Ekipet e mëdha, kur Dinamo, Partizani dhe Tirana krijonin nga dy cikle

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2022 | 18:49

Ekipet e mëdha, kur Dinamo, Partizani dhe Tirana krijonin nga dy cikle

NGA UVIL ZAJMI

Cilat janë skuadrat e mëdha, ato që kanë shkruar historinë, protago niste të kampionateve kombëtare në futbollin shqiptar nga rikthimi i tij në vitet pas lufte deri në 1990? Nga e para Dinamo e Jarecit, pastaj Partizani i Spahiut, 17 Nëntori i Lym Allës, Vllaznia e Xhod Shaqirit, dominim i Dinamos me treshen e famshme, Partizani i Birçes dhe 17 Nëntori i Kolës, Mingës e Muçës. Pa harruar Besën me “tika-takën”, Shkëndijën e Konçit, Flamurtarin e jashtëzakonshëm europian apo Labinotin me titullin e harruar?

pjimage (27)

Secila me lojën, fizionominë, traditën, shkollën, trofetë e fituar. Një rikthim në edicione, formacione nga 1946 deri në 1990: klubet, futbollistët, trajnerët, skemat, strategjitë. Janë vite kur luhej pa të huaj, as presidentë, pa sponsorë e fanella të personalizuara, pa kontrata stratosferike, pa pagesa e transferime të bujshme. Ndeshje të paharruara, rezultate surprizë për mundësitë, kushtet, rrethanat, diktaturën.

Nga vitet e para pas lufte kur nis e riluhet normalisht me Vllazninë kampione dhe Partizanin e sapoformuar që ndajnë titujt, te sfidat, miqësoret e kohës ndaj Spartakut të Moskës, Zvezdës e Partizanit të Beogradit, Levskit të Sofjes. Me përfaqësuesen kampione të Ballkanit, e suksesshme edhe në disa takime miqësore, ato ballkanike e të Europës Qëndrore. Veçanërisht barazimi 0-0 me Hungarinë.

1950, DINAMO E GJINALIT DHE JARECIT, E MADHE QË NË START

Skuadra e parë dominuese që kur u shfaq ishte Dinamo e sapokrijuar. Një befasi e madhe, fituese e 6 titujve kampionë, në 7 edicione, nga të cilat 5 radhazi bashkë me 4 Kupa të Shqipërisë. Triumfuese e dyfishtë kampionatkupë që në debutim në sezonin 1950, pas fitoreve 1-0 (Kavaja), barazimit 2-2 (Boriçi, Gjinali, Parpani, Bonati) në kampionat dhe 2-1 (Bakalli, Jareci, Parapani) në finalen e kupës, të tria ndaj Partizanit.

280747485_2788603421447870_2384958546951265589_n (1)

1950/ DINAMO

Me emra të njohur, lojtarë të ish-skuadrave të tjera, Vllaznia, Partizani dhe menjëherë në elitë. Me uniformën e njohur bardhë ose blu e me shkronjë “D” në krahun e majtë, pa rivalë në një periudhë disavjeçare në panoramën futbollistike kombëtare, pesë vite e padiskutueshme në rivalitetin e madh të kohës me Partizanin, dy skuadra ushtarake, përfaqësuese të Ministrisë së Brendshme e të Mbrojtjes.

Një histori e nisur dhe e pandarë me Zihni Gjinalin, shpesh lojtar-trajner, një emër i madh, por mbi të gjithë me Skënder Jarecin, njeriun simbol për klubin. I tillë ishte nga dita e parë e krijimit si lojtar dhe më vonë si trajner. Filozofia e tij, ajo që ai krijoi kur luajti, loja akademike, me fantazi, një klasike që u ruajt në dhjetëvjeçarë, për t’u përcjellë deri në shekullin aktual.

Dinamo 1950-1956 përbëhej nga: Vogli, Shaqiri, Boriçi, Sherko, Murati, Peqini, Kavaja, Bakalli, Mirashi, Jareci, Gjinali, Vathi, Teliti, Cungu, Dashi, Vila, Haxhiu, Begeja, Tafmizi, Sheshi, Thermia, Xhani, Metani, Engjëlli, Fiqiriu, Verria, Gjyli, Daci, Qoshja, Rreli, Lubonja, Beliu, Alluni. I paharruar takimi Dinamo-Dozha U., më 10 korrik 1955, barazimi i madh 1-1.

1956, PARTIZANI I SPAHIUT, RESMES E PANOS

Kjo është skuadra që u rishfaq e fortë, sunduese menjëherë pas dominimit dinamovit, duke u konfirmuar gati për një dekadë si protagoniste në Shqipëri e jashtë saj. Gjithçka pas finales së parë, 26 qershor 1957 në “Qemal Stafa”, pasi e kanë mbyllur kampionatin me pikë të barabarta, Partizani-Dinamo do të ndeshen për titullin, e para e një përballjeje të tillë dhe 3-1 për të kuqtë (Jareci, Merja, Karja, R. Haxhiu).

278968474_349939590568137_2713701188849931640_n (1)

1957/ PARTIZANI

Këtu nis epoka e Partizanit të pandalshëm, një grup solid, fitues ndaj të gjithëve. 6 tituj kampionë (vetëm një herë Dinamo 1960), katër Kupa të Shqipërisë. Triumfues në finalen e dytë, sërish ndaj Dinamos: korrik 1961, 0-0 ndeshja e parë dhe 1-0 (Pano) pas 122 minutave e dyta. Finalist në turnetë e njohur të ushtrive të vendeve socialiste, Lajpcig 1958 dhe në Hanoi 1963, të dyja me humbje 0- 1. Skuadra e parë shqiptare pjesëmarrëse në Kupën Ballkanike me klube, sezoni 1961 (1 fitore 2-0 ndaj Levskit (Kraja, Jashari), 2 humbje dhe 1 barazim). Më pas debutimi në Kupën e Kampioneve, me tri pjesëmarrje radhazi e tri rezultate spektakolare për kohën në “Qemal Stafa”: “1-0 (Kraja) ndaj Norçepingut, 1-0 (Pano) ndaj Spartak P. dhe 0-0 me Këlnin.

Partizani 1957-1964 ka qenë edhe baza e ekipit përfaqësues. Lojtarët: Maliqati, Topi, Janku, Deliallisi, Fagu, Papadhopulli, Baçi, Merja, Kraja, Ndini, R. Haxhiu, Resmja, Dedja, Shllaku, Çaushi, Karanxha, Bylyku, Vagli, Jashari, V. File, F. Vogli, Bespalla, T. Shehu, Dingu, Mitrushi, Bukoviku, Seferaj, Kërcini, Z. Shehu, Pano, O. Mema, Teli, F. Frashëri, V. Konomi, Bytyçi, Gogoni, T. Vaso, M. Haxhiu, F. Andoni, Sinjari, Zaho. Trajnerë, dy strategë: R. Spahiu, L. Boriçi. Është Partizani i dy ikonave: R. Resmja simbol, shënuesi, kapiteni dhe P. Pano legjenda, idhulli, lojtari më popullor, si dhe vetë Partizani, skuadra me më shumë tifozë në Shqipëri. 1964 është fundi i ciklit, i papërsëritshëm për historinë e klubit.

1964, “TIRONA” E LYM ALLËS

Është skuadra që ndryshoi historinë e futbollit kombëtar, kur u shfaq jo vetëm protagoniste, por edhe triumfuese, spektakolare. Sinjali i parë u dha kur fitoi Kupën e Republikës në prill të vitit 1963, me dy finalet dramatike me Besën. Shpërthimi do të vinte dy vite më vonë, në sezonin 1964-1965, kur u shpall kampione për herë të parë, duke thyer hegjemoninë njëzetvjeçare Partizan-Dinamo. Filozofi e re loje, me futbollistë të talentuar, virtuozë, grup, lojë kolektive, e drejtuar nga M. Alla, dikur trajner i Partizanit, por tashmë në stolin tiranas, strategu i vërtetë i saj nga krijimi, afrimi i atij brezi të mrekullueshëm, drejtimi dhe suksesi.

280206379_1379199299158815_211774614244483703_n (1)

1965/ 17 NENTORI

Gjashtë sezone dominuese me futboll të bukur, ego, shpirt të lartë gare, tifozërinë e zjarrtë të tribunës A, gola, përmbysje rezultatesh, me katër tituj të fituar dhe një të mohuar nga përjashtimi padrejtësisht prej kampionatit 1966-1967, pas Partizani-17 Nëntori 1-2, tri javë para fundit me tiranasit thuajse me titullin të siguruar. E paharruar finalja 2-1 ndaj Partizanit për titullin kampion në 1966.

Përfaqësimi i jashtëzakonshëm në Kupën e Kampioneve, me tri rezultate kolosale në “Qemal Stafa: 1965, 0-0 me Kilmarnokun më 1969, 1-1 (Kazanxhi) me Standartin dhe 1970, 2-2 (Kazanxhi, Zhega) me Ajaksin e Johan Krujfit. Me S. Halilin “liberon” modern, ndër të parët në këtë rol; Frashërin mbrojtësin e djathtë me daljet në sulm; A. Memën shpirtin e skuadrës; Bukovikun, Kazanxhi, Bytyçin në mesfushë; dy anësorët e shpejtë, Xhaçka nga e djathta, Ishka nga e majta dhe me Hykën qëndërsulmues, realizues.

17 Nëntori apo “Tirona” e Lym Allës kështu kujtohet edhe sot, me: Tafaj, Elini, Bathorja, Hatibi, Konomi, Kazanaxhi, Ishka, Frashëri, Halili, Kasmi, Bylyku, A. Mema, Bytyçi, Xhaçka, Gjoka, Bukoviku, Hyka, Saraçi, Konomi, O. Mema, Verria, Dhales, A. Çela, P. Nurishmi, D. Hatibi, L. Shala. Pa harruar debutimin në Kupën Ballkanike, sezoni 1964-1966, veçanërisht me fitoren 2-0 (Frashëri, Xhaçka) ndaj Beshiktashit të Stambollit.

1972, VLLAZNIA SHAQIRIANE E ZHEGËS, RRAGAMIT, BIZIT

Në këtë vit do të nisë cikli i një skuadre gjeniale, e para që tronditi futbollin shqiptar, i sunduar kryesisht nga klubet kryeqytetase. Një Kupë Republike në 1965 dhe një përfaqësim dinjitoz si debutuese në Kupën Ballkanike (1967), 4 -0 ndaj Beroes (Dani, Mema, Rragami, Gjergji; 1-0 ndaj Gençelerbirligi (Dani); 2-1 me Farul C. dhe vendi i dytë në grup, skuadra shkodrane do të shfaqet prepotente në fillim të viteve ’70 me kulmin në edicionin 1971-1972, fituese e dyfishtë kupe dhe kampionat, i pari klub jotiranas që merr njëherazi dy trofetë kombëtarë. 40 pikë të grumbulluara, duke lënë pas 17 Nëntorin me 37, Dinamon me 36 dhe vetëm një humbje 1-2 me Partizanin në 28 javë.

279391568_258988863076291_678091857250485321_n (1)

1972/ VLLAZNIA

Por, jo vetëm në atë sezon: Vllaznia do të jetë protagoniste, duke marrë edhe dy tituj të tjerë: në 1974, 1978, si dhe një Kupë Republike. Me to edhe ndeshja spektakolare, fitorja historike 2-0 (Zhega, Ballgjni) ndaj Austrisë V. në Kupën e Kampioneve në 1978. Por cilët ishin lojtarët, ata që krijuan atë formacion mitik? Gjithçka do të marrë udhë kur në Shkodër janë rikthyer P. Ndoja, I. Hoxha, S. Dani, me ta edhe tre perlat:

Rragami organizator, Zhega shënues, Bizi lider, udhëheqës skuadre, i kudondodhur, të tre titullarë, kampionë të mëdhenj edhe në Kombëtare. Me Lekajn, Kocobashin, Dedjen, Pukën, Rakiqin, të rinjtë Canga, Basha, Duraj, Plumbini, Qeraj, Hafizi, Vaso etj., emra të shquar, talente, produkt i shkollës vendëse. Klas i lartë në mesfushë që garantonte ekuilibër, lojë plot fantazi, harmonike në sulm, një formacion që drejtohet nga Xhod Shaqiri, një tjetër simbol i qytetit, klubit. Një periudhë e artë për klubin, me Vllazninë, një ndër skuadrat e mëdha edhe për historinë tonë.

1972, SHKËNDIJA, NJË “AJAKS” I FUTBOLLIT SHQIPTAR

Ndonëse nuk ka qenë ndër formacionet e mëdha, por e veçantë për kohën, periudhën kur u shfaq e atë që demonstroi. Sezoni 1972-1973, për herë të parë një skuadër e Shkollës së Mjeshtërisë Sportive do të luajë në Kategorinë e Parë. Pa traditë, as histori, as emra të shquar, pa mbështetje, jo klub i mirëfilltë, por me nxënës, studentë të një shkolle të këtij profili, e hapur pak vite më parë në Shqipëri. Dhe menjëherë në elitë, madje surpriza e saj.

Djem të rinj, pasion i madh, shumë të talentuar dhe që drejtohen nga një mjeshtër, profesori i trajningut, Zyber Konçi, ish-trajner i Dinamos dhe Kombëtares. Lojë e shpejtë, përgatitje e lartë fizike, spektakël, gola, duke i befasuar të gjithë edhe gjigantët e traditës ndër të cilët Partizani, “viktima” e parë shkëndijase pas humbjes 1-2 në “Qemal Stafa”.

Një “Ajaks” për futbollin në Shqipëri. Me daljet në sulm të mbrojtësve Kurti e Curri, Gjonaj në qendër, me Gurmën “Bekenbauerin” në mesfushë, talentin Zëri organizator e filtrues, Sulaj në sulm realizues i mbështetur nga Bulku e Fagu me lojën e shpejtë, improvizuese në krahë. Një shkëlqim që zgjati vetëm tre vjet, deri kur grupi i parë i Shkëndijës u largua, me ta edhe trajneri Konçi.

Përfaqësim dinjitoz në Kupën Ballkanike, në të parin e të fundit konkurrim në këtë trofe: viti 1972, 2-1 me Kavallën (Fagu, Bulku) dhe 1-1 me Vardarin (Zëri). Pjesa më e madhe edhe e ekipit kombëtar Shpresa përbëhej nga ky grup. Shkëndija në ato vite ishte një formacion që solli zhvillim, stil, mentalitet të ri e modern loje, krejt ndryshe dhe që i argëtoi të gjithë, duke lënë gjurmë edhe pse nuk fitoi asnjë trofe. Disa nga lojtarët e atij brezi: A. Hoxha, Ajazi, Kurti, Gjonaj, Hushi, Gurma, Curi, Ballco, Bulku, Hafizi, Sulaj, Fagu etj.

1973, BESA, “TIKA-TAKA”, NJË BARCELONË E KOHËS

Kështu do ta përcaktonim skuadrën kavajase të fillimviteve ‘70, kur “tiki-taka” dhe “offside” artificial ishte tipari kryesor i lojës, rezultateve dhe paraqitjes së Besës në Shqipëri dhe jashtë saj. Madje, duke u kualifikuar në turin e parë të Kupës së Kupave, në sezonin 1972-1973 me danezët e Framad, një rezultat i jashtëzakonshëm për historinë, klubin. Ishte M.(Bet) Vila, njeriu që e njihte mirë filozofinë, mentalitetin, mundësitë, forcën e futbollit kavajas të krijuar nga trajnerët S. Dedja e Z. Gjinali.

Lojë e shtruar me pasime, duke vënë në vështirësi të gjitha skuadrat, veçanërisht me “offside” artificial, skuadra e parë dhe e vetme që e aplikonte me sukses një taktikë befasuese, moderne për kohën. Finaliste në Kupën e Shqipërisë në 1972, në dy takimet dramatike me Vllazninë, një skuadër jo e madhe, por modeste, që meriton vlerësim dhe një vend në ciklin tonë.

Besa e “cicmicit” të paharruar nga H. Arkaxhiu, F. Feshti, A. Mullaliu, O. Kapedani, N. Hushi, Sh. Qerolli, B. Dyla, B. Pagria, Z. Kashami, N. Merhori, N. Allaj, M. Karriqi. Xh. Bishtaja, Xh. Bishtaja te trajneri legjendar Bet Vila. 1971, debutim dhe finaliste në Kupën Ballkanike: Besa-Panionios 1-1 (Mërhori) dhe 1-3 (Bishtaja). Një takim historik që regjistron edhe ndeshjen e parë me një klub grek pas lufte.

1973, DINAMO SPEKTAKOLARE E ZËRIT–PËRNASKËS-BALLGJINIT

Një skuadër e madhe jo vetëm për ciklin tonë, por edhe për futbollin shqiptar. Dinamo e treshes fenomenale Zëri–Përnaska-Ballgjini, që edhe sot vazhdon kështu të vlerësohet. Pa asnjë trofe, nga i fundit 1960, pastaj ai në 1967 “i dhuruar” në tavolinë si dhe një Kupë Republike në 1971, Dinamo e pasvitit 1973 deri në fund të asaj dekade do të kthehet tejet protagoniste.

E krijuar nga strategu S. Jareci, bazuar në filozofinë e tij duke ndërthurur lojën klasike të traditës, filtrimet në mesfushë të Çeços, Xhafës, spostimet në krahë të Çirakut, i pari “allë tornante” moderne, me veprimet individuale të treshes virtuoze: V. Zëri i ardhur nga Shkëndija, ndër lojtarët më të talentuar që ka prodhuar futbolli kombëtar, me një teknikë të lartë individuale, fantazi, driblues, shënues; Përnaska, produkt i shkollës dinamovite, zbulim i Jarecit, goleador i shquar, 6 herë radhazi goleadori më i mirë.

279252733_1250891645718911_6689755500177552801_n (1)

Gola me të gjitha mënyrat, njohës i zonës, portës, kurajoz, ka ndëshkuar çdo skuadër; Sh. Ballgjini i ardhur nga Lokomotiva, shpërthyes krahu, i fuqishëm, i pandalshëm nga kundërshtarët. 5 tituj kampionë dhe dy kupa: 1972- 1973 (14 skuadra), 16 fitore, vetëm një humbje, 41 pikë (34 Partizani i dyti), 38 – 11 golat nga të cilët 17 janë të Përnaskës; 1974-1975 në krye për 26 javë, 44 pikë (Vllaznia 39 pikë) me 58 gola të realizuar ndër të cilët: Përnaska 19, Zëri 13, Ballgjni 11, Çeço 5. Për të vijuar kampionë edhe në ‘76, ‘77, ‘80 me trajnerët Dume, Peqini, Dauti që pasuan Jarecin.

Dinamo e atyre sezoneve është: Rama, Ahmedani, Gjinali, Ibërshimi, Sejdini, Xhafa, Çeço, Përnaska, Kodra, Çiraku, Hoxha, E. Hafizi, Çoçoli, Çutra, Mergjyshi, Dhrima, Shapllo, Puka, Zëri, Gjonaj, Zenuni, Targaj, Marko. Nuk patën fat të luanin në ndeshje ndërkombëtare pas vetëpezullimit të futbollit shqiptar në ato vite. Spektakolare, e paparashikueshme, e frikshme për çdo ekip, veçanërisht në sfidat derbi, rivalitet e shumë befasi!

1978, PARTIZANI I BEJKUSH BIRÇES

Sezoni 1978-1979, në skenë do të shfaqet Partizani i Bejkush Birçes. Skuadër robuste, e suksesshme në Shqipëri, rivalizuese edhe në sferën ndërkombëtare. Janë disa vite me të kuqtë protagonistë: kampionë në vitin 1979, 1981, fitues të Kupës në 1980. Më pas tri konkurrimet europiane: 1-0 në Tiranë ndaj Sëlltikut, me golin fantastik të Muratit, për të ardhur te dy sfidat e tjera dramë në “Qemal Stafa” kur kualifikimi ishte më pranë se kurrë: 0-0 me Malmon në Kupën e Kupave (0-1 në Suedi), kur F. Rragami humbet një 11-metërsh të shpresës së madhe.

Lojë spektakolare dhe 1-0 (gol i H. Ballgjnit) me Austrinë e Vjenës, Kupa e Kampioneve (1-3 e para). Skuadër e krijuar me futbollistë fizikisht të përgatitur, me lojë tipike, jo shumë spektakël, më tepër fizike, presion, psikologji e njohur karakteristike e traditës, klubit duke shfrytëzuar eksperiencën e Berishës, Jankut, Muratit, alternuar me talentet: portierin Musta, Lekbellon, Starovën, Eksarkon, durrsakun H. Ballgjini, K. Hysin, Meçen, Gjinin, F. Rragamin, London, Lamen, Likën, Ehmetajn, Brecën, Hadon, Priftin, Fagun, Bushatin, Tomorin, Mançen, Cikon.

Me Birçen në stol, një emër, një garanci që pas përvojës së parë te Partizani në 1972, asaj në Kuçovë me Naftëtarin, i rikthyer te “demat”, krijoi, drejtoi skuadrën ndër më të fortat e klubit, me ndihmës P. Panon.

1982, 17 NËNTORI FENOMENAL I KOLËS, MINGËS, MUÇËS

Pas 17 Nëntorit legjendar të Allës, ai i dhjetëvjeçarit ‘80-‘90 do të jetë i dyti në historinë e klubit, edhe ky imponues me 4 tituj kampionë dhe tri kupa të fituara, por dhe katër kualifikimet e mëdha europiane, tre në Kupën e Kampioneve: 1982 e para historike për një klub shqiptar në këtë trofe, 17 Nëntori-Linfild 1-0 (Kola) dhe 1-2 (Minga); 1988-1989, 17 NëntoriHamrun S. 1-2 (Stoja) dhe 2-0 (Hodja, Josa); 1989-1990, 17 Nëntori-Sliema U. 0-1 dhe 5-0 (Kola 2, Bardhi, Hodja, Riza).

Pa harruar atë në Kupën e Kupave 1986-1987, me dy fitoret ndaj Dinamos B. 1-0 (Kola) dhe 2-1(Muça, Josa). Është periudha e një rivaliteti të madh ndërmjet skuadrave të kryeqytetit me Vllazninë, Flamurtarin, Labinotin edhe ato të suksesshme, fituese.

Skuadra drejtohet nga E. Shehu e më pas Sh. Rreli, me tre qershitë mbi tortë që nuk njohin skema, taktika e kundërshtarë: talenti Muça në mesfushë dhe binjakët “vrasësi” Kola e gjiganti Minga në sulm, titullarë edhe në Kombëtare në rezultatet e bujshme: 2-2 (Omuri, Kola) në Poloni; 1-2 (Muça) me Spanjën dhe 2-0 (Josa, Minga) ndaj Belgjikës. Një pjesë e tyre edhe me ekipin Shpresa, kur pas barazimit 1-1 (Josa) në Trier eliminojnë moshatarët e Gjermanisë. E paharruar edhe fitorja 7-3 në derbin me Partizanin.

Nga Sharra, Mersini, Roga, Dinella, te Sengla, Dibra, Gëzdari, Metani, Naçi, Baçi, më pas Armadhi, Vila, Vladi, Bimo, Omuri, Liti, Demneri, Mema, Minga, Kola, Josa, Ramadani, Stoja, Hodja, Sh. Muça, Lekbello, Bimo, Bylyku, Daja, Alimehmeti, Kepi, Sako, Riza, Bardhi janë futbollistët e asaj skuadre të madhe, e tillë edhe për ne.

1984, LABINOTI KAMPION, NJË TITULL I HARRUAR

Në dominimin 17-nëntoras të viteve ‘80– ‘90, ndër skuadrat që mundën të “rrëmbenin” nga një trofe si Dinamo, Vllaznia, Partizani, është edhe Labinoti i Elbasanit. Sezoni 1983- 1984 do të regjistrojë një surprizë të madhe: Labinoti kampion që bashkë me Vllazninë është skuadra e dytë jokryeqytetase e cila merr një trofe të tillë kombëtar. I pari dhe i fundit për klubin deri në 1990. Një skuadër e fortë, me lojtarë të tillë, të gjithë të shkollës me traditë elbasanase, trajnerëve pasionantë të saj. Një titull plotësisht i merituar në kulmin e rivalitetit të atyre viteve.

Nga portieri Gogunja me 1037 minuta pa pësuar gol, rekord jo vetëm shqiptar për kohën, mbrojtësit Delia, Arapi, F. Lleshin si qendërmbrojtës, Rama, Kaloti, Shegani; mesfushorët nga Asllani, Mustafaraj, Tafani, Popa, Staceni, Vrapi te Gjuraj; sulmuesit nga R. Agalliu, Luniku, Bega, Branica te Mitrollari, një makinë goli. Mjaft prej tyre edhe në ekipin Shpresa dhe në Kombëtare. Një skuadër me djem te rinj, 23 vjeç mosha mesatare, lojtarë cilësorë, lojë në grup, agresiv. Dhe në stol me legjendarët F. Jorgaqi, D. Stringa dhe K. Bishqemi. Vetëm një vit triumf, në çastin, momentin e duhur. Pastaj eliminim pa zhurmë në Kupën e Kampioneve me Lyngby (Dan) 0-3/0-3, harresë disavjeçare për t’u rikthyer protagonist në shekullin e ri me emrin FK Elbasani, kampion në 2005-2006.

1988, FLAMURTARI QË TRONDISTE EUROPËN

I tillë u krijua, u përfaqësua e u shfaq Flamurtari i fundvitit ‘80, duke rivalizuar me sukses deri në ekstrem klubet kryeqytetase, me to edhe Vllazninë, interpretuese e një futbolli sa praktik, aq modern, rezultativ, protagoniste në finale, ndeshje dramatike, sfida të mëdha, të luajtura jo vetëm përballë tifozërisë pasionante vendëse, por kudo deri në Beograd e Barcelonë. Një skuadër unike për çfarë solli, transmetoi e dhuroi, ndonëse në arkiv ka vetëm dy Kupa të Shqipërisë (1985/1988) si dhe një titull kampion në 1991. Por mbi gjithçka, kualifikimet spektakolare, të bujshme në trofetë kontinentalë: nga Partizani i Beogradit, kjo përtej historisë 2-0/1-2 (Iljadhi, Kushta) te Vismut 2-0 (Taho, Ruci).

278946969_1362731780879541_3427879683342110261_n (1)

1988/ FLAMURTARI

Lojë moderne, energjike, tipike e karakterit vlonjat, futbollistë virtuozë, aspak inferiorë edhe përballë gjigantëve të kohës, si ndaj Barcelonës: 1-1 në Vlorë e 0-0 në Katalonjë dhe pas një viti 1-0 (Kushta) në “Flamurtari” dhe 1-4 në “Camp Nou”. Nga mbrojtja, P. Ruçi, Çipi, Taho, Iljadhi te motorët e mesfushës Gjondeda, Zijai, Ferko dhe në sulm me treshen që garanton gola: V. Ruci, Kushta, Bubeqi.

Heronjtë vlonjatë të atij ekipi legjendar janë: Arapi, Birçe, Lekbello, P. Ruci, Çipi, Taho, Iljadhi, Ferko, Zijai, Memushi, Ziu, Gjondeda, V. Ruci, Daullja, Kushta, Bubeqi, Lushaj, Dema, Lameborshi, Muka, Ciruna, Lutaj, Vito, V. Ziu, Sadedini, V. Paço. Trajner: Loni Curri, ish-lojtar i shkollës shkëndijase të viteve ‘70, njeriu që drejtoi skuadrën në ato vite, edhe ai pjesë e pandarë, plot zgjuarsi, meritë e atij grupi fenomenal. Një kapitull, faqe edhe për ciklin tonë, “Skuadrat e mëdha”.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"