Egnatia zgjedh Ohrin, trajneri Tetova: Presim afrime të tjera

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2022 | 23:38

Egnatia zgjedh Ohrin, trajneri Tetova: Presim afrime të tjera

Mes Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, stafi i Egnatias ka preferuar këtë të fundit për të zhvilluar fazën përgatitore. Ky është vendim i marrë nga presidenca e stafi rrogozhinas me ekipin, që do të vendoset për disa ditë në qytetin e Ohrit. Kanë qenë dy opsionet e afruara nga presidenti Agim Demrozi për stafin e Egnatias.

EDLIR TETOVA 2

Në një prononcim të shkurtër për “Panorama Sport” trajneri Edlir Tetova shprehet se për shkak të temperaturave tepër të larta në Shqipëri, iu ofrua Mali zi dhe Maqedonia e Veriut si opsione të mundshme. “Së pari falënderoj presidentin Demrozi, i cili pasi plotësoi kërkesat e mia për merkaton duke afruar lojtarë mjaft cilësorë, tashmë na ofron një tjetër mundësi komode që të marrim ngarkesat e duhura në prag të një sezoni, që gjykoj se do të jetë i vështirë.

Preferuam qytetin e Ohrit, jo vetëm për klimën, por për mundësitë e shumta që na jep për zhvillimin e disa miqësoreve. Egnatia nuk e quan të mbyllur merkaton dhe krahas zhvillimit të fazës përgatitore, pres që dy ose tre futbollistë të tjerë të na bashkohen në Ohër”, u shpreh Tetova, duke paralajmëruar edhe afrime të tjera.

Në ditët e ardhshme pritet të finalizohet afrimi i “ish”-it të Partizanit, Sodiq Atanda, i cili e njeh shumë mirë kampionatin tonë, sepse është shpallur kampion me të kuqtë para tri vitesh. Deri më tani, Egnatia ka qenë një klub mjaft aktiv në merkato. Tetovës i janë vënë në dispozicion lojtarë ekspertë të Superiores, si Musta, Sherri apo Fangaj. Përveç kësaj lojtarë si Krivanjeva, Ymeralilaj, Shyti apo Krasniqi kanë lënë rrogozhinasit.

F. FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"