Demo, si e kaloni këtë periudhë?                                                                                                                                                                    Respektoj rregullat. Më mungon lëvizja, se nga një jetë aktive e përditshme, në një izolim të frikshëm. Një moment ky që më ka shërbyer duke iu rikthyer kohës, karrierës në njëfarë mënyre të lënë pas. Kam hapur foto dhe më janë rikthyer shumë kujtime. Midis tyre edhe ajo në “Uembli”. Privilegj i madh, por edhe i munguar për mjaft futbollistë. Unë kam pasur fatin të jem atje

Janë dy data, 26 dhe 27 prill, pak ndryshe për ju…
Janë të lidhura me karrierën kryesisht me Kombëtaren. Janë data të veçanta, sidomos e dyta. Kam debutuar me përfaqësuesen 19 vjeç, në Belfast, më 27 prill të vitit 1983, ndaj Irlandës së Veriut kur trajneri Rreli më aktivizoi që nga minuta e parë. Humbëm 0-1.

Shkojmë te data tjetër, ajo e 26 prillit?
Një e mërkurë tjetër, edhe kjo me fat, apo jo? Ishim në Londër, kujtoj lëvizjet, autobusët me dy kate, një atmosferë britanike, ndryshe nga ajo europiane. Pastaj mbrëmja në “Uembli” dhe shumë herë “të para”.

KAMERA

Jera, Nallbani, Demollari para fotografëve vendës

Në çfarë kuptimi?
E para herë që një grup i madh me futbollistë shqiptarë, në këtë rast Kombëtarja dhe ajo Shpresa, udhëtonte për në Angli; për herë të parë shkohej në Londër e do të luhej në “Uemblin” e madh, ku luante vetëm kombëtarja e zhvillohej finalja e Kupës së Mbretëreshës; e para herë veçanërisht për Nallbanin, Hasanpapën, Nogën, Bubeqin në kombëtare dhe në “Uembli”; për herë të parë himni shqiptar do të ekzekutohej në “Uembli”, ku për herë të parë u shënua një gol shqiptar, ndërsa në tabelën e madhe elektronike lexohej “Goal”, por…

Na shuani një kuriozitet, pse nga Tirana në Angli pati aq shumë ndryshime në skuadër?                                             Ndeshjet u zhvilluan afër njëratjetrës. E para në mars në Tiranë, 0-2, dhe e dyta në prill në Londër. Nga ajo e Tiranës nuk erdhën në Londër portieri Mersini, Josa dhe Minga. Me sa më kujtohet, pas humbjes në Tiranë, nga drejtuesit e federatës u mendua për një revolucion në Kombëtare.

Ndërkohë, Josa thotë se motivi ishte titulli, dueli Partizani-17 Nëntori…                                                                                Sigurisht, Josa e kujton mirë. Duke qenë se për titull luhej midis tyre, “për t’i demoralizuar”, nuk u morën tre lojtarët tiranas. Kjo nuk varej shumë nga Rreli që ishte edhe trajner i 17 Nëntorit, pasi kishte raste që kështu veprohej në ato vite. Ai mentalitet ishte. Kur u kthyem, u luajt Partizani-17 Nëntori që u mbyll 1-1 dhe Tirana siguroi titullin në atë sezon.

Rikthehemi në Londër Demollari, çfarë ndodhi aty?                                                                                                                            Impakti i parë me “Uemblin”, kur një natë para takimit bëmë stërvitje aty, në të njëjtën orë me ndeshjen. Jo vetëm stadium, ishte një tempull… Ishte si një qytet. Atë ditë në Ipsuiç luajti Shpresa, humbi 0-2, që drejtohej nga M. Zhega dhe V. Bici.

Demollari foto te Ura logo

Foto e fiksuar në “Tower Bridge” (krahu verior i “Tower Hamlets”), urë mbi lumin Tamiz, e lëvizshme, realizuar më 1894, një ndër simbolet e Londrës. Sipër: Iljadhi, Millo, Nallbani. Më poshtë, Noga, Gega, Hodja. Në mes: Bubeqi, Kepa, I. Bulka (përkthyes) Sh. Rreli, Ll.Heqimi (mjek), N. Cani kryetar i FSHF, gazetari B. Dizdari, A. Sulaj zv.trajner, Zmijani, Demollari. Ulur: Jera, A. Kokalari, Hasanpapa.

Vasil Bici kujton për një vendosje edhe të kurorave. Për çfarë bëhej fjalë?                                                                             Ndërsa ndaj Belgjikës, në 84-tën luajtëm në Hejsel, ku pas një viti ndodhi tragjedia, në Angli, më 15 prill, dhjetë ditë më parë, në stadiumin e Shefilldit, kishin humbur jetën 96 tifozë. Si në Ipsuç, ku u vendosën kurora, edhe në “Uembli”, para takimit u mbaj një minutë heshtje. Madje, në fushë zbritën drejtues të federatave, me ta edhe N. Cani, kryetari i FSHF-së, e na dhanë dorën. Takimin e panë edhe Shpresat, kujtoj R. Vata, Riza, E. Tahiri etj. Pastaj himni kombëtar. E kam dëgjuar dhjetëra herë të tjera në stadiume europiane, por në “Uembli” ishte ndryshe. Nuk e përshkruaj dot, edhe sot emocionohem kur e kujtoj.

Kombetarja

– Në “Qemal Stafa”, Shqipëria para atkimet me Anglinë, 0-2, mars 1989: Minga, Lekbello, Hodja, Gega, Mersini, Josa. Ulur nga e majta: Zmijani, Millo, Jera, Demollari, Shehu.

Mbërrijmë te “Demollari Goal”?
Ka qenë fundi i pjesës së parë, rezultati ishte 2-0, por ishin disa minuta kur po e qarkullonim ne topin. Pas një goditjeje këndi ekzekutuar nga unë, mbrojtja e largoi topin. Ishin disa pasime të gjata nga Jera, Millo, Zmijani, unë, pastaj Noga që ka zëvendësuar Hasanpapën, ky e pasoi tek unë.

Goli

Moment nga goli i realizuar nga Demollari

E menduat më parë veprimin? Sepse, ishte një goditje për notën 10…                                                                                  Ishte intuitive, marrja, goditja me trinë të plotë me të majtën me kthesë, me shpinë, pa e parë portën. Ishte një gjuajtje nga një distancë 17-18 m, pak diagonal. Pata siguri se nuk do të gaboja, duke ndjekur trajektoren deri kur topi përfundoi në të djathtë të Shiltonit, i cili u kap i papërgatitur. Një kombinim, saktësi dhe befasi. Pati heshtje në stadium, asnjë reagim nga Shiltoni. Lojtarët kundërshtarë ngrinë dhe më pas gëzimi im… Ishte emocion i madh.

gOLI DEMOLARI

Moment nga goli i realizuar nga Demollari

Gol në Uembli, një ëndërr, apo jo?…
Për një çast, një mijë mendime më erdhën në kokë.

Por, ishte ngritur një flamur lart. Pse kështu? 

Po festoja, kur papritur pashë flamurin lart të asistentit, madje isha pranë tij. Qëndronte statik, si i mpirë, nuk fliste. Ishin arbitra norvegjezë. Me Hodjen kapiten, reaguam të gjithë. Por, goli u anulua nga kryesori.

Demollari goli i anuluar

Protesta te asistenti norvegjez

Cili ishte motivi?
Asnjë motiv nuk kishte. Nuk pati marrje me dorë, asnjë faull nga unë, asnjë lojtar yni para portierit. Edhe nga pamjet filmike shihet qartë. Jo se ai gol do ta ndryshonte fatin e lojës, pasi epërsia e tyre ishte e dukshme dhe fituan 5-0, por në konferencën për shtyp pas ndeshjes, kur e pyetën trajnerin Robson, nëse do t’ia anulonin Anglisë një gol të tillë, ai tha: “Nuk e di çfarë do të ndodhte”.

Më treguat se nuk “bëtë analizë” në pushim. Pse?                                                                                                                                 Kush e kujton, në “Uembli”, në ato vite, në pushim, lojtarët anglezë vraponin drejt dhomave të zhveshjes. Kjo, sepse nga fusha deri tek ato është larg. Ne nuk e dinim dhe kur arritëm atje, “na priste arbitri për të filluar pjesën e dytë”. E them me humor, pasi nga koha e humbur sa u futëm në dhomat e zhveshjes, dolëm.

Keni lënë diçka te “Libri i Uemblit”?                                                                                                                                                             Në darkën që u organizua në një nga restorantet në mjediset e brendshme të “Uemblit”, lojtarë dhe drejtues, në përfundim të saj, linin një shënim në “Librin e kujtimeve”. Edhe unë shkrova diçka, e veçantë, nëse do të lexohej sot.

Nga Shilton, Lineker, Gaskonj te Robson. Shumë yje Anglia asokohe, apo jo?                                                                        Lineker ishte i shpejtë, shënoi golin e parë, ndërsa Gaskonj nuk luajti në Tiranë, u aktivizua në pjesën e dytë në ndeshjen e kthimit dhe shënoi golin e fundit. Me sa më kujtohet, edhe për të ka qenë ndeshja e parë me kombëtaren. Kam markuar kapitenin Robson, që pas takimit më dhuroi fanellën. Atë ndeshje e kujtoj edhe për portierin Nallbani. Blendi u paraqit shumë mirë dhe befasia për anglezët ishte mosha e tij: 17 vjeç, e para në Kombëtare dhe në “Uembli”.

Fanella

-Fanella me nr 7 e Robson, dhuruar Demollarit pas takimit

U rikthyet si trajner në Angli dhe gazetarët jua kujtonin golin e anuluar… Si e përjetuat?                                               Ishte një eksperiencë që zgjati pak, siç ndodh me trajnerët, karriera e të cilëve varet nga një gol, fitore apo humbje. Isha trajner i Kombëtares bashkë me Josën në shtator 2001, EKB, Angli-Shqipëri 2-0, në Njukasëll, jo në “Uembli”, pasi anglezët kishin nisur të luanin edhe jashtë Londrës. Në konferencë për shtyp, një gazetar më pyeti: “Demollari, juve jua kanë anuluar padrejtësisht një gol në Uembli, pse?”. Unë iu përgjigja me humor: “Nuk kam çfarë t’ju them. Mund të pyesni arbitrat”. Por, kuptova se nuk e kishin harruar, u kishte mbetur në mendje edhe atyre ai gol.

Si do t’i përshkruanit trajnerët e Kombëtares, me të cilët keni punuar?                                                                                   Nga Rreli, tek A. Sulaj që fatkeqësisht nuk jetojnë, kam konsideratë të lartë. Pastaj Birçe dhe për ta mbyllur me Bajkon. Shiritin e kapitenit e kam marrë me Rrelin pas Anglisë. E kam mbajtur për herë të parë në Stokholm, në shtator 1989, luhej Suedi-Shqipëri 3-1 dhe e kam “dorëzuar”, nëse nuk gaboj, në Kishiniev, në qershor të vitit 1995. E fundit si lojtar kuqezi ka qenë ajo me Bullgarinë në “Qemal Stafa, 1- 1, shtator i vitit 1995, kur zëvendësova Bozgon. Ato kanë qenë minutat e fundit me Kombëtaren, 12 vite, afërsisht 50 ndeshje

Demollari Bushi

– Njukasëll, 2002, Angli Shqipëri 2-0, Demollari trajner i kombëtares. Me të edhe zyrtari i FSHF-së, A. Gjashta, A. Bushi dhe D. Muka.

Çfarë do të kujtonte sot pas 30 vitesh “Demo” nga ai udhëtim?
Shumë, por sigurisht, udhëtimin, mbërritjen në Londër, akomodimi në hotel, nata e parë londineze. Pa gjumë, ankthi, emocionet, mendoni të jesh në Londër, do të luash në “Uembli”. Mijëra mendime, fantazi pa fund. Do të isha i pari shqiptar që do të shkelja në barin, fushën ku kishin luajtur legjenda. Aty Anglia kishte marrë Kupën e Botës, më kujtohej eliminimi dramë me Poloninë e portierit Tomashevski, histori pa fund sportive, të para në filma dhe TV.

Pastaj dita e ndeshjes, përgatitja, nisja me autobus të shoqëruar nga policia, himni, ndeshja dhe 90 minutat që kaluan shumë shpejt. Keqardhja për golin dhe kthimi natën vonë në hotel. Një tjetër natë e gjatë pa gjumë. Kisha të tjera emocione, e riktheja ndërmend dhe më shfaqej si një film, por anulimi i golit nuk më ndahej duke e risjellë të detajuar në vetvete.

Demollari, për lexuesit e “Panorama Sport”, cili ka qenë goli më i bukur në karrierë?                                                     Ai në “Uembli”, edhe pse nuk u vlerësua i rregullt nga arbitrat. Ajo është edhe ndeshja më e veçantë e karrierës, jo më e bukura, por unike, e papërsëritshme.

UVIL ZAJMI – PANORAMASPORT.AL

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"