Ekipi i Kategorisë së Parë del “vullnetar” për të ndihmuar Superioren: Luani falas në fushën tonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2020 | 23:23

Ekipi i Kategorisë së Parë del “vullnetar” për të ndihmuar Superioren: Luani falas në fushën tonë

Tomori e nisi me fitore rrugëtimin në Kategorinë e Parë. Golat dhe loja bindëse përballë Elbasanit kanë mjaftuar për të shtuar entuziazmin në qytet dhe krijuar bindjen se ky sezon do t’i rikthejë në mesin e më të mirëve. Këtë e pohon edhe vetë administratori i klubit, në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”. Ismet Ajazi qartëson se skuadra është ndërtuar për elitën dhe me këtë trepikësh morën një sinjal për vazhdimësinë. “Fitorja me Elbasanin ishte një sinjal shumë i qartë në nisje të kësaj gare.
tomori apolonia
Treguam se jemi edhe ne këtu. E kemi nisur me këmbë të mbarë këtë sezon të ri dhe suksesi ndaj verdhebluve nuk ishte i papritur për ne. Puna e bërë gjatë fazës dhe mbi të gjitha profesionalizmi i stafit teknik me trajnerin Sinella në krye morën shpërblimin e duhur. Nota keqardhjeje patëm vetëm se erdhi ndaj ekipit të mikut tonë të mirë, Arben Laze. Forca e ekipit tonë dhe sinkronizimi i punëve mes klubit, bashkisë dhe donatorit Gramoz Toto është mesazh i qartë se Tomori është një nga pretendentët seriozë për ngjitjen në elitë”, u shpreh fillimisht administratori.

FTESA PËR SUPERIOREN
Në emër të klubit, Ismet Ajazi bën edhe një ftesë publike për të gjitha skuadrat që janë pa fushë në Kategorinë Superiore. Partizani, Kukësi dhe Tirana rivale po “vuajnë” në këtë nisje sezoni, por beratasit u japin një zgjidhje me kosto “zero”. “Kemi aktualisht një nga impiantet më moderne në Shqipëri, kur garancia dhe rendi janë maksimale. Kështu që, ftojmë publikisht të gjitha skuadrat e njohura të Superiores të cilat janë pa stadium, si Tirana, Partizani dhe Kukësi, që të vijnë dhe të luajnë gratis në fushën tonë. Në Berat janë kushtet më optimale të mundshme për të luajtur futboll të nivelit më të lartë. I ftoj publikisht në emër të klubit Tomori, të Bashkisë Berat dhe donatorit Toto, të vijnë që këtë të enjte për takimet e Kupës së Shqipërisë. Nuk dua të ma marrin si sfidë, por kjo ftesë vlen edhe për Partizanin, Tiranën dhe Kukësin. Janë të mirëpritur në Berat në çdo kohë dhe moment”, ka përfunduar administratori.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"