Egnatia shtang Laçin, e thyen në miqësore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2017 | 11:00

Egnatia shtang Laçin, e thyen në miqësore

Egnatia, që ka siguruar një vend në Kategorinë e Parë për sezonin e ardhshëm futbollistik, ka arritur të fitojë dje në ndeshjen miqësore të luajtur ndaj Laçit në shtëpi. Loja ka nisur e mirë për rrogozhinasit që hidhen direkt në sulm dhe rrezikojnë me Milen, por pa rezultat. Kundërpërgjigjen miqtë me anë të Vucajt, por goditja e tij pritet nga Birja.

Egnatia

Pas disa rastesh të humbura në të 14′ do të vijë dhe goli i parë i takimit. Mile pengohet në zonë nga portieri Selmani dhe ka penallti. Melani nga pika e bardhë nuk gabon dhe kalon skuadrën e tij në avantazh.

Pësimi i golit bën që djemtë e trajnerit Nica të shtojnë rastet te porta e Egnatias, por nuk tregohen të saktë në finalizim si dhe e kanë të vështirë që të gjejnë hapësira boshe. Rrogozhinasit mundohen të tregohen më të saktë në veprime dhe humbin raste të pastra shënimi me Milen, Bahollin e Karajin.

Egnatia

Pjesa e dytë e ndeshjes nis me shumë zëvendësime nga të dy trajnerët që hedhin në fushë lojtarët e stolit. Nuk vonon shumë dhe në minutën e 68′ të besuarit e Nicës do të barazojnë takimin, me anë të mbrojtësit Qaqi që finalizon një aksion të bukur të skuadrës së tij. Rrogozhinasit nuk dorëzohen lehtë dhe vizitojnë më shpesh portën kurbinase dhe në fund shpërblehen.

Egnatia-Laci 2-1

Në minutën e 84′, Allkanjari përfiton nga një rreshtim i gabuar i mbrojtjes mike dhe gjuan saktë me djathtën, duke e ndalur sferën në rrjetë. Në minutat e mbetura, laçianët mundohen të barazojnë, por nuk ia dalin dhe Egnatia del triumfuese nga kjo ndeshje.

Deklarata – Trajneri i Egnatias, Vladimir Gjoni, pas ndeshjes ka thënë: “Ndryshe nga miqësoret e mëparshme, vura re te lojtarët e mi një mobilizim të madh në çdo aspekt të lojës. Jam i kënaqur se skuadra ime arriti ta përballojë me sukses takimin ndaj një kundërshtari me traditë në Superiore”.

vladimir-gjoni

Ndërsa tekniku i miqve, Stavri Nica, u shpreh: “Jam i kënaqur, pasi disa prej lojtarëve të rinj që aktivizova e justifikuan besimin e dhënë. Në fillim kishim vështirësi të përshtateshim dhe me terrenin e fushës që nuk na la të dalim në lojën tonë më të mirë. Kemi ende shumë punë për të bërë deri në fillimin e kampionatit”.

Nica stavri

Aldo Buzi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"