EKSKLUZIVE/ 17 vjeç në “Uembli”, rrëfimi special i Nallbanit: Ofertë të qëndroja, kisha frikë nga… Spaçi (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2021 | 16:13

EKSKLUZIVE/ 17 vjeç në “Uembli”, rrëfimi special i Nallbanit: Ofertë të qëndroja, kisha frikë nga… Spaçi (E PLOTË)

Shqipëria e ka një element historik për t’u krenuar ndaj Anglisë: Në stadiumin “Uembli”, portieri më i ri që ka debutuar përballë “Tre Luanëve” është ende Blendi Nallbani, 17 vjeç. Ish-portieri i Kombëtares rikthehet pas në kohë për të kujtuar gjithçka ka ndodhur në vitin 1989.

Nallbani

Për “Panorama Sport”, “Tata” tregon momentin kur u njoftua se do të ishte portier i Kombëtares së madhe, udhëtimin dhe qëndrimin në Angli si dhe emocionet e sfidës me të paktën 60 mijë tifozë në mitikun anglez.

Ish-portieri deklaron se ka parashikuar ndër të parët mundësinë e kualifikimit në Europian të Shqipërisë dhe tanimë bën prognozën se deri ku mund të arrijë skuadra e drejtuar nga Reja. “Kur anglezët më pyesnin: ‘A ke dëshirë të qëndrosh’, mua më vinte ndërmend burgu i Spaçit dhe çfarë mund t’i ndodhte familjes. Po si t’ua shpjegoja unë këtë”, rrëfen ndër të tjera ish-gardiani kuqezi.

Si ndodhi që ju ftuan në Kombëtaren A përpara ndeshjes me Anglinë?

Ka qenë një ndeshje mes Partizanit dhe Flamurtarit, në fundin e marsit 1989. I ndjeri Agron Sula ka qenë trajneri i dytë i Kombëtares, pas trajnerit të parë Shyqyri Rreli. Me Flamurtarin humbëm 1-0, por kam bërë paraqitje të mirë. Në këtë periudhë, unë luaja edhe me të rinjtë e Kombëtares, por edhe me Shpresat. Isha shumë i ri, por rastisi që i kapa të tria moshat. I ndjeri Sula më ka pritur pas ndeshjes dhe më tha: “Urgjentisht duhet të paraqitesh në Kombëtaren A, te kompleksi ‘Dinamo’”. Unë e kisha marrë shkresën për Shpresat në Angli.

Çfarë ndjesie ishte për këtë ftesë të parë nga Kombëtarja A?

Emocion i paparë. Unë isha në moshë shumë të re dhe mendja e të riut është “çfarë fluturon, hahet”. Por, pavarësisht kësaj, kisha edhe turp dhe një lloj sikleti, sepse bëhej fjalë që të luaja me figura të futbollit shqiptar, nisur nga Sulejman Demollari, Hysen Zmijani, Skënder Hodja, Artur Lekbello etj., etj., etj. Unë luaja kundër tyre edhe me Partizanin, duke qenë pjesë e ekipit të parë, por të isha në Kombëtare me ata, ishte një emocion i veçantë. Por, emocionet nuk mbaronin me këtë, sepse sapo mbërrita më thanë: “Nëse luan ti, thyen rekord botëror sepse asnjë nuk ka luajtur 17 vjeç në ‘Uembli’”.

blendi-nallbani

Si u përgjigjet kundrejt gjithë kësaj situate?

Më besoni, që sot emocionohem ndoshta edhe më shumë. Atëherë kush pyeste… Në atë moshë nuk mund të thosha asgjë, veçse të isha gati ku të kishte nevojë atdheu (qesh…). Kombëtarja është eveniment.

Çfarë ju bëri më tepër përshtypje në këtë grumbullim të parë?

Më bëri përshtypje dhe më erdhi keq, që Arben Mingën, Mirel Josën dhe Agustin Kolën nuk i morën. Atëherë e tillë ishte koha dhe regjimi. Më erdhi keq, sepse pavarësisht se unë me Tiranën kam fituar shumë trofe, por Partizani më ka rritur. Familja e Nallbanve ka qenë historikisht përkrahëse e Tiranës. Për mua, ishin figura të dashura nga fëmijëria.

Si u përgatitët për atë ndeshje?

Ç’të them…? Të tregoj që asokohe ne nuk kishim asgjë nga këto të brezit të sotëm, përgatitësh portierësh e kështu, shumëkush nga të rinjtë sot mund edhe të habitet. Megjithatë, unë isha portier i vetëm në Kombëtare për atë ndeshje. Edmond Kela, pjesë e Dinamos asokohe, erdhi si portier i dytë, nga ekipi Shpresa. Të luante me U-21, por jo me Kombëtaren A, vetëm të ishte në pankinë.

Nallbani, si ju pritën në Kombëtare, për vetë moshën e re që kishit?

Shoqërues i ekipit ishte ish-sekretari i rinisë asokohe. Rinisë them unë, por ç’lidhje kishte ai sepse ishte 60 vjeç. Ashtu ishin gjërat asokohe. E kujtoj, sepse debatoi me trajnerin Shyqyri Rreli duke i thënë: “Çfarë është ky? Ku e keni gjetur këtë kalama?” Etj., etj.”. Jo vetëm kaq, po u bë xheloz sepse vinin gazetarët anglezë dhe interesoheshin për të më intervistuar, për moshën dhe rekordin.

Kaq shumë vëmendje mediatike kishit atje?

Shumë, vërtet. Anglia për ne ishte diçka e paimagjinueshme. Atje mediat ishin shumë të zhvilluara dhe të shumta. Ndodhte të vonohesha shumë herë duke qenë para mediave në intervista dhe i ndjeri Lefter Millo, me të cilin kam qenë në dhomë, ma sillte ushqimin në dhomë.

Si i jepnit intervistat, flisnit anglisht?

Kam qenë mirë në anglisht, por edhe doktori Lluka Heqimi më ndihmonte.

Nallbani, po ajo foto me këmbët mbi tavolinë, çfarë historie ka?

Isha çun i bukur unë (Qesh…). Më tepër e kam bërë atë foto sepse kisha simpati për “The Beatles” dhe “Duran Duran”. Më thoshin edhe fotografët dhe gazetarët të qëndroja ashtu dhe u bë ajo foto.

Si ishte qëndrimi në Angli për disa ditë?

Përpara qëndrimit, më bëri përshtypje se kur mbërritëm në Angli, ishte një grup tifozësh nga Kosova të cilët kishin flamurin tonë me yll. Të gjithë vinin tek unë, si tifozët dhe mediat e pranishme. U bë shumë e sikletshme për mua. Jo vetëm kaq, por ishte hera e parë për Kombëtaren tonë që të kishim kostume zyrtare, serioze. Ç’kostum e kollare mund të mbanim ne, kur shumica ishim nga 60 kilogramë (qesh…).

Nallbani

Çfarë interesi kishin mediat për 17-vjeçarin, portierin më të ri në “Wembley”?

Në pyetjet e tyre, nuk ndaleshin vetëm te pasaporta ime, por analizonin nga vinim ne, si ishte vendi dhe komunizmi që ishte këtu. Kujtoj vështirësinë më të madhe kur më pyesnin: “Ke dëshirë të qëndrosh në Angli?”

Pse, çfarë vështirësie kishte kjo për ju?

Ju lutem, kthehuni pak në kohë. Kur ata më pyesnin mua për të qëndruar në Angli, unë direkt në mendje kisha burgun e Spaçit. Vërtet isha fëmijë, 17 vjeç, por mendjen e kisha te prindërit dhe familja se çfarë mund t’u ndodhte nëse unë çoja nëpër mend qëndrimin atje. Po si t’ua shpjegoja unë në atë moshë, me anglishte joperfekte, që prindërit e mi i priste burgu, internime dhe një mijë e një probleme.

Si ishte momenti kur dolët në fushë për nisjen e ndeshjes?

Kemi fluturuar të dielën drejt Anglisë, sepse e tillë ishte linja nëpërmjet Budapestit. Kemi bërë stërvitje të dielën në darkë, të hënën dhe më pas të martën në mitikun “Uembli”. Na u tha që janë shitur 87 mijë bileta nga 100 mijë ndenjëse që kishte stadiumi i vjetër. Kur dolëm në nxehmje, dhomat e kishin daljen në tribunën pas portave. Dhe habia e anglezëve kur unë dola në fushë ishte e madhe. Brohoritje dhe të gjithë u ngritën në këmbë, pasi isha i pari që dola në fushë. Kam dalë bashkë me të ndjerin Agron Sula dhe me Arbrin e Beratit. Nuk kishte atëherë një përgatitës portierësh… Emocion i jashtëzakonshëm. Ovacionet e të paktën 60 mijë tifozëve, për një 17-vjeçar, ishte mrekulli. Fat ishte që menjëherë doli Shilton, portieri i parë, dhe më hoqi një pjesë të peshës, sepse shihnin edhe atë e jo vetëm mua.

Si ishte fama juaj pas ndeshjes?

I kam takuar thuajse të gjithë. Pati edhe një pritje për delegacionin shqiptar, të gjithë ekipin në stadium pas ndeshjes. Për nder të thyerjes së rekordit, anglezët kanë një lloj tradite njësoj si kur inaugurohet një anije. U thye një shishe shampanjë për nderin tim.

Emri juaj është ende histori në stadiumin mitik “Uembli”. A besoni se Shqipëria mund të bëjë një tjetër histori për të dalë me rezultat pozitiv?

Nuk ishte i vetmi rekord emri im, pasi edhe Gaskonji luajti për herë të parë me kombëtaren dhe më bëri gol. Futbolli i sotëm e ka treguar që si me klube, edhe kombëtare, nuk ka shumë dallime. Ne asokohe kishim lojtarët më të mirë për kohën, mirëpo sot futbollistët e Kombëtares janë thuajse të gjithë në nivelet më të larta në Europë. Ndoshta edhe nga dëshira, por them se me pak kujdes, mund t’ia marrim një barazim Anglisë. Sigurisht, të jemi realistë se bëhet fjalë për një nga ekipet kombëtare më të mirat në botë, megjithatë kam dëshirë që të jem besimplotë siç edhe në vitin 2014. Menjëherë sapo është hedhur shorti, kam qenë me një rreth miqsh sportistë dhe gazetarë e kam thënë: “Do të shkojmë në Europian”. Dhe fakt është që ne luajtëm në Francë.

 

Po këtë herë, si e mendoni Kombëtaren, deri ku mund të arrijë?

Sipas meje, Anglia është një tjetër nivel. Nuk mund as të llogarisim fare se çfarë ndodh me të. Polonia mbetet shumë e fortë për ne, por sidoqoftë nuk dua ta mendoj se do të kemi dy humbje me të ende pa luajtur. Le të bëjmë pjesën tonë të detyrave në çdo ndeshje dhe të shohim se çfarë mund të marrim. Lufta jonë do të jetë me Hungarinë për vendin e tretë. Pastaj, sa më shumë, absolutisht që më mirë.

Si e patë Shqipërinë në Andorrë?

Morëm atë që deshëm, 3 pikët. Ju nënvizoj vetëm një fakt që bëhej fjalë për një skuadër të vogël me të cilat ne historikisht ose kemi barazuar ose jemi mundur, por mbi të gjitha, bëhej fjalë për një fushë me bar sintetik në një nivel si Andorra. Gjë e cila ua vështirëson lojën futbollistëve. Për të mos thënë që secili prej tyre ka pasur dhe frikë dëmtimin. Unë dua ta shoh Shqipërinë me Anglinë, Poloninë e Hungarinë, sepse Kombëtarja jonë është ngritur shumë në nivel.

Pse e thoni këtë?

Mjaft t’ju përmend 3 qendërmbrojtësit. Të tre nga Seria A: Roma, Atalanta, Specia. Ndoshta ndokush edhe mund ta vërë në dyshim nivelin që ka sot futbolli italian, krahasuar me ligat e tjera elitare, por do t’ju përgjigjem me një frazë që e dëgjoja shpesh nga im atë. “Me të vërtetë po del euro dhe ka shumë vlerë, por mos harro se dollari mbetet dollar”. Pra, Seria A mbetet pjacë e rëndësishme e futbollit italian.

OLSI TUJANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"