Egnatia nuk ul ritmin as për Kupën, Tetova pret shpërthimin e sulmuesve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2022 | 22:32

Egnatia nuk ul ritmin as për Kupën, Tetova pret shpërthimin e sulmuesve

E hëna ka qenë pushim dhe të martën ka nisur puna stërvitore serioze për të ruajtur e përmirësuar sa më shumë që të jetë e mundur nivelin e optimizmit që mbizotëron aktualisht.

EGNATIA (1)

“Ditët në dispozicion deri te ndeshja e Kupës mesjavën e ardhshme ndaj Shkumbinit, sikurse dhe përgatitjet për takimin shtëpiak me Kastriotin në Rrogozhinë, janë më se të mjaftueshme për të parë edhe një herë me qetësi e gjakftohtësi disa gjëra të rëndësishme që ka skuadra në tërësi e disa futbollistë në veçanti”, u shpreh dje trajneri Tetova, duke treguar se në këto momente që po kalon skuadra është më e drejtë mosluajtja e një miqësoreje me çfarëdolloj kundërshtari.

KUPA – Ndeshja e parë e Egnatias në këtë kompeticion do të luhet në Peqin ndaj Shkumbinit. Ky takim, sipas trajnerit të Egnatias, do të vlerësohet njëlloj si të gjitha sfidat e tjera. “Shkumbinin nuk e llogarisim si skuadër që luan dy kategori më poshtë dhe mund të mos ketë pretendime në përballjen me ne. Egnatia është e qartë dhe e vendosur në arritjen e objektivave që ka përcaktuar qartë nga fillimi i sezonit dhe as që diskutohet se në funksion të këtij qëllimi do të shihen të gjitha zgjidhjet që do të ndërmerren edhe gjatë këtyre ditëve të ndërprerjes së kampionatit.

Kjo ndeshje e Kupës për ne ka si parësore zgjidhjen e kualifikimit që në përballjen e parë në transfertë. Do të kërkojmë që sulmi të jetë sa më efikas dhe t’i shfrytëzojë mundësitë që do të na krijohen. Nuk dua të na ndodhë si në Ballsh, ku rastet ishin tepër të pastra dhe goli nuk erdhi, por mbeti në tentativë. Pa e nënvlerësuar aspak Shkumbinin. Edhe pse ndeshja do të jetë mesjavën e ardhshme ne kemi nisur seriozisht përgatitjet që ky takim të flasë për Egnatian, duke fituar dhe mos e vënë në diskutim kualifikimin, e sigurisht do të ketë një tjetër ndeshje në fushën tonë ku ne do të jemi të kujdesshëm e të vëmendshëm për kualifikimin tonë”, tha Tetova.

MUNGESAT – Veçmas grupit janë vetëm dy futbollistë që kanë një regjim më të kufizuar stërvitore se lojtarët e tjerë. Bëhet fjalë për kapitenin Santos Xhekson me dhe mesfushorin Odejiron Hamzat. Po e kalon dëmtimin që ka pasur në krah dhe sulmuesi i ri, Flavjo Meçja. “Stafi mjekësor ka këshilluar një regjim më të veçantë deri në rikuperimin e plotë të tyre për të krijuar të gjitha shanset e mundësitë që të jenë gati në ndeshjen e kampionatit përballë Kastriotit në ditët e para të muajit të ardhshëm.

Me grupin po stërvitet mesfushori Michael Agbekpornu, gjendja e të cilit, edhe pas aktivizimit pak minuta që pati ndaj Bylisit, duket e mirë. Cilësitë e këtij futbollisti na bëjnë të ndihemi edhe më të sigurt në prapavijën tonë, pasi Agbekpornu ndihmon së tepërmi në thyerjen e manovrës së kundërshtarëve me ndërhyrjet e tij decizive si me kokë ashtu dhe me këmbë. Më vjen mirë që ai brenda këtyre 10 ditëve që ka ardhur është ambientuar shpejt dhe ka hyrë në regjimin e plotë të stërvitjeve me grupin”, tha trajneri Tetova.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"