EKSKLUZIVE/ 28 orë në aeroport, Sabjen Lilaj rrëfen udhëtimin “sfilitës” drejt Izraelit: Ja si e “vramë” kohën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2020 | 16:17

EKSKLUZIVE/ 28 orë në aeroport, Sabjen Lilaj rrëfen udhëtimin “sfilitës” drejt Izraelit: Ja si e “vramë” kohën

Rikthim “sfilitës” i  Sabjen Lilajt dhe Jahmir Hykës, drejt Izraelit, pas “pushimeve” 2 mujor në Shqipëri për shkak të pandemisë së Koronavirusit.

Lilaj-Hyka

Dy futbollistët shqiptarë, iu është dashur të qëndrojnë plot 28 orë në aeroportin e Frankfurtit në Gjermani, për shkak të situatës kaotike dhe boshllëqeve të shumta të linjave ajrore. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ish-mesfushori i Skënderbeut, Lilaj, ka rrëfyer këtë sakrificë të bërë duke u shprehur:

“Nuk kisha ngelur në aeroport, por ishte e vetmja mundësi për t’u bashkuar me ekipin para se të fillonte kampionati, sepse siç dihet, duhet të rri 14 ditë në karantinë. Bashkohem me grupin 3 ditë para ndeshjes së parë. Ishte një sakrificë nga ana jonë, isha së bashku me Hykën. Klubi e kishte organizuar mjaft mirë këtë pjesë dhe na i bëri më të lehtë situatën”, u shpreh fillimisht Lilaj.

I pyetur se kush e vuajti më shumë këtë pritje të tejzgjatur në aeroport dhe si e “vranë” kohën gjatë qëndrimit 28 orësh, mesfushori nga qyteti i Maliqit tha:

“Të dy njësoj e vuajtëm, por duke qenë se ishim bashkë koha kaloi shpejt. Gjithsesi ishim përgatitur për këtë pjesë. Secili kishte krevate portativë në një zonë të veçantë në aeroport, kështu që kemi fjetur si në një ditë normale. Kafet dhe McDonalds ishin hapur, ishte më e thjeshtë”.

lilaj5

Futbollistët shqiptarë duhet të qëndrojnë tashmë 14 ditë në karantinë për t’u bashkuar më pas me grupin. Klubi izraelit duket se i ka marrë të gjithë masat për t’iu siguruar kushtet optimal, në mënyrë që mos jenë shumë gati me pjesën tjetër të grupit.

“Jemi në një hotel të presidentit të ekipit diku në Jerusalem. Nuk ka njerëz të tjerë vetëm ne 4 futbollistë të huaj. Po rrimë në karantinë por kemi mundësi dhe të stërvitemi në hapësirat e hotelit”, tregoi Lilaj.

Në fund 31-vjeçari foli edhe për situatën aktuale në Izrael si dhe për rifillimin e kampionatit, pas pezullimit të gjatë prej afro 3 muajsh.

lilaj5

“Situata këtu në Izrael është e qetëtë. Është e hapur pothuajse çdo gjë dhe gjithçka po shkon drejt normalizimi. Normalisht që më mirë që do të fillojë futbolli. Këto 2 muaj pa stërvitje ishin vërtet të vështira për t’u shtyrë. Për mua ishte hera e parë pas shumë vitesh që bëj 2 muaj pushim, kështu që mezi po prisja të fillonte kampionati.

U interesuam që të bënim tamponët që tani dhë për të rifilluar direct stërvitjen, por nuk na është pranuar nga ana e ministrisë. Për sa i përket pjesës së testimeve para ndeshjes, nuk kam ende informacion”, përfundoi Lilaj.

ILDI MEROLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"