Egnatia reagon pas akuzave, drejtori sportiv i rrogozhinasve “thumbon” Longon: Je i vogël që të na bësh pis

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2021 | 22:02

Egnatia reagon pas akuzave, drejtori sportiv i rrogozhinasve “thumbon” Longon: Je i vogël që të na bësh pis

Egnatia po rezulton deri tani një histori suksesi në Superiore, ku pas ecurisë pozitive në këtë kategori, rrogozhinasit në mesjavë ia dolën të shënonin edhe një arritje historike duke eliminuar Kukësin nga Kupa dhe duke kaluar në fazën çerekfinale.

sportiv

Por deklarata e trajnerit të Kukësit, Diego Longo, pas eliminimit nuk u ka pëlqyer rrogozhinasve, të cilët përmes drejtorit sportiv, Klevis Murati, për “Panorama Sport” i japin një përgjigje atij, si dhe shprehin dëshirën që ai të jetë në krye të verilindorëve edhe pas dy javësh, kur do të përballen në kampionat, pasi u sjell fat. Gjithashtu, nuk mungojnë edhe thumbimet e rrogozhinasve për gjyqtarin Kridens Meta, që sipas Muratit, nuk i eci skenari në ndeshjen e Kupës me Kukësin. Ja reagimi i drejtorit sportiv të Egnatias për gazetën:

“Nuk na ka pëlqyer aspak deklarata e trajnerit të Kukësit, Longo, pas përballjes së Kupës ndaj tyre, që u luajt në Vlorë. Ne si klub bëjmë llogaritë tona e jo të të tjerëve. Kemi mbetur të befasuar nga akuzat e pabaza. Egnatia nuk vodhi asgjë, vetëm mori hakun e saj. Kemi thënë se do të luftojmë në të dyja frontet, pasi s’na mungon asgjë. Megjithëse jemi kthyer pas shumë vitesh në Superiore, nuk lejojmë askënd të hedhë qoftë edhe një akuzë të vetme. Meritojmë më shumë pasi është investuar në dy sezonet e fundit e pritshmëritë janë të larta. Së pari, uroj që Longo të jetë në pankinën e Kukësit edhe mbas dy javësh, pasi na sjell fat. E ftoj që ta rishohë edhe një herë sfidën që u luajt dhe jo vetëm.

Bashkë me të, të jetë edhe gjyqtari Kridens Meta, pasi ky i fundit nuk e përmbushi si duhet detyrën dhe qëllimin për të cilin kishte ardhur, me një gjykim tërësisht tendencioz ndaj nesh e të pakuptimtë. Janë plot dy penallti të mohuara, si dhe penallti e paqenë e dhënë për Kukësin. Por, përsëri strategu Longo nuk është më pjesë e Kupës se Shqipërisë. Ndihemi të keqardhur që gjyqtari bëri pis e hodhi baltë mbi një qytet të tërë. Duhet veçuar se jemi një qytet emblemë në çdo drejtim në futbollin shqiptar. Falënderojmë shumë publikun tonë për mbështetjen e dhënë në çdo kohë. Rrogozhina është një qytet i vogël, por që po fiton përvojënradhazi. Vetë Longo është mjaft i vogël që të bëjë pis pa të drejtë futbollin shqiptar.

Kukësin e falënderojmë për ‘Fair Play’-n e treguar. Por, asnjëherë një person i vetëm nuk duhet të baltosë e ta bëjë pis si mendon një qytet të tërë. Garojmë për të shfaqur vlerat tona më të mira. Klubi ka një projekt serioz siç dihet tashmë dhe po e ngre në nivele të lartë. Tifozët tanë, por edhe ne drejtuesit e stafi kemi parë punët tona jo të të tjerëve. Nëse dikush përgojon Egnatian do të thotë që ka merituar aty ku gjendet e jo se ka ardhur rastësisht. Çdokush duhet t’i shohë defektet e veta, pasi ne si klub vijojmë të qetë rrugëtimin e nisur. Kurdoherë analizojmë gjithçka që duhet, mirëkuptohemi midis stafit, lojtarëve dhe presidentit që nuk resht së plotësuari çdo detaj që duhet. Po e përsëris se Egnatia ka marrë hakun e saj dhe kudo luan qetësisht, pasi optimizmi për të qenë sa më lart nuk mungon asnjë çast”.

Çfarë tha trajneri i Kukësit

Diego Longo shpërthen në polemika pas ndeshjes, duke e cilësuar antifutboll atë që u zhvillua në Vlorë. “Kemi zhvilluar një nga ndeshjet me të mira të sezonit. Për futbollin shqiptar ky mentalitet që pamë nuk mund ta bëjë të ecë përpara. Ishte 1-0 dhe u eliminuam nga Kupa, por nuk mund të luhet futboll kundër futbollit në këtë mënyrë. Që nga minuta e parë, portieri i Egnatias vononte lojën, ndërsa topat hidheshin jashtë dhe për gjithçka kishte protesta. Kishte provokime dhe s’u bë futboll. Pastaj pyesni pse dështon Kombëtarja”, deklaroi Longo

ALDO BUZI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"