Egnatia pa trajner para rifillimit të kampionatit, Bano: Ja e vërteta e largimit tim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2020 | 14:52

Egnatia pa trajner para rifillimit të kampionatit, Bano: Ja e vërteta e largimit tim

Pak ditë para rifillimit të kampionatit, Egnatia është pa trajner, pasi ka mbyllur marrëdhëniet kontraktuale me Artan Banon. Një lajm që ka tingëlluar çuditshëm në ambientin sportiv, edhe pse ky i fundit është mësuar me befasi të tilla. Egnatia ka pasur një ecuri të mirë me Banon, i cili pasoi Kashamin muaj më parë dhe sportivisht nuk kishte asnjë arsye për shkarkim trajneri, aq më tepër që pak ditë më parë Egnatia mundi Apoloninë në miqësore.
artan bano

Vendimin për ndarjen mes palëve klubi rrogozhinas e ka bërë të ditur në faqen zyrtare në “Facebook”, ku e falënderon dhe i uron suksese Banos për më tej, por nuk jep asnjë arsye për largimin e tij. Në Shqipëri nuk është çudi që një trajner të humbë vendin e punës edhe pse nuk fiton një miqësore, por në rastin konkret nuk është ky shkaku i krisjes mes drejtuesve të Egnatias dhe trajnerit lushnjar.
artan bano

BANO – “Panorama Sport” kontaktoi me trajnerin Bano, i cili shkurt pohoi se ndarja ka ardhur për shkak të ideve të ndryshme që kishin për futbollin ai dhe klubi.

“Kam mbyllur bashkëpunimin me Egnatian. Është çështje idesh për mënyrën si klubi kërkonte ta administronte ekipin dhe mënyrën si doja ta administroja unë. Kjo është e gjitha, nuk dua të zgjatem më shumë. I falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur gjatë punës sime ne Rrogozhinë, që nga ishkryebashkiaku i ndjerë Memolla dhe deri te të gjithë futbollistët, të cilët kanë bërë gjithçka për fanellën e Egnatias, kanë sakrifikuar për të. Më vjen keq për faktin që kampionati u ndërpre në momentin kur skuadra ishte në një formë shumë të mirë. I uroj shumë suksese Egnatias”, pohon Bano.

Ai ka mbajtur një qëndrim qytetar, pasi në Rrogozhinë është një personazh i dashur për ambientin futbolldashës. Ka kontribuuar vite më parë si lojtar për ngjitjen historike të saj në elitë, por mund të kuptohet lehtë se ai mund të jetë bezdisur në punën e tij nga drejtuesit e klubit. Këta të fundit duhet të gjejnë trajnerin e ri, që do të jetë i treti në këtë sezon.

ARTAN BANO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"