Egnatia/ Test me Lushnjën, trajneri Magani kërkon përqendrim nga lojtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2021 | 15:21

Egnatia/ Test me Lushnjën, trajneri Magani kërkon përqendrim nga lojtarët

Tek Egnatia kjo javë duket se e ka theksin së tepërmi tek ana fizikoteorike që shërben për çdo repart në përgjithësi. Trajneri Magani e stafi i tij po bëjnë të pamundurën që grupi të përfitojë sa më shumë. Programi i detajuar u krijon mundësinë që zbatimi i përpiktë të arrijë parashikimin e menduar. Përpara seancës trajneri Gugash Magani ka deklaruar se stërvitjet duhet të vlerësohen nga gjithkush pa përjashtim.

EGNATIA 1

“Jua kam bërë me dije se përgatitorja duhet të jetë në qendër të vëmendjes. Nuk e vë në diskutim punën tuaj, po në ndryshim nga javët e para tashmë çdo ushtrim duhet të marrë vlerësim. Kushtet i kemi komode dhe pres që të arrini formën më të mirë. Jo vetëm ne si staf, po dhe drejtuesit e presidenti, po na mbështesin që çdo gjë të shkojë në normalitet.

Jemi në një kategori të lartë e na duhet të punojmë shumë që në vazhdim ta kemi më të lehtë rrugëtimin me këdo kundërshtar. Kemi besim të plotë te ju dhe besoj se duke qenë rezultativë në stërvitje në përballjet zyrtare, do të shpalosim vlerat më të mira. Duhet ta kuptoni vlerën e përgatitjeve si bazë kryesore në çdo rast”, mësohet të jetë shprehur peqinasi i stolit të Egnatias.

Rrogozhinasit dje e kanë pasur edhe “ditë feste”, pasi për herë të parë janë stërvitur në terrenin stërvitor që është ndërtuar në stadiumin e qytetit.

Në plan është një tjetër miqësore, këtë radhë me Lushnjën, në fushën e këtyre të fundit ditën e premte. Stërvitja në stadiumin e sapondërtuar tërhoqi edhe vëmendjen e tifozërisë vendëse.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"