Egnatia pa motiv, por premton respekt ndaj garës. Rrogozhinasit sfidojnë Vllazninë me 11-shen titullare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2022 | 17:19

Egnatia pa motiv, por premton respekt ndaj garës. Rrogozhinasit sfidojnë Vllazninë me 11-shen titullare

Egnatia tashmë e ka shkruar fatin e saj dhe pret të njohë finalistin që do të dalë nga çifti Apolonia-Korabi, të cilin do ta presë në Rrogozhinë. Kjo do të thotë se dy sfidat e mbetura, ato me Vllazninë në Shkodër dhe me Dinamon në Rrogozhinë, nuk kanë asnjë vlerë pikësh dhe do të jenë më shumë në shërbim të ndeshjes së “play out”-it, ku vlen vetëm fitorja.

EGNATIA

Gjithsesi, në kampin e Egnatias mendojnë ndryshe dhe premtojnë se do të luajnë ndaj Vllaznisë dhe Dinamos me tërë “artilerinë” dhe si të ishin ndeshje vendimtare. Në gjithë këtë javë trajneri Zekirija Ramadani për asnjë moment nuk e ka ulur ritmin e stërvitjes duke kërkuar nga të besuarit e tij se kampionati për Egnatian mbaron pas finales që do të duhet t’i konfirmojë në Kategorinë Superiore për sezonin e ardhshëm.

“Dardani” erdhi në krye të Egnatias duke zëvendësuar Gugash Maganin me objektiv primar për ta mbajtur Egnatian në Superligë. Tashmë që nuk ia doli me shpëtimin direkt, ai është shprehur i bindur se Egnatia është më e fortë se Korabi dhe Apolonia, duke i deklaruar të tijtë favoritë absolutë. Nga ana tjetër, ai u ka kërkuar të besuarve të tij se dy ndeshjet e mbetura me Vllazninë e Dinamon duhet t’i luajmë me të njëjtin temp që kanë luajtur deri më tani.

Ndaj Vllaznisë këtë fundjavë pritet që rrogozhinasit të zbresin në fushë me formacionin e tyre më të mirë. Po ashtu edhe ndaj Dinamos besohet të ndodhë e njëjta gjë. Këto sfida të mbetura do të jenë të dyja vetëm për ruajtjen e parametrave fizikë e psikologjikë të grupit. Në seancën stërvitore të së mërkurës nuk pati asnjë mungesë. I gjithë grupi ishte nën urdhrat e Zekirija Ramadanit.

FERIZ FERIZAJ -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"