Ekipi detyrohet të spostohet për seancat stërvitore, Besa “braktis”… Kavajën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2022 | 16:07

Ekipi detyrohet të spostohet për seancat stërvitore, Besa “braktis”… Kavajën

Sikur të mos mjaftonte që nuk kanë stadium dhe prej vitesh enden ku të gjejnë për të luajtur ndeshjet, Besa “braktis” totalisht Kavajën. I ndërtuar një dekadë më parë, tapeti sintetik i aneksit stërvitor nuk i plotëson kushtet për të kryer një seancë normale. Ishte premtuar dhe pritet nga dita në ditë që ky tapet të ndërrohet, por derisa të ndodhë, ekipi ka vendosur që të zhvendoset në Rrogozhinë.

Bubeqi Besa

Pas marrëveshjes me drejtuesit e Egnatias, përgatitjet tashmë do zhvillohen në Lekaj. Sapo u kthyen nga faza përgatitore në Ersekë, Besa zhvilloi aty seancat stërvitore, por me startin e Superiores, aty stërvitej Egnatia nga ora 16- 18:00. Kështu, Besa është e detyruar të zhvillojë seancat në orën 8:30 të paradites. Kjo është vënë në zbatim dje, por do të vijojë edhe për disa ditë. Ndërkohë që Besa nuk stërvitet e nuk luan dot as në stadiumin e Luzit, që po ndërhyn në rikualifikimin e terrenit prej dy muajsh.

Në mungesë edhe të stadiumit “Besa”, kavajasit ndodhen në vështirësi. Kujtojmë se ndeshjet zyrtare si pritëse, Besa ka vendosur t’i luajë në stadiumin e Peqinit ashtu sikurse edhe bëri me Tomorin. Tani sytë janë nga FSHF-ja për të përshpejtuar ndërrimin e tapetit sintetik të aneksit stërvitor, që të paktën seancat stërvitore të zhvillohen në Kavajë. Vajtja çdo ditë drejt Lekajt, por edhe ndeshjet në Peqin janë një tjetër kosto e shtuar për shpenzimet e presidentit Bizhdili.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"