20 vite nga vrasja e arbitrit Luan Zylfo, rrëfehet Janku: Në spital më tha “Ia hodhëm vëllaçko”, ja çfarë ndodhi pas ndeshjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2020 | 22:55

20 vite nga vrasja e arbitrit Luan Zylfo, rrëfehet Janku: Në spital më tha “Ia hodhëm vëllaçko”, ja çfarë ndodhi pas ndeshjes

UVIL ZAJMI

E shtunë 13 maj, viti 2000… Mesditë e nxehtë, luhet java e parafundit e kampionatit në “Selman Stërmasi”. Sapo ka përfunduar Partizani-Tomori 0-1, gol i K.Arbërit në minutën e 89-të, ndërsa në Gjirokastër SK Tirana ka barazuar 1-1 dhe në renditjen provizore, Tomori e Tirana janë në krye me 49 pikë. Pak njerëz janë në sheshin para stadiumit, familjarë, të afërm dhe miq që presin futbollistët. Bashkë me ta kanë dalë edhe arbitrat.

luan zylfo

Pas pak, papritur, në një lokal aty pranë, janë dëgjuar të shtëna arme: njerëz të frikësuar që largohen, situatë ankthi, frikë, zëra që bërtasin për ndihmë. Çfarë ka ngjarë? Gjithçka në pak minuta, pastaj lajmi i tmerrshëm: Është vrarë presidenti i Tomorit dhe janë plagosur arbitrat.

Pak më vonë njoftimi tjetër tronditës: Edhe arbitri Luan Zylfo ka humbur jetën! Nga ai 13 maj kanë kaluar 20 vite, por ajo mesditë asnjëherë nuk do të harrohet. Albano Janku, isharbitër i FIFA-s, që ishte edhe i katërt në atë takim, u plagos rëndë. I rikthehet sot ngjarjes, ndonëse e ka të vështirë për shumë arsye ta kujtojë me detaje.

Janku, vlerësim i madh për ndeshjen, kjo ishte edhe arsyeja se përse u zgjodhën arbitra të FIFA-s, apo jo?

Ishte një kërkesë, më shumë e Tomorit, që për atë ndeshje të ishin arbitra të FIFA-s. FSHF caktoi Luan Zylfon, me eksperiencë, si dhe dy asistentë të FIFA-s, Sh. Lamçen e S. Hogun. I katërt isha unë. Të gjithë nga Tirana. L. Konçi ishte vëzhgues, delegatë ishin H. Hitaj dhe i ndjeri V. Zëri. Kujtoj që për Zylfon, kjo ishte ndeshja e fundit e karrierës.

Pse u ulët pas ndeshjes për kafe?

Ndeshja filloi në orën 15:00 dhe unë nga puna shkova në stadium. Shumë vapë, pak tifozë, më shumë ishin beratas. Ndeshja nuk pati asnjë problem dhe kur po dilnim, menduam të pinim me shpejtësi diçka freskuese. U ulëm te një ish-lokal, “Shelgu” apo “Gjethja”, nuk më kujtohet emri, përballë hyrjes A të tribunës. Ishim vetëm ne arbitrat, Agim Veshi, shoferi i FSHF-së. Kujtoj se Luani nuk donte të vonohej, se e priste gruaja me fëmijët në “Qemal Stafa”, ku në orën 17:00 do të luhej për herë të parë një miqësore e politikanëve Shqipëri-Itali. Luani përgatitej ta martonte vajzën në atë kohë, unë kisha bojaxhiuan në shtëpi e rreth këtyre po bisedonim. Menduam që nga lokali, me makinën e Agimit, të çonim Luanin në stadium dhe pastaj mua në shtëpi.

Zylfo Luan

Dhe çfarë ndodhi?

Sapo u ulëm, vijnë për të pirë diçka edhe Adrian Çobo, “Zhaku”, kështu e thërrisnin, me një shok të tij dhe Dritan Shakohoxhën. Ftuam edhe dy policë, që ishin aty, bashkuam dy tavolina, në njërin krah ishim ulur në vijë të drejtë Zhaku, Luani dhe unë. Të tjerët anash e përballë. As 2-3 minuta pasi porositëm, papritmas një dorë dhe një revole, pas shpine, qëlloi disa herë. As nuk e pamë personin, vetëm kur dëgjuam të shtënat.

Situatë paniku, çfarë ndodhi kur patë të plagosurit pranë?

Ulërima, çaste paniku, terrori, frike, ankthi, pasigurie… Kam parë njerëz që largoheshin dhe dy policët që u vunë në ndjekje të autorit. Asgjë nuk mora vesh, vetëm kur i pashë në tokë kuptova se plumbat kishin goditur Zhakun dhe Luanin. Unë mora në krah menjëherë Luanin, por pa bërë as tre hapa, rashë edhe unë. Isha plagosur dhe gjaku më rridhte poshtë bluzës, por nuk e kuptoja. Ndërkohë, Agimi e mori Luanin, e shtriu në sediljen e pasme, se ai nuk qëndronte në këmbë, i binte të fikët. Ndërsa mua më mori Shako, e pasi më ngriti, më sistemoi në makinë e me shpejtësi të katërt u drejtuam drejt Spitalit Ushtarak. Ndërsa Zhakut i erdhën në ndihmë miku dhe të tjerë, aq sa më kujtohet në ato rrethana paniku, ku as nuk ke kohë të mendosh dhe jo më të veprosh.

Çfarë ndodhi në spital?

Na futën në urgjencë, të parin që e mjekuan ishte Luani, pastaj mua, e ndërsa u shkëmbyem të shtrirë në krevatet lëvizëse, Luani ngriti kokën, më pa dhe me humor më tha: “Ia hodhëm vëllaçko”. Duke më mjekuar, dëgjoja që i kishin mjekuar dorën, pasi një plumb rikoshet e kishte plagosur aty, ndërsa plumbin që e kishte në qafë nuk ia kishin hequr. Agimi u nis të blinte në një farmaci një qafore, pasi kështu i thanë mjekët. Kujtoj se afër meje, në krevat kam parë të shtrirë pa jetë të ndjerin Zhaku.

Në dijeninë time, pati britma dhe situata u tensionua jashtë mase, pse?

Ndërsa ishin duke më përgatitur të më transportonin në pavijon, kam dëgjuar thirrje, britma: “Trombozë, trombozë, shpejt, shpejt, urgjent…!” Më nxorën e me nxitim sollën një person të shtrirë në krevat. Ishte Luani… E rifutën sërish në sallë. Ndërsa mua më hipën në pavijon dhe në orën 5 të mëngjesit të ditës tjetër jam përmendur.

Edhe ju Albano ju plagosën rëndë…

Ishte një plumb që më kishte hyrë poshtë barkut, më kishte çarë kockën e legenit, te kofsha e majtë e dalë jashtë. Fati, siç më thanë mjekët, ishte që nuk kishte prekur pjesë të barkut duke kaluar në inde të buta. Këto e çfarë kishte ngjarë i mora vesh pas disa ditësh, se i pata humbur kontaktet, pasi askush nuk më tregonte, madje ma fshihnin.

Rikuperimi ishte i vështirë dhe në spital qëndrova gjatë. Ajo ka qenë dhe mbetet një ngjarje tronditëse, që e kujtoj veçanërisht sa herë vjen maji. Jo vetëm për mua, për Luanin që nuk jeton, familjen e tij

UVIL ZAJMI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"