EKSKLUZIVE/ Dy largime të tjera te Laçi, futbollisti shkodran mbyll aventurën me kurbinasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2020 | 8:33

EKSKLUZIVE/ Dy largime të tjera te Laçi, futbollisti shkodran mbyll aventurën me kurbinasit

Mesfushori me tipare sulmuese, Uendi Vecaj, është largimi i katërt nga Laçi pas përfundimit të sezonit 2019-2020. Pas portierit Dimitri Stazhilla, mbrojtësit Eglentin Gjoni dhe sulmuesit Bedri Greca, 23-vjeçari shkodran u ka dhënë lamtumirën kurbinasve prej ditësh. Në fakt, lajmi është mbajtur i fshehur nga ana e klubit, por lojtari nuk është paraqitur prej ditësh në stërvitje.

Vecaj

“Panorama Sport” mëson se palët kanë prishur marrëveshjen, teksa vlen të theksohet se në ndeshjet e fundit në kampionat, trajneri Armando Cungu nuk e ka grumbulluar Vecajn. Pas pjesës së parë të sezonit si pjesë e Teutës, mesfushori luajti vetëm 6 ndeshje me Laçin në gjysmën e dytë të kampionatit. Tashmë shkodrani do të ndryshojë sërish skuadër.

STAFI – Kurbinasit bëjnë merkato edhe në staf. Prej disa ditësh pjesë e skuadrës kurbinase është bërë përgatitësi atletik, Alban Shala. Ky i fundit prej kohësh ka qenë pjesë e stafit teknik të Lirisë së Prizrenit. Gjithashtu kosovari është edhe pjesë e stafit të Kombëtares së Femrave të Shqipërisë.laci

Ai ka rënë dakord me klubin kurbinas që këtë edicion të jetë pjesë e tyre, duke kompletuar në këtë mënyrë stafin. Ndërkohë, pak ditë më parë është larguar edhe zv.trajneri Klevis Hima. Ky i fundit, pas disa vitesh në rolin e ndihmëstrajnerit, ka vendosur të shkëpusë marrëdhëniet me klubin dhe të shikojë të tjera alternativa për të ardhmen.

RIVALI – Laçi do të luajë më 27 gusht në Azerbajxhan ndaj skuadrës vendëse, Keshla, pikërisht në stadiumin “Shafa” të Bakusë, në orën 19:00. Pak ditë para kësaj ndeshjeje, rivalët e Laçit kanë ndryshuar trajnerin. Klubi i ka besuar drejtimin trajnerit 55-vjeçar, Junis Husejnov, i cili ka drejtuar më parë klubin Kapaz dhe Khazar Lankaran. Kjo lëvizje është komentuar si hap shumë pozitiv në mediat azere.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"