Te Turbina “rebelohen” për rrogën, problemit i jep zgjidhje bashkia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2019 | 14:58

Te Turbina “rebelohen” për rrogën, problemit i jep zgjidhje bashkia

Një grup lojtarësh të Turbinës kanë takuar dje në mesditë kryebashkiakun e Cërrikut, Andis Salla, për shkak të problemeve me pagat.Turbina

Zëvendëstrajneri Alfred Allamani, kapiteni Klevis Roshi, Mateos Levendi dhe Elis Xhelili, të shoqëruar edhe nga shefi i klubit, Engjëll Belshi, i kërkuan kryebashkiakut Salla që të likuidohen me rrogën e muajit nëntor në emër të skuadrës. Përgjigjja e drejtuesit të bashkisë ishte pozitive dhe ngërçi financiar tashmë duket i zgjidhur.

Për shkak procedurash bankare, lojtarët janë sqaruar se mund ta tërheqin pagën brenda datës 31 dhjetor. Turbina vjen pas një serie rezultatesh negative, madje presidenti Gentian Gjoka kishte paralajmëruar edhe masa ndëshkuese, megjithatë lojtarët kanë marrë garanci nga kryebashkiaku Salla për rrogën e muajit të fundit. Lojtarët duhet të presin pak ditë për të mbushur xhepat.

Te Turbina, përveç presidentit Gjoka, investon edhe bashkia, që tani drejtohet edhe nga një tifoz futbolli si Salla, i cili ka premtuar një mbështetje më të fuqishme për vitin 2020, ku Turbina duhet të luftojë për qëndrimin në Kategorinë e Parë.

Mariglen Miraka

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"