EKSKLUZIVE/ 20 vjet nga titulli i humbur, ish-futbollisti i Tomorit i drejtohet Shkëlqim Muçës: Na i shpjego si barazuat me Luftëtarin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 3, 2020 | 0:14

EKSKLUZIVE/ 20 vjet nga titulli i humbur, ish-futbollisti i Tomorit i drejtohet Shkëlqim Muçës: Na i shpjego si barazuat me Luftëtarin (E PLOTË)

Ish-sulmuesi i njohur i Tomorit, Saimir Maloku, e quan poshtërsi atë që FSHF u ka bërë beratasve në sezonin 1999-2000. Lojtari që u kthye në një idhull të tifozëve të Tomorit, tregon ekskluzivisht për “Panorama Sport” emocionet e mëdha që ka përjetuar në sezonin 1999- 2000. Ish-sulmuesi nga Fushë-Kruja, që erdhi i panjohur në Berat, më pas u bë pjesë e historisë, duke formuar një dyshe për t’u pasur zili me kryegolashënuesin e atij kampionati, Klodian Arbri.

Maloku

Saimir Maloku dhe Afrim Deliu kur luanin për Tomorin

Saimir, dy dekada më parë ishit pjesë e Tomorit nënkampion, skuadrës që bëri histori në sezonin 1999-2000. A mund të rikujtojmë disa momente nga ai sezon për lexuesit e “Panorama Sport”…?

Patjetër, me kënaqësi për lexuesit tuaj dhe tifozërinë e mrekullueshme beratase, që ishte fantastike në kohën kur isha pjesë e Tomorit. Më ngjall emocione fakti që po e tregoj atë histori. Isha pjesë e Laçit në sezonin 1998-1999 dhe në fazën e dytë kalova te Tomori me ftesë të trajnerit Kiço Mile, bashkë me qendërmbrojtësin Afrim Deliu. Më pas na u bashkua edhe mesfushori Besnik Hasa. Na pëlqeu projekti i teknikut Mile, i cili na foli për ambiciet e Tomorit, që kërkonte pjesëmarrjen në Europë, pasi kishte mbështetjen e fuqishme financiare të presidentit të ndjerë, Adrian Çobo. Dua të kujtoj një detaj interesant: para se të vija te Tomori, i kisha shënuar kur luaja me Ilirinë.

Si vijoi rrugëtimi juaj me Tomorin, si ju pritën dhe a patët probleme me ambientimin?

Nuk e kishim imagjinuar atë mikpritje dhe atë ambientim të menjëhershëm. Vinim nga Fushë-Kruja dhe dallonim si futbollistë që kishim karakteristika të njëjta ata të Tomorit, sepse luanim fort fizikisht dhe ambienti i zjarrtë sikur na elektrizonte. Kjo na futi pa asnjë problem në rrjedhën e skuadrës. Unë dhe Deliu e nisëm titullarë dhe ashtu vazhduam derisa u larguam.

E nisët me gol te Tomori, duke fituar menjëherë respektin e drejtuesve dhe tifozëve beratas…

Po, ishte një fitore dramatike, me përmbysje 2-1 në pjesën e dytë me Apoloninë në Berat. Kam shënuar golin e parë, që më çoi në ekstazë mua dhe tifozerinë në një ndeshje “vaterloje” për shkak të shiut. Ndeshja në Laç ishte ndeshje karakteri, pasi luanim bashkë me Deliun si kundërshtarë në një fushë shumë të vështirë.

Nuk munguan provokimet e drejtuesve dhe as sharjet dhe ofendimet e tifozërisë vendëse. Kemi luajtur ndershëm, pa asnjë lloj frike nga presioni. Laçi luftonte për mbijetesën dhe atë sezon ra nga kategoria. Ajo ndeshje në fund dha një shfaqje të shëmtuar, sepse Dedë Ndreca dhunoi me shkelma mbrojtësin tonë, Eduard Aliaj.

Tomori që në sezonin 1998-1999 bëri një paraqitje të shkëlqyer, aq sa për pak nuk kapi Kupën UEFA…

Mendoj se nga vendi i 14- të, ku e nisëm fazën e dytë, shkuam shumë larg, aq sa për 1 pikë diferencë u dogjëm nga pjesëmarrja në Kupën UEFA. Atë fazë të dytë na veçuan si një skuadër të fortë dhe cilësore, sepse morëm dy barazime në fusha ferri si Laçi dhe Peqini, por hodhëm edhe piketat për sezonin 1999- 2000, kur Tomori do të bënte historinë në futbollin shqiptar. Kisha fatin të isha pjesë e atyre emocioneve të mëdha.

Krista Mile Tomori

Saimir Maloku, Kristaq Mile, Afrim Deliu, Besnik Hasa dhe Ismet Ajazi duke festuar pas fitores me Tiranën në vitin 2000 FOTO: E.Spahiu

Si do ta vlerësonit atë projekt, që e bëri Tomorin të pretendont për titull, duke rivalizuar me Tiranën?

Piketat u hodhën, siç e thashë, fazën e dytë të kampionatit të mëparshëm. Së pari, ishte investimi i jashtëzakonshëm i ish-presidentit Adrian Çobo dhe familjarëve të tij. Ata bënë një investim kolosal, ku trajtimi financiar dhe premiot për rezultatet pozitive ishin një shtysë për gjithë skuadrën. Gjithçka funksiononte në harmoni të plotë, ishim si një familje, por edhe me drejtuesit e klubit, tifozët, pushtetin vendor, biznesmenë e dashamirës që sponsorizonin. U krijua një atmosferë e ndezur dhe të gjithë kanë nostalgji për mënyrën si ndizeshin stadiumet kur luante Tomori.

Po kontributi juaj personal, në çfarë niveli ishte?

Ne funksiononim si një skuadër kompakte, me një harmoni të shkëlqyer, ku disiplina e lartë e kërkuar nga presidenti dhe tekniku Mile na detyronte të luanim të gjithë për interesat e Tomorit. Kisha fatin të kisha si partner në sulm Klodian Arbrin, i cili doli shënuesi më i mirë i kampionatit. Shënova 12 gola, ku si më të bukurit do të veçoja ata të shënuar ndaj Dinamos dhe Partizanit, në dy fitore të rëndësishme në Berat. Po kështu, edhe loja e Deliut dhe Hasës ka qenë e niveleve të larta, e vlerësuar maksimalisht në atë kohë nga specialistët.

Në Berat zien debati dhe nuk mungojnë akuzat për atë titull, që e quajnë të vjedhur nga Tirana. Kanë folur për “Panorama Sport” shumë protagonistë të atij sezoni. Po ju, si e kujtoni?
Për aq sa ka ndodhur, ku në mënyrë të padrejtë një skuadre dhe një qyteti si Berati i është vjedhur një titull kampion, është logjike të ketë polemika jo sot pas 20 vitesh, por edhe për një shekull. Ishte një poshtërsi në dëm të Tomorit dhe që do të mbetet në histori brez pas brezi. Ajo që ndodhi ishte një farsë, sepse titulli i takonte Tomorit.

Ku i bazoni akuzat tuaja?
Ne luftuam shumë fort gjatë kampionatit dhe na vendosën pengesa në disa ndeshje, kujtoj në mënyrë të veçantë atë ndaj Skënderbeut në Korçë, ku barazuam 2-2. Kishim përpara një kundërshtar që luante me gjithë gjyqtarët për të na mundur. Na penguan të fitonim, duke na ndëshkuar mbrojtësin më shembullor, Fanin, me karton të kuq. E dinë ata që e organizuan këtë stërkëmbësh.

Harruat barazimin me Teutën në Berat, në një ndeshje që mund t’ju siguronte titullin pa luajtur finalen ndaj Tiranës?
Ndeshja me Teutën ishte një aksident fatal, që do të kujtohet gjatë, sepse kemi shpërdoruar edhe një 11-metërsh. S’ka dyshim që pengu më i madh i gjithë skuadrës dhe i drejtuesve e tifozëve do të jetë ai barazim dramatik. Por ka pasur shumë skenarë të tjerë të pistë në dëm të Tomorit, që u finalizuan me zhvillimin e finales në Elbasan.
tomori tirana
Çfarë skenarësh?
Donin të na thyenin para se gjërat të shkonin deri në atë finale të sajuar. Vetëm nuk kishin çfarë i bënin presionit në rritje të mbarë opinionit në Berat. Na dërgonin edhe gjyqtarë për të na dëmtuar, siç ishte rasti i Bujar Pregjës me Tiranën fazën e dytë në Berat. Së fundmi kam lexuar në mënyrë të turpshme se tekniku Muça përmend futbollistë të ndryshëm që kishte afruar te Tirana nga Gjirokastra. Dua ta pyes publikisht Shkëlqim Muçën: Mund të na thotë si barazoi me Luftëtarin në Gjirokastër? Ishte një ekuacion i tillë, i organizuar nga drejtuesit e FSHF-së me ata të Tiranës për ndeshjen shtesë. Askush nga këta zotërinj nuk flet qartë dhe shkoqur pse e çuan ndeshjen në Elbasan. Çfarë sjelljeje bëri policia e Elbasanit ndaj tifozëve beratas në hyrje të qytetit, por edhe në stadium e jashtë tij nëpërmjet të fortit të policisë, Edmond Koseni? Ndryshe u trajtuan skuadra dhe tifozëria e Tiranës dhe ndryshe ne dhe tifozëria e Tomorit. Që në nxehmje pamë një terror psikologjik në fushë dhe shkallët e stadiumit. Tifozëria beratase dhunohej nga policë që bridhnin në fushë deri te shkallët e stadiumit. Tirana nuk fitoi me Tomorin as në kampionat dhe as në ndeshjen shtesë. Ishte FSHF ajo që ia shtroi “tapetin” e titullit. Titullin moral dhe real në fushë e mori Tomori, ndërsa Tirana mori titullin e tavolinës.

Çfarë marrëdhëniesh keni me lojtarët e asaj kohe dhe tifozërinë beratase?
Ruaj respekt maksimal për ish-skuadrën dhe tifozërinë më të mirë e më të zjarrtë në Shqipëri. Shkuam si të panjohur dhe u kthyem heronj në Berat. E ndiej veten pjesë të asaj skuadre dhe atij qyteti shumë futbolldashës. Shkruam historinë te Tomori dhe dashuria është si 20 vite më parë. Nuk e harroj mënyrën si na trajtonin presidenti Çobo e sekretari Ajazi në hotel “Turizmi”, ku na rrethonin tifozët. Kishim një taksi në dispozicion gjithë kohës për vajtjeardhje nga Berati në FushëKrujë. Në Fushë-Krujë dhe Krujë të gjithë mbështesnin Tomorin 20 vite më parë. Tomori i atij sezoni ishte si përralla e Hirushes.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"